Qyteti antik Laodicea në Turqinë e sotme, ka nxjerrë një artefakt të jashtëzakonshëm: shtatoren dy metra të lartë që paraqet hyjneshën Athina. Skulptura dy mijë vjet e vjetër, u gjet në teatrin perëndimor të qytetit, ku qëndronte mes rrënojave, e shtrirë me fytyrë poshtë. Mënyra se si është realizuar, dëshmon mjeshtërinë e lartë të skulptorit antik
Arkeologët, duke hulumtuar qytetin antik Laodicea në perëndim të Turqisë, kanë zbuluar një statujë monumentale prej mermeri të hyjneshës Athina, rreth dy mijë vjet të vjetër, me parzmoren e figurës mitologjike, Meduza.
Skulptura rreth dy metra e lartë, u gjet në teatrin perëndimor të qytetit, ku qëndronte mes rrënojave, e shtrirë me fytyrë poshtë. Edhe pse i mungojnë koka dhe pjesë të duarve, segmentet e ruajtura tregojnë qartë një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe nivel të lartë gdhendjeje. Statuja është punuar nga mermer i bardhë dhe paraqet Athinën me një tunikë të gjatë, një veshje karakteristike pa mëngë, e fiksuar në supe, tipike për gratë. Pëlhura është modeluar me shumë kujdes dhe palat ndryshojnë në thellësi dhe gjerësi, duke krijuar përshtypjen e një rënieje natyrale të materialit dhe duke dëshmuar mjeshtërinë e lartë të skulptorit antik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMbi supe është hedhur një mantel i fiksuar me një fibulë në qafë, që përbën një variant relativisht të rrallë ikonografik për paraqitjet e kësaj hyjneshe.
Veçmas bie në sy parzmorja – egida. Ajo është e zbukuruar me motive në formë luspe dhe e rrethuar me forma gjarpërore. Në qendër gjendet paraqitja e kokës së prerë të Meduza Gorgone. Bëhet fjalë për një simbol mbrojtës që, sipas besimit, kishte funksion apotropeik, largues të së keqes. Një detaj interesant është pala diagonale ose shiriti mbi egidë, shumë i rrallë në paraqitjet e njohura të Athinës dhe që mund të tregojë një interpretim artistik lokal ose një punishte specifike.

Karakteristikat stilistike e vendosin këtë vepër në periudhën e sundimit të Perandorit August (27 para erës sonë – 14 të erës sonë), kur ndodh një ringjallje e formave klasike artistike brenda ideologjisë romake. Një dëshmi shtesë për funksionin e skulpturës është pjesa e pasme e saj, e cila është lënë e punuar në mënyrë më të ashpër, duke sugjeruar se ajo ishte vendosur midis shtyllave, si pjesë e skenografisë së teatrit.
Teatri në Laodicea, i ndërtuar në periudhën helenistike, ishte i dekoruar dhe pasur me skulptura të hyjnive, sundimtarëve dhe skena nga Odiseja, përfshirë takimet me Polifemin, Lestrigonët dhe Skilën. Këto paraqitje tregojnë se hapësira kishte jo vetëm funksion performativ, por edhe narrativ dhe edukativ, duke shërbyer si një medium vizual për shpalosjen e tregimeve mitologjike.
Qyteti u themelua nga sundimtari Antiohu II Teos në shekullin III para erës sonë, duke e emërtuar sipas bashkëshortes së tij, Laodicea. Gjatë periudhës romake, Laodicea u bë një qendër e rëndësishme tregtare dhe kulturore në provincën e Azisë, e njohur veçmas për prodhimin e tekstileve. Pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe kulti i Athinës, jo vetëm si hyjneshë e luftës dhe e urtësisë, por edhe si mbrojtëse e thurjes dhe e zanateve.
Zbulimi më i fundit është pjesë e kërkimeve intensive arkeologjike të kryera gjatë viteve 2024 dhe 2025, gjatë të cilave janë gjetur një numër i madh skulpturash të lidhura me epet homerike. Punimet për restaurimin e teatrit perëndimor do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2026, me qëllim ruajtjen dhe interpretimin më të mirë të këtij lokaliteti jashtëzakonisht të rëndësishëm.