Kulturë

Persepolisi dy mijë e 500 vjet i vjetër rrezikohet nga fundosja e tokës

Toka përreth Persepolisit fundoset deri në 30 centimetra në vit, gjë që përbën rrezik për ruajtjen e gdhendjeve në gur dhe strukturave monumentale. Shkencëtarët paralajmërojnë se shkaku kryesor është shfrytëzimi i tepruar i ujërave nëntokësore

Toka përreth Persepolisit fundoset deri në 30 centimetra në vit, gjë që përbën rrezik për ruajtjen e gdhendjeve në gur dhe strukturave monumentale. Shkencëtarët paralajmërojnë se shkaku kryesor është shfrytëzimi i tepruar i ujërave nëntokësore

Njëri nga lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike në botë, Persepolisi në Iran, po përballet me një kërcënim serioz – toka nën kompleks po fundoset ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme. Persepolisi mbi dy mijë e 500 vjet i vjetër dhe nën mbrojtjen e UNESCO-s që prej vitit 1979, po rrezikohet nga faktorë natyrorë dhe njerëzorë.

Sipas studimeve, toka përreth Persepolisit fundoset deri në 30 centimetra në vit, gjë që përbën rrezik për ruajtjen e gdhendjeve në gur dhe strukturave monumentale. Shkencëtarët paralajmërojnë se shkaku kryesor është shfrytëzimi i tepruar i ujërave nëntokësore, i cili shkakton uljen e tokës dhe përshpejton procesin e shkretëtirëzimit në të gjithë Iranin.

“Vetëm përmes vlerësimeve të detajuara në terren mund të kuptojmë përmasën e plotë të problemit, por pasojat janë të pashmangshme”, ka thënë Mahdi Motagi nga Qendra Helmholtz për Kërkime Oqeanike në Kiel. Që prej vitit vitet 1970, Irani ka humbur më shumë se 70 për qind të rezervave të ujërave nëntokësore dhe shumë rajone tashmë po përballen me pasoja infrastrukturore dhe mjedisore.

Fenomeni i uljes së tokës nuk kërcënon vetëm Persepolisin; në rrezik janë edhe pasuri të tjera iraniane nën mbrojtje të UNESCO-s, si Pasargada dhe qyteti i Jazdit. Në Teheran, pjesë të qytetit po fundosen deri në 25 centimetra në vit.

Për të monitoruar gjendjen, studiuesit përdorin teknologji radari për të zbuluar edhe lëvizjet më të vogla të tokës. Irani planifikon gjithashtu uljen e konsumit të ujit nëpërmjet teknikave të përmirësuara të ujitjes, por zbatimi i këtyre masave vështirësohet nga sanksionet dhe mungesa e investimeve.

Shembuj të zgjidhjeve të mundshme vijnë nga vende të tjera. Pas kufizimit të pompimit të ujërave nëntokësore, Bangkoku arriti të ulë shkallën e fundosjes së tokës nga 120 në më pak se 20 milimetra në vit. “Nuk ekziston një zgjidhje magjike, por politika dhe qëndrueshmëria japin rezultate”, ka thënë Andreq Pearson nga Qendra Ndërkombëtare për Vlerësimin e Burimeve të Ujërave Nëntokësore.

Përveç fundosjes së tokës, Persepolisi po përballet edhe me një rrezik tjetër – likenet, të cilat dëmtojnë sipërfaqet prej guri dhe mbishkrimet. Këta organizma simbiotikë përbëhen nga kërpudha dhe alga që lëshojnë acide organike, përfshirë acidin oksalik, i cili është në gjendje të shpërbëjë mineralet dhe të depërtojë në gur deri në 1,5 centimetra thellësi.

Infektimi nga likenet është rezultat i kombinimit të shirave acidikë, klimës së paqëndrueshme dhe mirëmbajtjes së dobët, si pasojë e mungesës së fondeve në sektorin iranian të trashëgimisë kulturore. Ekspertët paralajmërojnë se dëmtimet mund të bëhen të pakthyeshme nëse nuk merren masa urgjente mbrojtëse.

Persepolisi u themelua nga Dariu I rreth vitit 518 para erës sonë si kryeqytet ceremonial i Perandorisë Ahemenide. Qyteti u ndërtua rrëzë Malit të Mëshirës (Kuh-e Rahmat) dhe përfaqësonte një mrekulli arkitekturore të kohës së vet.

U ngritën pallate, shkallë monumentale dhe salla si Apadana dhe Salla e Njëqind Shtyllave, muret e të cilave janë të mbuluara me relieve që paraqesin popujt që i sillnin haraç mbretit persian.

Persepolisi ishte më shumë se kryeqytet – ai ishte simbol i perandorisë, i fuqisë politike dhe i shprehjes artistike të një prej civilizimeve më të mëdha të botës antike. Sot, megjithatë, trashëgimia e tij varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të parandaluar me kohë kërcënimet natyrore dhe njerëzore.