Futbollisti i Izraelit, Sayed Abu Farchi, është përjashtuar për shkak të mënyrës se si e festoi golin e barazimit ndaj Austrisë, të enjten mbrëma. Austria e fitoi 3:1 ndeshjen si vendase në Linz, me golat e shënuar në minutën e 90-të dhe 93-të.
Abu Farkhi barazoi në 1:1 në minutën e 55-të. Dhe pasi festoi me bashkëlojtarë shkoi për të festuar edhe në kënd të fushës. E hoqi shtizën e flamurit dhe “festoi” duke marrë pozitën e shtënies me armë.
U ul në gjurin e djathtë dhe drejtoi shtizën sikur po qëllonte me armë. Ka pasur edhe raportime se festa kishte të bënte me gjuajtjen në lojën e biliardos. Por futbollisti i Izraelit bëri lëvizje që shihet pas shtënies me armë.
Arbitri bullgar, Georgi Kabakov, e ndëshkoi me karton të verdhë për veprimin josportiv dhe pasi Farchi kishte një karton tjetër të verdhë, u përjashtua.
Ndeshja i takoi Grupi B3 të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Edhe
Irlanda proteston dhe merr pikë kundër Izraelit
Në këtë grup janë edhe Kosova dhe Irlanda. Dhe veprimi i futbollistit të Izraelit vetëm sa i jep “zjarr” garës në grup. Në Irlandë kanë kundërshtuar dhe kundërshtojnë zhvillimin e ndeshjeve me Izraelin.
Madje ka pasur protesta dhe peticione kundër përballjes me Izraelin. Të dielën Izraeli e pret Irlandën në terren neutral, përkatësisht në Debrecen. Edhe ndeshja si vendase e Irlandës me Izraelin luhet në terren neutral, përkatësisht në Serbi.
Izraeli e pret Kosovën më 1 tetor, po ashtu në Debrecen të Hungarisë.
Rregulloret e UEFA-s përcaktojnë se një lojtar duhet të ndëshkohet me karton nëse bënë veprime provokuese, tallëse apo nxitëse. Edhe vetëm heqja e flamurit të këndit përbën shkelje që ndëshkohet me karton. Por futbollisti i Izraelit nuk u mjaftua me këtë. E përdori shtizën e flamurit për veprim provokues.
Trajneri i Izraelit, Ran Ben-Shimon ka thënë se mesfushori i Colorado Rapids rregullisht e bënë këtë festim në MLS të SHBA-së dhe nuk është ndëshkuar më parë.
“Ai nuk e ka ditur për këtë, është mënyra e tij e festimit të secilit gol që shënon. Është lojtar i ri. Jam i sigurt se ky mësim do t’i shërbejë për kohë të gjatë. Ai bëri gabim”, ka thënë Ben-Shimon.
Edhe
Irlanda e fiton bindshëm ndeshjen që nuk e deshi
“Amnesty International” më herët këtë javë bëri thirrje që Izraeli të largohet nga garat e Ligës së Kombeve.