Kulturë

Mozaiku i Bazilikës së Linit – atraksion që kthen kohën në shekullin VI

Mozaiku

Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI, sipas përshkrimeve, “është një dëshmi e vyer e kulturës dhe historisë shqiptare”

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i Shqipërisë ka publikuar pamjet e zbulimit të mozaikut të Bazilikës Paleokristiane të Linit afër Pogradecit.

Hapja e mozaikut për vizitorët bëhet në kuadër të sezonit turistik. Mozaiku është një atraksion i veçantë për të gjithë ata që duan të përjetojnë nga afër trashëgiminë kulturore. Me këtë rast, IKTK-ja i ka ftuar të vizitojnë Bazilikën Paleokristiane të Linit, një monument i shekullit VI, i cili, sipas përshkrimeve, “është një dëshmi e vyer e kulturës dhe historisë shqiptare”.

Bazilika me sipërfaqe prej 158 metrash katrorë është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që ruan pothuajse të plotë planimetrinë dhe dyshemenë me mozaikë.

U zbulua për herë të parë në vitin 1967. Bazilika paleokristiane së bashku mozaikët i përkasin shekullit VI. Ndër të tjera në të dhënat theksohet se Bazilika ka pasur shtatë ambiente kryesore, të shtruara me mozaikë.

“Motivet e përdorura janë ato të skenave të ndryshme si ‘eukaristia’, motive me gërsheta, skena nga bota ujore, shpendë, lule të ndryshme, ku më interesantet janë lulet e lotusit, apo kryqi i thyer simbol i diellit”, shkruhet në shënimet për të, derisa përmenden edhe të tjera motive në këta mozaikë, si lepujt dhe bletët. 

Struktura e saj ishte e dekoruar me mozaikë shumëngjyrësh me motive floreale, gjeometrike dhe skena eukaristike, tipike të periudhës paleokristiane. Bazilika e Linit ka një strukturim trekëndësh, me naos, kapela anësore, baptister dhe atrium.  Gjithashtu përmbajtja e mbishkrimit me ekstrakte të psalmeve mbështet teorinë e një mundësie të një qendre pelegrinazhi. Gjetjet arkeologjike dhe të dhënat numizmatike mbështesin datimin e monumentit në shekullin V. Gjatë inkursioneve bullgare të shekullit IX kisha u dogj dhe u braktis.  Kisha plaeokristiane e Linit ndodhet në pjesën perëndimore të Kepit të Linit, duke pasur një pamje të gjerë mbi Liqenin e Ohrit dhe zonën përreth. Mozaikët polikromë dhe materiali i pasur arkeologjik e bëjnë Kishën një nga monumentet më të bukura dhe më interesante të Shqipërisë.

Mozaiku i Linit u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1973. Mozaiku u zbulua nga gërmimet në vitin 1969 që janë bërë në Lin të Pogradecit. Gërmimet treguan për një vendbanim ilir, që i përket Epokës së Hekurit dhe vijnë deri në Mesjetën e Hershme. Nga mozaikët e zbuluar në këtë vend bie në sy pasuria nga një dekor i larmishëm zoomorf, bimor e gjeometrik, me vlera të shquara artistike. Mozaikët nga ana artistike ngjajnë me stilin e një treve të gjerë ballkanike, që përfshinte qytete si Durrësi e Selaniku.