Kulturë

Dresniku i mozaikëve unikë në kapitullin e radhës me 2.5 milionë euro

Dresniku - projekti

Me projekt, lokaliteti arkeologjik i Dresnikut ka krejt elementet që e bëjnë atë një lloj muzeu të hapur

Këtu e 13 vjet më parë zbulimi i mozaikëve në Dresnik u bë sensacion botëror, prej atëherë ishte e ditur se ky lokalitet ka potencial dhe duhet të jetë i hapur për vizitorë, ndër vite vazhdoi të befasojë me gjetje e njëri prej hapave më me peshë deri më tash qe edhe shpronësimi. Tash janë hapur rrugët që ky lokalitet të hyjë në kapitullin e radhës: të shndërrohet në pikë turistike. Ministria e Kulturës ka hapur tenderin prej gati 2.5 milionë eurosh. Në projekt janë konkretizuar krejt elementet për zhvillimin e këtij lokaliteti që është nën mbrojtje të përhershme

Mozaikët shumëngjyrësh të Dresnikut prej zbulimit të tyre, para më shumë se një dekade më parë, janë parë si potencial i madh i prezantimit të vlerave arkeologjike. Projekti për hapjen e tyre për vizitorë synon që lokaliteti arkeologjik i shekujve të parë të erës sonë krejt afër Klinës të shndërrohet në alamet pike turistike e reprezentative për vendin. Në një interval kohor prej tre vjetësh, ky lokalitet pritet të marrë vëmendje të madhe. 

Ministria e Kulturës ka hapur tender me vlerë të parashikuar dy milionë e 479 mijë euro për të realizuar projektin e hartuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova). Bëhet fjalë për punimet rrethanore e infrastrukturore, ku përfshihet edhe mbuloja e mozaikëve unikë në këto anë. Pjesë tjetër është restaurimi i tyre që kërkon profesionalizëm të lartë.

“Konservimi dhe Zhvillimi i Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut –  Klinë” mban titullin thirrja publike për kompanitë që mund të synojnë ta zbatojnë projektin. 

Konstruksioni metalik pritet t’u bëjë strehë mozaikëve në mënyrë që të kenë mbrojtje nga kushtet atmosferike. Bëhet fjalë për mbetjet e pallatit kryesor të lokalitetit

Konstruksioni metalik pritet t’u bëjë strehë mozaikëve në mënyrë që të kenë mbrojtje nga kushtet atmosferike. Bëhet fjalë për mbetjet e pallatit kryesor të lokalitetit. Pjesët e tjera të kompleksit, që mendohet të ketë qenë vilë perandorake, do të jenë të hapura ndaj ambientit. Është ai që tashmë njihet si pallati i dytë bashkë me ndërtesën e tretë. Mbetjet e një pjese të murit rrethues e të kullës vrojtuese do të jenë në dispozicion të publikut po ashtu. Sipas projektit, ndërtesa multifunksionale do të ketë hapësira për stafin, një lloj galerie, një tip kafeneje e hapësira të tjera. Kurse amfiteatri i hapur do të shërbejë për aktivitete të ndryshme kulturore. Krejt kjo afër në hapësirë me gjelbërim e vendparkingje. Nëse projekti realizohet siç është paraparë, Dresniku shpejt do të shndërrohet në një atraksion më vete. 

Tenderi parasheh vetëm ndërtimin e strukturave të reja  

Arkitekti Nol Binakaj nga “CHwB Kosova”, që bashkë me udhëheqësin e gërmimeve në Dresnik, arkeologun e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala, kanë çuar përpara projektin, ka thënë se plani i ndërhyrjes bashkë me masterplanin janë finalizuar dhe implementimi është një lajm tejet i mirë. 

“Në bazë të propozimit tonë tenderi e parasheh vetëm ndërtimin e strukturave të reja. Qasja jonë ka qenë që të bëhet lokaliteti i vizitueshëm. Është paraparë ndërtim konvencional që bëhet në Kosovë nga operatorët ekonomikë në vend. Konservimin e strukturave ekzistuese dhe mozaikëve, sipas të gjitha gjasave, do ta bëjnë stafi i Institutit Arkeologjik të Kosovës”, ka thënë ai. Binakaj ka treguar se është projektuar çdo detaj në mënyrë që lokaliteti të jetë sa më i qasshëm për të gjithë vizitorët. Ideja ka qenë që edhe projekti për konservim profesional të mozaikëve dhe strukturave të tjera të financohet nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por pak para përfundimit të projektit “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut”, implementuesit janë njoftuar se financimi në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore është ndërprerë. Realisht qenë fondet e SHBA-së që kishin rikthyer vëmendjen te Dresniku i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut” midis Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Kulturës siguronte 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës kishte ndarë 51 mijë e 830 euro.

Projekti që nisi në shtatorin e vitit 2023 zgjati deri në qershorin e vitit 2025. “CHwB Kosova” dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës si partnerë kanë aplikuar edhe për projektin për konservimin e mozaikëve dhe strukturave. Por Binakaj ka treguar se ende s’kanë marrë përgjigje. 

Arkeologu që udhëheq gërmimet e hulumtimet shkencore në Dresnik, Elvisa Shala, të martën ka qenë i paqasshëm. Në mars të këtij viti ai kishte thënë se MKRS-ja prej fillimit ka treguar se do ta mbështesë këtë projekt deri në fund. 

“Problemi kryesor ka qenë shpronësimi dhe ai është bërë. Tash kemi një projekt shumë të mirë e të detajuar”, kishte thënë Shala. Sipas tij, kuadrot vendore mjaftojnë për të realizuar konservimin e mozaikëve dhe strukturave. 

Nëse projekti realizohet siç është paraparë, Dresniku shpejt do të shndërrohet në një atraksion më vete

Lokaliteti i shekujve të parë të erës sonë që gjendet afër Klinës së voni është shpronësuar, gjë që u ka hapur rrugë edhe më shumë investimeve. Sipas hapave që janë ndërmarrë deri më tani, pritet që kjo hapësirë të jetë prej më tërheqëseve sa i përket trashëgimisë kulturore.

Vendimi i Qeverisë për shpronësim ishte parë tejet i rëndësishëm për lokalitetin arkeologjik, i cili që prej vitit 2016 është futur në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por, shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire.

“Është hapi më i rëndësishëm deri më tash në arkeologji”, kishte thënë Shala për shpronësimin e 7.8 hektarëve.

Procesi i shpronësimit të lokalitetit kishte nisur një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila riktheu vëmendjen te Dresniku. Marrëveshja qe nënshkruar më 26 shtator të vitit 2023, kurse në Qeveri vendimi që i ka hapur rrugë shpronësimit qe votuar në ditën e 27-të të atij muaji.

Sipas projektit, ndërtesa, multifunksionale do të ketë hapësira për stafin, një lloj galerie, një tip kafeneje e hapësira të tjera. Kurse amfiteatri i hapur do të shërbejë për aktivitete të ndryshme kulturore. Krejt kjo afër në hapësirë me gjelbërim e vendparkingje
 

Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtateshin ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.

“Kjo lloj Aule mund t’u përkasë vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë së objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3.7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilin u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi”, shkruhet në përshkrim. Po ashtu janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekujve III dhe IV, si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri.