(ArtNet.com) – Arkeologët në portin e fundosur të Aleksandrisë antike në Egjipt kanë zbuluar një tip deri më tani të panjohur të një anijeje luksoze egjiptiane nga shekulli I i erës sonë, e cila ishte përshkruar nga autorët antikë, por që nuk ishte gjetur deri më tani. Arkeologët nënujorë që po hulumtojnë peizazhin antik të fundosur të Aleksandrisë kanë zbuluar anijen për të cilën dihej vetëm nga tekstet dhe arti antik – thalamagosi egjiptian. Bëhet fjalë për një anije luksoze të përdorur për argëtim, ceremoni dhe rite fetare. Anija u zbulua pranë ishullit të fundosur Antirhodos, në portin e madh të dikurshëm të Aleksandrisë antike, Portus Magnus.
Ky tip anijeje është përshkruar nga gjeografi grek Straboni, i cili qëndroi në Aleksandri midis viteve 29 dhe 25 p.e.s. Shkrimet e tij flasin për mjete lundruese të rafinuara të destinuara për shëtitje oborrtare, ceremoni dhe tubime nate me muzikë, vallëzim dhe argëtime luksoze.

Ekipi i Institutit Evropian për Arkeologji Nënujore (IEASM), i udhëhequr nga Frank Goddio, ka gjetur mbetjet anijes rreth 35 metra të gjatë dhe rreth 7 metra të gjerë, ndërtimi i së cilës tregon qartë ekzistencën e një pavijoni qendror dhe një kabine të pasur të dekoruar. Sipas elementeve prej druri të ruajtura mirë, anija vihej në lëvizje nga më shumë se njëzet vozitës.
Anija luksoze ishte projektuar posaçërisht për ujëra të qeta dhe të cekëta. Ajo kishte fund të sheshtë, një kiç të mprehtë dhe një pjesë të pasme të rrumbullakosur. Ky dizajn e bënte të papërshtatshme për det të hapur, por ideale për kanale dhe laguna bregdetare që lidhnin Aleksandrinë me rrethinat.
Relieve greke të gdhendura në mbajtësen qendrore të trupit të anijes e datojnë atë në gjysmën e parë të shekullit I dhe tregojnë se është ndërtuar në Aleksandri. Përmasat dhe forma kujtojnë anijet e paraqitura në mozaikun e Palestrinës, por anija e sapozbuluar është dukshëm më e madhe.
Rikthimi i kontekstit të anijes në hapësirën e Aleksandrisë së fundosur ka sjellë edhe skenarë të mundshëm për fundin e saj. Fati i anijes mund të ketë qenë i lidhur me tërmetet katastrofike dhe valët që rreth vitit 50 shkatërruan bregdetin, rrëzuan tempuj dhe pallate dhe tërhoqën nën ujë pjesë të tëra të qytetit.
Anija u zbulua më pak se 50 metra larg tempullit të perëndeshës Izidë, rrënojat e të cilit po i studion i njëjti ekip. Ekziston edhe një interpretim tjetër, sipas të cilit anija mund të ketë pasur funksion sakral dhe të ketë qenë pjesë e ceremonisë vjetore navigium Isidis, një procesion në të cilin një anije e stolisur në mënyrë madhështore lidhej simbolikisht me udhëtimin diellor të perëndeshës.
Mbetjet e anijes, në përputhje me udhëzimet e UNESCO-s, do të mbeten në fundin e detit. Hulumtimet do të vazhdojnë.
Marrë nga artnet.com
Përktheu: KOHA