Kulturë

Muzeu i Louvreit synon të dalë prej krizës me shtrenjtim biletash

Muzeu i Louvreit

Prej së mërkurës, vizitorët e Muzeut të Louvreit nga vendet jashtë BE-së dhe jo vetëm, do të duhet të paguajnë një biletë hyrjeje me çmim prej 32 eurosh nga 22 sa ishte deri më tash (Foto: Reuters)

Çdo vizitor i moshës madhore i Muzeut të Louvreit nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë, prej së mërkurës do të duhet të paguajë një biletë hyrjeje me çmim 32 euro, që kap një rritje prej 45 për qind, ndërsa hyrja në Pallatin e Versajës do të kushtojë tri euro më shumë, njoftoi “France 24”.

Edhe amerikanët, shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Kinës, të cilët janë ndër vizitorët e huaj më të shumtë të muzeut, do të preken nga rritja e çmimeve, ashtu si edhe turistët nga vendet më të varfra.

Sindikatat e punonjësve e kundërshtojnë këtë ndryshim në politikën e rritjes së çmimit të biletave dhe kanë bërë thirrje për grevë.

Ata theksojnë se një pjesë e madhe e koleksionit muzeor, me pothuajse gjysmë milioni artefakte nga Egjipti, Lindja e Mesme ose Afrika, përfaqëson vlera universale njerëzore dhe refuzojnë çmime diskriminuese të biletave për vizitorë nga shtete të ndryshme.

Çmime të ndryshme biletash, më të larta për gati 10 euro, shtojnë sindikatat, nuk janë pozitive as për arsye praktike, pasi do të kërkojnë verifikimin e identitetit të vizitorëve.

Vizitat në Louvre do të mbeten falas për të miturit nga të gjitha shtetet dhe për evropianët nën moshën 26 vjeç.

Muzeu i Louvreit qe mbyllur edhe në mesin e muajit të kaluar, pasi punonjësit nisën një grevë për të kërkuar rinovime urgjente dhe shtim të stafit, si dhe për të protestuar kundër rritjes së çmimeve të biletave për shumicën e vizitorëve jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë turistët britanikë dhe amerikanë. Louvre ende po përpiqet të përballojë pasojat e vjedhjes së 19 tetorit, kur një bandë prej katër personash bastisi Muzeun në mes të ditës, duke vjedhur brenda shtatë minutash bizhuteri të kurorës franceze me vlerë të vlerësuar rreth 88 milionë euro, përpara se të largoheshin me skuterë. Katër persona janë arrestuar dhe janë vënë nën hetim zyrtar, por bizhuteritë nuk janë gjetur.

Bordi i Louvreit qysh në nëntorin e vjetëm ishte pajtuar për t’i rritur çmimet 45 për qind për vizitorët që nuk i përkasin Zonës Ekonomike Evropiane, duke përfshirë amerikanët. Krejt kjo për arsye të përpjekjes për rritje fondesh, për ta ripërtërirë institucionin me telashe. Deri më tash turistët paguanin 22 euro, për t’i shëtitur korridoret e Louvreit dhe për ta admiruar “Mona Lisan”. Ndryshimet ishin konfirmuar edhe nëpërmjet një e-maili nga një zëdhënës i Louvreit. 

Për janar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe drejtori i Louvreit, Laurence des Cars, me qëllim të ripërtëritjes së muzeut, kishin lajmëruar një plan të quajtur “Louvre – Rilindja e Re”, duke përfshirë edhe zhvendosjen e “Mona Lisas” në një hapësirë të re ekspozimi, për t’iu shmangur turmave. Plani gjithashtu synon përmirësimin e sigurisë dhe rinovimin e qindra dhomave të ndërtesës, me kulmet pikuese dhe sistemet e prishura të ftohjes dhe nxehjes.

Mirëpo ai plan do të kushtojë rreth 1.1 miliardë euro, sipas “Cour des Comptes”, instituti më i lartë auditiv në Francë, i cili ka dhënë detaje në një auditim të detajuar për projektin e publikuar në nëntor. Ndryshimi i çmimeve të biletave pritet të nxjerrë përfitime prej 20 milionë eurosh në vit, kishte thënë zëdhënësi i muzeut.