Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Nga errësira në dritë” me traditën e të kaluarën si vizion

Ganimete Pashoja-Myftiu

Ganimete Pashoja-Myftiu (e dyta nga e majta) ka sjellë “Nga errësira në dritë”, një triptik ku përshkrimi e të dhënat studimore plotësojnë njëra-tjetrën. “Shkruaj që të arsimohesh emocionalisht, të pranosh të vërtetën dhe të çlirohesh, shkruaj që të tundesh nga themelet një kulturë...”, ka cituar Pashoja-Myftiu në përurimin e librit të saj

Vepra me të cilën Ganimete Pashoja-Myftiu i kthehet së kaluarës e prej aty sheh të ardhmen, prek shpirtin e një populli, vjen si thirrje vetëdijeje për kujtesën. Autorja ka thënë se shkrimi është nevojë për çlirim e këtë e bën duke prekur themelet e një kulture. “Nga errësira në dritë” rihap Kanunin e Lekë Dukagjinit, sjell një perspektivë të re për të, ndalet te lufta, refugjatët, ndjesia e tyre, për të dalë te shpresa. Tradita nuk lexohet si nostalgji por si vizon

Është një vepër e ndarë të tri pjesë nëpërmjet të cilave autorja gërmon në traditë, kulturë shqiptare, në botën e brendshme identitare për të shkuar te qëndresa e shpresa. Ganimete Pashoja-Myftiu, studiuese e autore e njohur, ka sjellë “Nga errësira në dritë”. Vepra vjen si një triptik ku përshkrimi e të dhënat studimore plotësojnë njëra-tjetrën. Ajo hap Kanunin e Lekë Dukagjinit duke shtjelluar nderin e përgjegjësinë për të vazhduar me kujtimet e fëmijërisë e realitetin e luftës në Kosovë. Shpresa është gjithnjë prezente ashtu siç tregon edhe vetë titulli. 

Libri i Pashoja-Myftiut merr në konsideratë të drejtën zakonore, rregullat që funksiononin si një shtet paralel ku përgjegjësia mbi të gjitha ishte ndjenjë. Ajo ndalet te lufta, refugjatët, ndjesia e tyre, për të dalë te shpresa. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Panelistet e pranishme në ceremoninë e promovimit të librit në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë të martën pasdite, kanë vlerësuar se vepra e re e autores plotëson edhe më mozaikun krijues të saj. 

“Ky nuk është thjesht një libër mbi historinë shqiptare as vetëm një rrëfim kujtimesh personale. Është një rrëfim i thellë në shpirtin e një kombi që ka ecur nëpër shekuj duke mbajtur peshën e kujtesës mbi supe pa e humbur drejtimin e vet të brendshëm. Është një libër që nuk i drejtohet vetëm mendjes që mat, gjykon e kategorizon por i drejtohet vetëdijes që kujton”, ka thënë Rreze Xhaferi. Sipas saj, në pjesën e parë libri e kthen lexuesin te Kanuni i Lekë Dukagjinit por jo për ta parë Kanunin si një ligj të vjetër e të ngrirë në kohë por këtu Kanuni shfaqet si një forcë e brendshme ku fjala bëhet vibrim, besa nuk është vetëm një rregull por një kontratë shpirtërore me universin. 

“Kuptojmë një të vërtetë të madhe se një popull mund të jetojë me një shtet por nuk mund të jetojë pa një kod të brendshëm që e lidh nderin e përgjegjësinë sidomos me të vërtetën”, ka thënë ajo. Sipas Xhaferit, me po aq forcë libri çmonton edhe mitin e Kanunit si thjesht një sistem hakmarrjeje dhe nxjerr në pah parimet e tij më të thella: barazinë morale të personit, peshën absolute të fjalës së dhënë dhe bindjen se nderi është i pandashëm nga vetë jeta. 

“Libri nuk jep thjesht përgjigje por të kthen te pyetjet e duhura, te pyetjet që secili duhet t’ia bëjë vetes: Kush jemi ne përtej këtyre roleve, përtej frikërave që i kemi marrë nga familja e shoqëria, kush jemi ne kur pushojmë së kërkuari miratimin e botës”, ka thënë Xhaferi. 

“Në tërësi, ‘Nga errësira në dritë” ndërton një urë simbolike nga errësira drejt dritës, duke e bërë këtë vepër një përvojë të fuqishme letrare dhe emocionale”
 

Vjosa Mulliqi-Kotori e ka përshkruar autoren Pashoja-Myftiu si person që gjithmonë ka pasur mendim kritik, ka qenë kërkuese e thellë për jetën, ekzistencën e njeriun. Po ashtu e ka përshkruar si person që shquhet për aftësi shumë të mira të dëgjimit të të tjerëve. 

“Koncepti i refugjatit në librin ‘Nga errësira në dritë’ merr dimension tjetër, nga dimensioni politik kalohet në dimensionin ekzistencial. Prandaj lirshëm mund të them se një libër i tillë që i drejtohet refugjatit nuk është vetëm për popullin shqiptar por këtu mund të hyjë edhe çdo popull tjetër në këtë kontekst”, ka thënë ajo. Sipas Mulliqi-Kotorit, vetë titulli dërgon mesazhin e shpresës dhe se autorja në këtë vepër nuk ndalet kurrë te tragjedia por gjithmonë e dërgon lexuesin drejt dritës. 

“Kontributi i librit qëndron në aftësinë për ta lexuar traditën jo si nostalgji por si vizon, jo si mbyllje ndaj botës por hapje ndaj saj, jo si krenari e zbrazët por përgjegjësi për të kontribuar në trashëgiminë e përbashkët të popullit tonë”, ka thënë ajo. 

Vetë autorja Ganimete Pashoja-Myftiu ka marrë disa shembuj nga përvoja e saj me personalitete shkencore amerikane duke iu përgjigjur pyetjeve për librin. Ka treguar se si në botë veprat e tilla shërbejnë për studime e vrojtime përtej përditshmërisë. Po ashtu ka treguar qartazi se përse shkruan. 

“Unë kam menduar shumë për këtë pyetje se përse e kam këtë impuls të lartë për të shkruar dhe më pëlqen më së shumti se çfarë thotë një poete amerikane për shkrimin: ‘Mos shkruaj për t’u pëlqyer, mos shkruaj të të japin të drejtë, mos shkruaj të të kuptojnë. Shkruaj që të arsimohesh emocionalisht, të pranosh të vërtetën dhe të çlirohesh, shkruaj që të tundesh nga themelet një kulturë...’”, ka thënë ajo. Si autore edhe e veprave të tjera si “Refugjatë nën qiellin e ri”, “Rilindja”, e “78 thënie”, Pashoja-Myftiu është një prej autoreve më aktive në vend. 

Vepra e saj e re vlerësohet si triptik letrar që ndërtohet mbi tri shtylla tematike të ndërlidhura organikisht. Në sqarimet që jepen për “Nga errësira në dritë” shkruhet se pjesa e parë ndalet te vlerat jomateriale të kulturës shqiptare, të mishëruara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke vënë në pah parime si nderi, besa dhe mikpritja si themel i identitetit kolektiv dhe këto vlera trajtohen si një dritë udhërrëfyese që ka ruajtur shpirtin shqiptar ndër shekuj.

“Në pjesën e dytë, autorja zhvendos fokusin drejt botës së brendshme, duke eksploruar identitetin përmes kujtimeve të fëmijërisë dhe reflektimeve intime. Rrëfimi i ndjeshëm fton lexuesin të rikthehet në rrënjët e veta dhe të kuptojë ndikimin e së kaluarës në formësimin personal”, shkruhet në përshkrimin për librin. Përderisa në pjesën e tretë përmblidhen tregime të shkurtra që pasqyrojnë realitetin e luftës, duke sjellë në pah plagët, humbjet, por edhe qëndresën dhe shpresën njerëzore.
“Në tërësi, ‘Nga errësira në dritë” ndërton një urë simbolike nga errësira drejt dritës, duke e bërë këtë vepër një përvojë të fuqishme letrare dhe emocionale”, shkruhet në përshkrim.