Kulturë

Muzetë përballë të ardhmes sfiduese

Muzeu

Për dekada, shumë qytete, duke përfshirë Berlinin, kanë organizuar një “Natë të gjatë të muzeve”: Vizitorët mund të blejnë bileta me çmime të reduktuara që i lejojnë të shëtisin nëpër muze gjatë natës duke ngrënë, duke pirë, duke biseduar, duke dëgjuar muzikë apo edhe duke vallëzuar me DJ

Nëse nuk e keni vizituar Muzeun e Louvre-it, atëherë nuk e keni parë vërtet Parisin. Këtë mendim mund ta ndajnë edhe afro 9 milionë vizitorë që zbresin në muze çdo vit për të provuar të kapin një moment të shkurtër përballë të “Mona Lizës” midis turmave.

Vetë muzeu është 230 vjeç dhe shumë prej strukturave të tij po arrijnë kufijtë e tyre. Muret janë të lagura, duke vënë në rrezik veprat e artit dhe hyrja nën piramidën ikonike prej xhami është shumë e vogël për numrin gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Kjo do të ndryshojë deri në vitin 2031. Ky duhet të jetë viti kur një rinovim i madh, i shpallur së fundmi nga presidenti francez Emmanuel Macron, përfundon, duke e lënë pas ndërtesën e rrënuar e ta bëjë të shkëlqejë në një dritë të re dhe moderne.

Si mund t'i përshtatni muzetë për të ardhmen dhe t'i bëni ata konkurrues ndërkombëtarisht?

Kjo është edhe pyetja në Berlin, ku Ishulli i Muzeve - një kompleks ndërtesash klasike dhe moderne të njohura si një aset i Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që pranon rreth 3 milionë vizitorë në vit.

Në vitin 1999, Fondacioni Prusian i Trashëgimisë Kulturore, i cili menaxhon muzetë, njoftoi një plan shumëmiliardësh për të riparuar ndërtesat.

Tri nga pesë ndërtesat historike të Ishullit të Muzeve tashmë janë rinovuar dhe janë të hapura për publikun: Galeria e Vjetër Kombëtare, Muzeu Bode dhe Galeria e Re Kombëtare. Që nga viti 2019, galeria moderne “James Simon” ka shërbyer si zona hyrëse dhe e pritjes për vizitorët e shumtë të ishullit.

Punimet filluan në Muzeun e Pergamonit në vitin 2012 dhe pritet të zgjasin deri në vitin 2037. Veprat e famshme të artit të, si altari i lashtë grek i Pergamonit ose porta babilonase e Ishtarit, do të kalojnë vite në magazina.

Shumë nga ndërtesat ku strehohen muzetë janë monumente kombëtare të mbrojtura, që do të thotë se ato u nënshtrohen rregullave strikte. Në të njëjtën kohë, ndërtesat e reja duhet të jenë gjithashtu të qëndrueshme, neutrale ndaj klimës dhe moderne.

Fondacioni ka thënë se ndërtesat e restauruara kanë më shumë hapësirë ekspozuese, oferta për tema si diversiteti dhe familjare, më shumë turne për fëmijët dhe adoleshentët dhe qasje më të lehtë. Një pamje bashkëkohore duhet të tërheqë njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve arsimore, dhe vizitorët e rinj duhet të përfitojnë më shumë nga një vizitë sesa thjesht disa pika interesante për të bërë “selfie”.

Një konsensus i përgjithshëm u shfaq qartë gjatë pandemisë Covid-19 kur muzetë u detyruan të mbylleshin, duke rezultuar në humbje të mëdha financiare: muzetë kanë nevojë për oferta të ndryshme nëse duan të arrijnë te njerëzit dhe ata duhet të bëhen më shumë sesa thjesht destinacione pelegrinazhi për artdashësit.

Për shumë njerëz, shkuarja në një muze është një aktivitet i kohës së lirë, diçka për të bërë në një pasdite me shi, ose si një pjesë thelbësore e një pushimi në qytet. Ofertat muzeore duhet të korrespondojnë me këtë pikëpamje dhe të konceptohen jo thjesht si vende edukimi, por si hapësira me stil për shoqërim.

Për dekada, shumë qytete, duke përfshirë Berlinin, kanë organizuar një “Natë të gjatë të muzeve”: Vizitorët mund të blejnë bileta me çmime të reduktuara që i lejojnë të shëtisin nëpër muze gjatë natës duke ngrënë, duke pirë, duke biseduar, duke dëgjuar muzikë apo edhe duke vallëzuar me DJ.

Disa muze, si Muzeu Shtetëror i Badenit në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Karlsruhe, janë kthyer nga bileta të vetme në abonime si një mënyrë për të ndërtuar besnikërinë e vizitorëve. Kushdo që dëshiron mund të vijë disa herë dhe gjithashtu të shmangë pritjet e gjata. Kjo largon presionin nga vizitori nga ndjenja se ata duhet të shohin gjithçka me një lëvizje të vetme.

Radhët e gjata janë diçka që Eike Schmidt e njeh shumë që nga koha e tij si drejtor i galerive “Uffizi” në Firence, Itali, të cilat i drejtoi nga viti 2015 deri në 2023. Gjatë mandatit të tij, ai synoi t’i modernizonte muzetë.

Me ndihmën e ekspertëve, ai zhvilloi një sistem të sofistikuar të menaxhimit të hyrjeve që u mundëson vizitorëve të rezervojnë në mënyrë digjitale një periudhë specifike kohore për të vizituar. Programet dhe algoritmet menaxhojnë volumin e vizitorëve duke gjurmuar se si dhe kur lëvizin individët dhe kohëzgjatjen e kohës që ata kalojnë në pika të caktuara. Çmimet e hyrjes janë më të shtrenjta në sezonin e ngjeshur dhe më të ulëta në pjesën tjetër të vitit.

Kjo u shpagua, tregoi Schmidt në një intervistë të vitit 2019.

“Ne kishim më pak vizitorë nga qershori deri në tetor. Por e kompensuam këtë në sezon”, shpjegoi ai, duke thënë se kjo çoi në një numër rekord vizitorësh mbi të gjitha.

Schmidt gjithashtu e bëri muzeun të qasshëm në mënyrë digjitale.

“Kur iu bashkova menaxhmentit të galerive, “Uffizi” nuk kishte as uebsajtin e vet, e lëre më kanalet e medieve sociale”, tregoi ai në të njëjtën intervistë.

Sot, galeritë kanë rreth 800 mijë ndjekës në “Instagram”.

Pothuajse të gjithë muzetë tani e njohin rëndësinë e medieve sociale. Shumë prej tyre janë edhe në “TikTok”, si “Uffizi” me 170 mijë ndjekës, “Rijksmuseum” në Amsterdam me 200 mijë ndjekës ose Muzeu i Artit Modern “MoMA” në qytetin e Nju-Jorkut me 300 mijë ndjekës.

Shumë muze bashkëpunojnë gjithashtu me influencues që kanë shtrirjen e tyre të konsiderueshme.

Një shembull është Jette Lübbehüsen, e cila punon me Muzeun e Van Goghut në Amsterdam. Një nga formatet e saj më të suksesshme është “Pikturat e famshme si veshje”, në të cilën ajo vesh rroba të frymëzuara nga estetika e veprave të veçanta artistike.

Louvre ende nuk ka llogarinë e vet në “TikTok”, por tashmë është shumë i pranishëm në platformë falë mijëra përdoruesve që postojnë foto të vizitës së tyre atje, qofshin foto të turmave gjigante njerëzish apo “selfie” me “Mona Lizën”. Për këtë të fundit do të ketë shumë më tepër hapësirë në Louvre-in “e ri”, pasi piktura me nam botëror e Leonardo da Vinçit (1452-1519) do ta ketë dhomën e dedikuar.