Kulturë

“Masakra ndodhi në Korçë” dhe “Palltoja e të munguarit” si britmë lufte

IBrahim Kadriu

Ibrahim Kadriu, që ka një opus të gjerë të krijimtarisë letrare me mbi 40 vepra, në romanin “Masakra ndodhi në Korçë” është mbështetur në të dhëna historike dhe arkivore për ngjarje të caktuara të ndodhura në ambientet shqiptare. Konkretisht bëhet fjalë për ngjarje të rënda në Korçën e vitit 1914, për një vit të mbrapshtë për banorët e asaj ane, të cilët janë përballur me dhunën e ashpër të andartëve grekë mbi popullatën shqiptare të Korçës dhe rrethinës (Foto: Driton Paçarada)

Letërsia që trajton dhunën në kohë lufte shpesh shërben si kujtesë e gjallë dhe si mjet për të mos harruar. Në rastin e romaneve “Masakra ndodhi në Korçë” të Ibrahim Kadriut dhe “Palltoja e të munguarit” të Albina Idrizit, dhuna nuk është vetëm fakt historik apo përjetim personal – ajo bëhet simbol i qëndresës. Të dyja këto vepra që i sjell Botimet KOHA, të përuruara të enjten në ditën e dytë të Panairit të Librit – janë britmë lufte. Ngjarjet kanë gati një shekull në mes. Kadriu dhe Idrizi, secili në mënyrën e vet, e kanë ndriçuar dimensionin njerëzor të tragjedive kolektive, duke u dhënë zë atyre që janë heshtur nga historia apo mungojnë fizikisht

Janë rrëfime krejt të ndryshme, si në kohë, njashtu edhe në stile, por i lidh lufta, dhuna e saj. Romani “Masakra ndodhi në Korçë” i shkrimtarit Ibrahim Kadriu është një histori letrare për konvertimet e dhunshme fetare të shqiptarëve në Korçë dhe për dhunën e grekëve ndaj shqiptarëve. E, “Palltoja e të munguarit” i autores Albina Idrizi ka për temë qendrore luftën e Kosovës.

Këta dy tituj të rinj të Botimeve KOHA janë promovuar të enjten në ditën e dytë të Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë. Në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, autorët Kadriu dhe Idrizi tok me recensentë e studiues kanë shpalosur tematikat dhe motivet e romaneve.

Të dyja romanet, ndonëse trajtojnë periudha dhe kontekste të ndryshme historike, ndajnë një qasje të përbashkët ndaj traumës së luftës dhe pasojave të saj tek individi dhe shoqëria.

Kadriu, njëri prej shkrimtarëve më produktiv të Kosovës,  përqendrohet në një segment të errët të historisë shqiptare në fillimshekullin e 20-të, ndërsa Albina Idrizi sjell në vëmendje një përvojë më të afërt dhe ende të pazbutur emocionalisht – luftën e Kosovës. Në këtë mënyrë, promovimi i këtyre veprave krijon një vijë lidhëse ndërmjet përjetimeve të dhimbshme që shqiptarët i kanë kaluar në kohë të ndryshme, duke dëshmuar se dhuna, në çfarëdo forme e në çdo kohë që ndodh, lë gjurmë të thella në letërsi dhe në kujtesë kolektive.

1914-a tragjike për shqiptarët e Korçës

Ibrahim Kadriu, që ka një opus të gjerë të krijimtarisë letrare me mbi 40 vepra, në romanin “Masakra ndodhi në Korçë” është mbështetur në të dhëna historike dhe arkivore për ngjarje të caktuara të ndodhura në ambientet shqiptare. Konkretisht bëhet fjalë për ngjarje të rënda në Korçën e vitit 1914, për një vit të mbrapshtë për banorët e asaj ane, të cilët janë përballur me dhunën e ashpër të andartëve grekë mbi popullatën shqiptare të Korçës dhe rrethinës.

Të dyja promovimet i ka udhëhequr gazetari Shaban Maxharraj e në të parin kanë qenë të pranishëm, përveç autorit, edhe recensenti i librit, Xhevat Syla, dhe shkrimtari e përkthyesi, Elvi Sidheri. Shkrimtari Kadriu ka treguar se sikurse në romanet e tij të mëhershme, edhe tash vjen me temë historike.

“Në këtë roman, si edhe në romanet e tjera, kam huazuar tema historike, të cilat më bëjnë mjaft përshtypje dhe u përkushtoj kohë, domethënë edhe ky roman mbështetet në fotografinë historike, ndonëse është larg Kosovës, por tematika është e tillë, njësoj siç ka ndodhur në Kosovë në vitet 1912, ’13, ’14, e tutje”, ka thënë autori Kadriu gjatë promovimit.

Si për të bërë një krahasim mes krimeve të grekëve në Korçë dhe atyre të serbëve në Kosovë, ai ka shpalosur detaje se si kanë hyrë andartët grekë në territoret e Shqipërisë jugore.

“Në Korçë ka ndodhur përndjekja në një masë më të madhe sesa në Kosovë, shtypje e madhe dhe agresivitet i andartëve grekë, të cilët kanë ardhur me maska, të organizuar nga shteti i Greqisë. Më ka bërë përshtypje që Miss Durham thotë se me qindra vjet të kalojnë, nuk do të ndodhë që grekët të kërkojnë falje për dhunën e tyre ndaj shqiptarëve”, ka shtuar ai më tutje.

Recensenti i librit të Kadriut, shkrimtari Xhevat Syla, ka thënë se në librin e tij ka ngjarje të shtypjes e të dhunës, përveç ndaj njerëzve të zakonshëm, edhe ndaj autoriteteve.

“Në romanin e tij më të ri, ‘Masakra ndodhi në Korçë’ me një dinamikë ngjarjesh që ndodhin në atmosferën e zymtë korçare defilojnë emra të zakonshëm, por edhe emra autoritetesh, ndaj të cilëve nuk ka kurrfarë mëshire”, ka thënë Syla.

Sipas tij, ndër kërkesat më të theksuara të andartëve ka qenë konvertimi i dhunshëm fetar, si dhe zhdukja ose largimi i të pabindurve.

“Vrasjet më barbare qenë kryer në atë kohë ndaj shqiptarëve, të cilët nuk u bindeshin kërkesave të tyre. Kërkesa kryesore ishte që shqiptarët e ritit ortodoks të quheshin grekë, kurse shqiptarët myslimanë të vriteshin ose të largoheshin me dhunë drejt Turqisë”, ka thënë recensenti Syla.

Përkthyesi Elvi Sidheri, që është nga Korça, pikërisht vendi për të cilin bëhet fjalë në roman, ka thënë se për të është një ndjesi e veçantë të ketë në duar një vepër kushtuar vendit të tij të lindjes.

“Të lexoj sot një roman kushtuar Korçës, banorëve të saj, e sidomos një periudhe historike kyç për Korçën, për Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi është një ndjesi më tepër se e veçantë. Në faqet e këtij libri kaq të vyer, fryt i mendjes gjithnjë, pa dyshim pjellore të shkrimtarit të njohur nga Kosova, Ibrahim Kadriu, me të cilin kam nderin të jem mik, pavarësisht dallimit tonë të theksuar në moshë”, ka thënë Sidheri.

Romani “Palltoja e të munguarit” i Albina Idrizit ka të bëjë me temën e luftës, një prozë realiste, por me një qasje origjinale. Përmes një personazhi që nuk shfaqet asnjëherë, autorja e ndërton një lloj miti përmes palltos së tij (Foto: Driton Paçarada)

Lufta e madhe përmes fatit të njerëzve të vegjël

Albina Idrizi është shkrimtare e cila në opusin e saj krijues ka 11 vepra në poezi dhe në prozë, e romani i saj i pestë “Palltoja e të munguarit” ka të bëjë me temën e luftës, një prozë realiste, por me një qasje origjinale. Përmes një personazhi që nuk shfaqet asnjëherë, autorja e ndërton një lloj miti përmes palltos së tij. Palltoja si objekt subjektivizohet dhe ky personazh bëhet kryepersonazh që krijon raporte sociale me anëtarët e familjes, dhe në të njëjtën kohë edhe me lexuesit. Aventura e palltos është ajo e njeriut që mungon.

Siç është thënë në përurim, kompozicioni i romanit është i realizuar përreth karaktereve që ndërkomunikojnë dhe shkëmbejnë tregimet e tyre në kohën e luftës së Kosovës. Si elementet jetësore, aty ka edhe elemente epike ku, sipas recensentes dhe lexueses së parë të romanit në dorëshkrim, Dije Demiri-Frangu, personazhet dashurohen dhe e jetojnë jetën e tyre. E, përmes kësaj, autorja ka dashur të tregojë se edhe në luftë ka jetë, se lufta pa jetë nuk ka kuptim, sepse lirinë dikush duhet ta gëzojë.

Për promovimin e romanit “Palltoja e të munguarit”, në panel, pos shkrimtares Dije Demiri-Frangu e autores, ka qenë dhe profesor Arsim Halili. Vetë autorja Albina Idrizi ka thënë se nga momenti i publikimit, romani i përket publikut.

“Siç duket, ky është momenti kur një autori i bëhet me dije se vepra e tij nuk është më vetëm e tij, apo është më së paku e tij, këtë që tani e pashë nën prizmin e profesoreshës Dije dhe profesorit Arsim. Profesoresha Dije është lexuesja e parë e dorëshkrimit të këtij romani dhe e falënderoj përzemërsisht, ndërsa Arsimin e desha këtu, sepse ai i qaset një vepre seriozisht dhe studimet e tij janë në përpjesëtim të zhdrejtë me modestinë që ka, pothuajse e pabesueshme për kohën që po e jetojmë”, ka thënë autorja Idrizi.

Për romanin e saj, Dije Demiri-Frangu ka thënë se autorja, përmes një familjeje të vogël e trajton temën e luftës në Kosovë.

“Albina, thjesht mënyrën e qasjes ndaj luftës e ka shumë specifike, këtu lufta është tema, është motivi, është kauza, por është interesant se këtë luftë të madhe, Albina e zhvillon përmes një familjeje të vogël, përmes fatit të njerëzve të vegjël, atyre që ishin pararoja të atdheut”, ka thënë Demiri-Frangu.

Me gjithë përvojën në prozë, autorja, sipas recensentes, ka bërë një mrekulli gjatë ndërthurjes së këtij romani, “që e mban lexuesin aktiv vazhdimisht”.

“Krejt kauzën ose monumentin e vet letrar shkon e ia ngarkon një palltoje, e cila e ka formën e një luftëtari, përveç këtyre, ka pjesë shumë poetike, e lë lexuesin aktiv, që ai t’i aktivizojë emocionet e veta, e as në emër të patriotizmit nuk flet”, ka shtuar profesoresha.

Arsim Halili, për përdorimin e rrobës brenda librit ka thënë se nuk ka qenë i rastësishëm. Përkundrazi, sipas tij, në letërsi është shumë i zakonshëm si simbolikë për të treguar gjendjen fizike e shpirtërore të personazheve.

“Ajo që duhet thënë është se nuk ka qenë rastësi përdorimi i simbolikës së rrobës, në këtë rast, mendoj se kjo gjë është e mirëmenduar nga shkrimtarja Idrizi, duke e ditur se simbolika e rrobave në letërsi është një mjet letrar shumë i përdorur për ta shprehur identitetin, statusin social, gjendjen shpirtërore ose ndryshimet e karakterit të personazheve”, ka thënë Arsim Halili.

Për botimin e krijimtarisë së dy shkrimtarëve është kujdesur Botimet KOHA, që këtë vit në Panair të Librit vjen me katër botime të reja dhe me mbi 150 tituj me zbritje.

Letërsia që trajton dhunën në kohë lufte shpesh shërben si kujtesë e gjallë dhe si mjet për të mos harruar. Në rastin e këtyre dy romaneve, dhuna nuk është vetëm fakt historik apo përjetim personal – ajo bëhet simbol i qëndresës, i humbjeve, por edhe i shpresës për drejtësi dhe kujtim. Kadriu dhe Idrizi, secili në mënyrën e vet, e kanë ndriçuar dimensionin njerëzor të tragjedive kolektive, duke u dhënë zë atyre që janë heshtur nga historia apo mungojnë fizikisht. Nëpërmjet rrëfimeve të tyre, lexuesi ftohet të rikthehet në kohë, ta ndiejë peshën e dhimbjes, por edhe ta kuptojë rëndësinë e rrëfimit si formë e mbijetesës kulturore dhe shpirtërore.

Panairi i 25-të i Librit në Prishtinë do të vazhdojë deri të dielën, duke ofruar edhe më shumë botime të reja, diskutime, promovime dhe takime me autorë të njohur e të rinj. Për vizitorët, kjo është një mundësi e rrallë për t’u lidhur më afër me fjalën e shkruar dhe për të parë nga afër gjallërinë e botës letrare shqipe. Ngjarje si kjo janë dëshmi se, me gjithë sfidat që mund të përjetojë leximi në kohën digjitale, libri vazhdon të mbetet një urë e fuqishme ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes.