Në zemër të Qendrës Historike të Pulës së Kroacisë, për shekuj me radhë ka qenë e fshehur një statujë unike që paraqet Kupidon. Zbulimi i një skulpture kaq mirë të ruajtur është jashtëzakonisht i rrallë. Arkeologia Aleksandra Paiq, e cila e bëri zbulimin, ka theksuar se “një gjetje e tillë ndodh vetëm një herë në jetë”. Skulpturat e ngjashme të “Kupidos së fjetur” ishin një motiv i zakonshëm në artin romak
Arkeologët në Pulë kanë zbuluar një skulpturë jashtëzakonisht të rrallë dhe të ruajtur mirë të “Kupidos së fjetur”, të punuar nga mermeri i bardhë gati dy mijë vjet e vjetër. Kjo statujë elegante, e gjatë 98 centimetra, e gjerë 44 centimetra dhe e lartë 30 centimetra, daton nga shekulli II. Paraqet një djalë me krahë – Kupidon, perëndinë romake të dashurisë – i cili fle qetësisht mbi lëkurën e një luani, me kokën të mbështetur mbi kokën e luanit. Pranë tij paraqitet edhe një hardhucë e vogël, simbol i ringjalljes dhe i jetës së re.
Sipas interpretimit mitologjik, lëkura e luanit përfaqëson lëkurën e Nemeas që i përkiste Herkulit, të cilën, sipas legjendës, Kupidoni e kishte vjedhur. Ky motiv përdoret shpesh në art si alegori e fitores së dëshirës mbi forcën.
Statuja u zbulua javën e kaluar në rrugën “Kastropola”, në zemër të qendrës historike të Pulës, gjatë gërmimeve të një dhome luksoze të një shtëpie romake (domus). Dhomës i ishte shembur tavani që në lashtësi, por arkeologët, në shtresën e shembjes, zbuluan fragmente të shumta mermeri dhe mbetje të afreskeve murale e në tavan të pikturuara me ngjyra të gjalla polikrome. Funksioni i saktë i dhomës ende po studiohet.
Zbulimi i një skulpture kaq mirë të ruajtur është jashtëzakonisht i rrallë. Arkeologia Aleksandra Paiq, e cila e bëri zbulimin, ka theksuar se “një gjetje e tillë ndodh vetëm një herë në jetë”.
Skulpturat e ngjashme të “Kupidos së fjetur” ishin një motiv i zakonshëm në artin romak. Ato vendoseshin në kopshte, në shatërvanë, por edhe në monumente varresh, sidomos në ato të fëmijëve. Deri më sot njihen rreth 200 paraqitje të tilla prej mermeri, nga të cilat vetëm 25 përfshijnë motivin e hardhucës.
Megjithëse statuja ka pësuar disa dëmtime të vogla – një krah i thyer dhe një çarje në bazë – gjendja e saj konsiderohet e jashtëzakonshme. Sipërfaqja e mermerit është pjesërisht e nxirë, që tregon se pjesa e domusit ka qenë e prekur nga një zjarr.
Skulptura aktualisht po pastrohet me laserë, po dokumentohet dhe po konservohet dhe pas restaurimit do të bëhet pjesë e ekspozitës së përhershme të Muzeut Arkeologjik të Istrës, ku vizitorët do të mund ta shohin nga afër këtë vepër unike të skulpturës romake.