Filmi “Shame and Money”, nën regji e me skenar të Visar Morinës, sot shfaqet premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në “Sundance”. Në njërin prej festivaleve më me nam të botës kinematografike, filmi me rrëfimin autentik nga Kosova është në garën zyrtare në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”, midis dhjetë konkurrentësh.
Rrëfimi qendror në film është ai i një familjeje nga Kosova, e cila pasi humbi jetesën në fshat detyrohet të zhvendoset në kryeqytet, aty nisin përballjet dhe zgjedhjet e vështira jetësore.
Aktori i mirënjohur Astrit Kabashi e luan rolin kryesor, atë të Shabanit. Sipas shpjegimit të tematikës, ai është kryefamiljari tradicional krenar, por të cilit i duhet të përdorë kursimet e nënës së tij për të mbajtur familjen në këmbë.
Kabashi, i cili gjendet në festivalin e kategorisë “A” që mbahet në “Sundance” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shprehur i sigurt që “ky film do të pritet mirë duke pasur parasysh punën e madhe që është bërë nga aktorët dhe Visari si regjisor”.
Në film luajnë edhe aktorët Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj në role kryesore. Në rolet e tjera luajnë: Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.
Morina e ka shkruar skenarin në bashkëpunim me skenaristen Doruntina Basha, ndërsa producentë janë: Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal me bashkëproducentë Eshref Durmishin, Besnik Krapin, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.
Bashkëproducenti i filmit, Eshref Durmishi, është prezent në festivalin që po zhvillohet nga 22 janari deri më 1 shkurt. Ai është shprehur kurioz për reagimet e publikut amerikan ndaj filmit me histori nga Kosova.
“Nuk e di çfarë të presim prej publikut, shpresojmë që do t’ju pëlqejë filmi. Jemi shumë kuriozë edhe ne si ekip që të shohim çfarë impakti dhe reagimesh do të ketë nga publiku amerikan. Po shpresoj dhe jam i bindur që premiera do të shkojë mirë, sepse Visari është një regjisor i jashtëzakonshëm. Unë e kam parë filmin dhe për mua është shumë i mirë, ka emocione të bukura dhe shumë njerëz munden me e gjetë veten te këto personazhe dhe në këtë ngjarje”, ka thënë Durmishi.
Sipas përshkrimit për filmin “Shame and Money”, rrëfimi shqiptar e vë në kryqëzim zgjedhjen midis krenarisë dhe mbijetesës.