Kulturë

Triumfi i “Shame and Money”, rinjohje e filmit të Kosovës në “Sundance”

“Për empatinë e tij të thellë për personazhet, në një moment vendimtar në të cilin ata po fillojnë jetën nga e para, Çmimi i Madh i Jurisë shkon për filmin ‘Shame and Money’”, ka qenë vlerësimi i Jurisë për filmin “Shame and Money”

“Për empatinë e tij të thellë për personazhet, në një moment vendimtar në të cilin ata po fillojnë jetën nga e para, Çmimi i Madh i Jurisë shkon për filmin ‘Shame and Money’”, ka qenë vlerësimi i Jurisë për filmin “Shame and Money”

Parandjenjat për sukses të “Shame and Money” qysh me premierë botërore, janë konfirmuar të premten. Filmi nën regji të Visar Morinës ka marrë Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit në Sundance. Është vlerësuar për fuqinë e rrëfimit dhe regjinë mjeshtërore. “Për portretizimin e tij të fuqishëm dhe unik të dinjitetit njerëzor, në Kosovën bashkëkohore, që gjen jehonë universale”, ka shkruar juria. Triumfi është rikthim i suksesshëm i kinematografisë së Kosovës në festivalin prestigjioz, një histori që nisi qysh më 2012. “Ky çmim nuk është i vlefshëm vetëm për ne, por për të gjithë komunitetin tonë kinematografik”, ka thënë për KOHËN aktori kryesor në këtë film, Astrit Kabashi

“Shame and Money” ka goditur me të parën. Filmi i Kosovës me skenar dhe regji të Visar Morinës ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sundance, duke marrë Çmimin e Madh të Jurisë, e me këtë rikonfirmohet suksesi i kinematografisë së Kosovës në ngjarjen madhore të filmit. Bashkëprodhimi me Gjermaninë, Slloveninë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Belgjikën, është çmuar për fuqinë e rrëfimin dhe regjinë mjeshtërore. Regjisori Morina, i cili skenarin e ka shkruar bashkë me Doruntina Bashën, ka qenë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të premten pasdite sipas orës lokale, në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Triumfi në mesin e dhjetë filmave në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition” të festivalit, i cili sivjet rrumbullakon edicionin e 42-të, është rinjohje e filmit të Kosovës, i cili nuk është i panjohur për të. As emri i Visar Morinës.

“Shame and Money” shpalos historinë e një familjeje kosovare e detyruar të shpërngulet nga fshati në kryeqytet, në kërkim të një vendi në shoqërinë kapitaliste.

“Për portretizimin e tij të fuqishëm dhe unik të dinjitetit njerëzor, në Kosovën bashkëkohore, që gjen jehonë universale. Një regjisor i ndjeshëm që e tërheq me mjeshtëri audiencën në vështirësitë e përditshme të një familjeje. Për empatinë e tij të thellë për personazhet, në një moment vendimtar në të cilin ata po fillojnë jetën nga e para, ‘Çmimi i Madh i Jurisë’ shkon për filmin ‘Shame and Money’”, ka qenë vlerësimi i Jurisë.

Shenjat për suksesin e tij ishin dhënë qysh në premierën botërore të filmit të dielën e kaluar, kur të pranishëm, pos regjisorit kishin qenë edhe një pjesë e ekipit nga Kosova, në mesin e të cilëve edhe aktori nga Kosova, Astrit Kabashi që luan rolin kryesor, aktoret Kumrije Hoxha e Fiona Gagica, bashkëskenaristja Doruntina Basha dhe bashkëproducenti Eshref Durmishi.

Kabashi: Çmim për të gjithë komunitetin kinematografik

Aktorin Astrit Kabashi, lajmi për triumfin e filmit në Sundance Film Festival, e ka gjetur në Kosovë. Ka thënë ta ketë parandier një sukses si ky qysh në premierë.

“Jam shumë i emocionuar për momentin. Por të them të vërtetën e kam ndier se do të fitojmë, sidomos pas reagimeve që i kemi marrë në festival”, ka thënë Kabashi, në një prononcim për KOHËN, të premten mbrëma.

“Gjithçka ka shkuar për mrekulli. Publiku amerikan besoj që është mrekulluar, edhe pse kisha frikë që për ta kinematografia evropiane është e ngadalshme, por ndodhi e kundërta”, i kishte thënë Kabashi KOHËS para pesë ditësh nga Utah i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, menjëherë pas premierës botërore.

Kabashi është Shabani, kryefamiljari tradicional e krenar, i cili duhet të përdorë kursimet e nënës së tij për të mbajtur familjen në këmbë. Në shpjegimin e tematikës shkruhet se krenaria e tij hijezohet vazhdimisht dhe se dinjiteti i tij rrëshqet.

“...Shabani i afrohet një skaji të padukshëm – duke shtruar pyetjen se më shumë mund të durojë”, shkruhet për filmin.

Roli i Kabashit e drejton rrëfimin drejt kryqëzimit të zgjedhjes midis krenarisë dhe mbijetesës. Është portretizim “i punuar mirë i njerëzve të zellshëm që përpiqen për një jetë të denjë duke lundruar në presione të pamëshirshme dhe paqëndrueshmëri kronike”. Fuqinë e filmit 130-minutësh e ka veçuar edhe juria në përbërje të skenaristes argjentinase, Ana Katz, regjisores koreano-amerikane, Yong Kim, dhe aktores kanadeze Tatiana Maslany.

Reagimin e jashtëzakonshëm të publikut e kishte konfirmuar edhe bashkeproducenti Eshref Durmishi. “Ka pasur ovacione nja pesë minuta pas premierës. Atmosfera ka qenë fantastike, salla ka qenë plot, ashtu sikurse edhe për shfaqjet e tjera vendet janë krejtësisht të rezervuara”, kishte thënë ai derisa kishte shtuar se të pranishmit kishin qëndruar edhe pas filmit duke bërë pyetje e duke vlerësuar filmin. Madje kishte pasur prej tyre që ishin prekur thellë.

“Ka pasur njerëz që kanë qarë dhe vërtet është pritur jashtëzakonisht mirë. Shpresojmë që filmi do të pritet edhe ditëve të tjera mirë dhe shpresojmë ta marrim edhe ndonjë çmim”, kishte thënë Durmishi të dielën. E premtja i ka konfirmuar pritjet.

E, për Astrit Kabashin ky nuk është vetëm sukses i ekipit.

“Ky çmim nuk është i vlefshëm vetëm për ne, por për të gjithë komunitetin tonë kinematografik”, ka thënë Kabashi.

Visar Morina të premten duke marrë Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit në Sundance

Arritje e jashtëzakonshme për skenën kulturore

I tillë është cilësuar edhe nga zyrtarë institucionalë, që kanë shpërthyer me urime fill pas lajmit për triumfin e “Shame and Money”. Në mesin e tyre edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Ky vit nisi edhe më mirë se mbarë për kinematografinë tonë. Filmi ‘Shame and Money’ (Shabani dhe Hatixhja) i regjisorit Visar Morina ka fituar Çmimin e madh të Jurisë, Seksioni Ndërkombëtar-Dramë (World Cinema Grand Jury Prize: Dramatic) në Sundance Film Festival. Ky është çmimi më prestigjioz për filmat ndërkombëtarë në festivalin më të njohur në botë për kinemanë e pavarur. Filmat ‘Babai’ dhe ‘Exil’ të Visar Morinës i kam parë. Mezi pres ta shoh edhe këtë të tretin. Urimet më të përzemërta ekipit realizues!”, ka shkruar ai.

Kasta e aktorëve përbëhet edhe nga Flonja Kodheli që luan si Hatixhja, gruaja e Shabanit, protagonist. Pos aktorëve Kumrije Hoxha e Fiona Gllavica, në një prej roleve qendrore është edhe Alban Ukaj. Në rolet e tjera luajnë: Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Eshref Durmishi e Besnik Krapi. Producentë janë: Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal. Bashkëproducentë të filmit janë: Eshref Durmishi, Besnik Krapi, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.

Arritje të madhe për kinematografinë dhe për të gjithë skenën kulturore e ka cilësuar ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Lajm i jashtëzakonshëm për kinematografinë e Kosovës. Filmi ‘Shame and Money’ i regjisorit Visar Morina ka fituar Çmimin Grand Jury Prize në Sundance Film Festival, një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në botë. Një arritje e madhe për kinematografinë dhe për të gjithë skenën tonë kulturore. Urime Visarit dhe të gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës, që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, ka shkruar.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka cilësuar “arritje të jashtëzakonshme ndërkombëtare”.

“Jemi krenarë të ndajmë me ju se filmi ‘Shame and Money’, me regji nga Visar Morina, është vlerësuar me Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit Sundance. Një film i fuqishëm dhe i pakompromis, ‘Shame and Money’ u dallua për rrëfimin e tij të guximshëm dhe thellësinë emocionale, duke fituar një nga çmimet më të larta të festivalit. Urime regjisorit dhe të gjithë ekipit për këtë arritje të jashtëzakonshme ndërkombëtare!”, ka shkruar QKK-ja në profilin zyrtar në rrjete sociale.

Rikthimi në Sundance

Producenti Fatmir Spahiu, teksa ka uruar kolegët e tij, i ka dhënë edhe një tjetër kuptim suksesit të “Shame and Money”.

“Edhe një herë, filmi ynë arrin atje ku plot zanate nuk shkojnë dot. I lumtur sa s’ka për këtë sukses, sidomos për faktin që rolin kryesor në film e luan miku im, aktori i jashtëzakonshëm, Astrit Kabashi. Urime Visar Morinës dhe krejt ekipit që ka dhënë kontribut që ky skenar i mrekullueshëm me u ba material i përjetshëm”, ka shkruar Spahiu.

Visar Morina me “Shame…” është rikthyer në Sundance. Në vitin 2020 ishte në garë zyrtare me filmin “Exil”. Edhe në kastën e këtij filmi janë Astrit Kabashi e Flonja Kodheli. Por jo vetëm kaq. Ai e “riktheu” në binarët e “Sundance...” filmin e Kosovës, i cili për herë të parë shënoi sukses atje më 2012. Tetë vjet para Morinës qe filmi “Kthimi” nën regji të Blerta Zeqirit, që fitoi Çmimin e jurisë për film të shkurtër. E pa u bërë dhjetë vjet prej debutimit të Kosovës në festivalin e njohur, “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit pati një shpërthim: mori plot tri çmime: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës. Një vit më pas, suksesin e rikonformoi filmi “Pa vend” i Samir Karahodës, që mori Çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër.

“Josephine”, fituese e dyfishtë në edicionin e sivjetmë

Në edicionin e sivjetmë “Josephine”, e cilësuar si dramë e fuqishme familjare, mori çmimet kryesore në Festivalin e Filmit në Sundance. Filmi i Beth de Araújo, “Josephine”, që trajton historinë e një vajze 8-vjeçare që dëshmon një sulm seksual. Me Channing Tatum dhe Gemma Chan në rolin e prindërve të vajzës u shndërrua në një nga filmat më të vlerësuar të festivalit që në ditët e para, pavarësisht tematikës së vështirë, e cila bazohet në përvojën personale të vetë regjisores në atë moshë. Vajza e vogël interpretohet nga aktorja e re Mason Reeves, të cilën de Araújo e zbuloi në një treg fermerësh në San Francisco. Fitoi “Çmimin e Madh të Jurisë për Dramë Amerikane”, dhe “Çmimin e Publikut”.

Regjisorët Janicza Bravo, Nisha Ganatra dhe Azazel Jacobs ishin anëtarët e jurisë për Garën e Dramës Amerikane. Ata vlerësuan filmin për “thellësinë dhe nuancat e tregimit”, si edhe për “realizimin delikat dhe elegant të një teme sfiduese”. Në mesin e filmave të nominuar në këtë garë ishte edhe, “Ha-chan, Shake Your Booty!” nga Josef Kubota Wladyka, i cili fitoi një Çmim Special për regji.

Çmimi i Madh i Jurisë për dokumentarin më të mirë amerikan ka marrë “Nuisance Bear”, i cili ndjek historinë e një ariu polar që përpiqet të mbijetojë në një botë njerëzore. Çmimi Ndërkombëtar për Dokumentar shkoi për filmin nga Serbia, “To Hold a Mountain”, një rrëfim për një nënë dhe vajzën e saj në malësitë e largëta të Malit të Zi, të cilat mbrojnë tokën e tyre nga shndërrimi në terren stërvitjeje ushtarake të NATO-s. Filmi skocez plot origjinalitet i Louis Paxtonit, “The Incomer”, që flet për dy vëllezër e motra në një ishull të largët, jeta e të cilëve tronditet kur mbërrin një zyrtar qeveritar i sikletshëm (Domhnall Gleeson) për t’i dëbuar, fitoi Çmimin e Inovatorit në seksionin “NEXT” të festivalit.

Filma të tjerë që kanë marrë çmime të publikut janë edhe dokumentarët “American Pachuco: The Legend of Luis Valdez”, për dramaturgun dhe skenaristin pionier, si dhe “One in a Million”, që ndjek rrugëtimin 10-vjeçar të një familjeje nga Siria në Gjermani, dhe më pas kthimin e saj.

Më herët, festivali ia dha çmimin Alfred P. Sloan për Filmin Artistik, i cili vlerëson filmat e shquar që trajtojnë shkencën ose teknologjinë, filmit “In the Blink of an Eye” të Andrew Stanton.

Filma me profil të lartë në Sundance, si “The Invite” i Olivia Wilde, horrori “Leviticus” dhe filmi me artisten Charli xcx, “The Moment”, nuk u shfaqën në kuadër të programit garues, dhe si rrjedhojë nuk ishin të kualifikuar për çmime nga juria apo publiku.

Çmimet e “Sundance” shpesh shërbejnë si një hap i madh drejt nominimeve dhe triumfeve në “Oscar”, siç ndodhi më parë me filmat “CODA” dhe “Summer of Soul”. Dokumentarët, më shumë se filmat narrativë, kanë një histori më të mirë suksesi drejt skenës së “Oscarit”. Tre nga fituesit e çmimeve speciale të vitit të kaluar janë nominuar këtë vit për dokumentarin më të mirë: “The Perfect Neighbor”, “Cutting Through Rocks” dhe “Mr. Nobody Against Putin”. Dy të tjerët ishin gjithashtu ndër filmat më të pëlqyer të festivalit: “Come See Me in the Good Light” dhe “The Alabama Solution”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sundance përfundon zyrtarisht të dielën.