”Shame and Money” e ka prerë shiritin e rrugëtimit të rrëfimit të tij. Filmi i gjatë artistik nën regji e me skenar të Visar Morinës ka ndezur ekranin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sundance, paraditen e së dielës sipas kohës lokale të atjeshme. “Gjithçka ka shkuar për mrekulli”, ka thënë aktori Astrit Kabashi. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe bashkëproducenti Eshref Durmishi. “Ka pasur njerëz që kanë qarë dhe vërtet është pritur jashtëzakonisht mirë. Shpresojmë që filmi do të pritet edhe ditëve të tjera mirë dhe shpresojmë ta marrim edhe ndonjë çmim”, ka thënë Durmishi. Bashkëprodhimi mes disa shtetesh shpalos një temë të ndjeshme nga Kosova
Me premierën botërore në njërin prej festivaleve më prestigjioze të botës kinematografike, ”Shame and Money” e ka prerë shiritin e rrugëtimit të rrëfimit të tij. Filmi i gjatë artistik nën regji e me skenar të Visar Morinës ka ndezur ekranin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sundance, paraditen e së dielës sipas kohës lokale të atjeshme, e në mbrëmje sipas orës evropiane. Ekipi i filmit i cili ka qenë prezent në shfaqje ka bërë me dije se filmi është pritur jashtëzakonisht mirë. Bota e kinematografisë kësaj radhe është mbledhur në Sundance për edicionin e 42-të të Festivalit me nam.
“Gjithçka ka shkuar për mrekulli”, ka thënë aktori Astrit Kabashi i cili luan rolin kryesor në film. Kabashi menjëherë pas premierës në Shtet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar ndjesë për mosmodesti ka thënë se filmi është pritur jashtëzakonisht mirë.
“Publiku amerikan besoj që është mrekulluar, edhe pse kisha frikë që për ta kinematografia evropiane është e ngadalshme, por ndodhi e kundërta”, i ka thënë “KOHËS” Kabashi nga Utah i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku filmi shpalosi për të parën herë rrëfimin para kinematografëve botërorë. Se filmi është pritur me reagime shumë të mira, këtë e kanë konfirmuar edhe anëtarë të tjerë të ekipit.
Bashkëproducenti i filmit, Eshref Durmishi, pas premierës ka thënë se pritja ishte e jashtëzakonshme.
“Ka pasur ovacione nja pesë minuta pas premierës. Atmosfera ka qenë fantastike, salla ka qenë plot, ashtu sikurse edhe për shfaqjet e tjera vendet janë krejtësisht të rezervuara”, ka thënë ai. Derisa ka përshkruar atmosferën, ka thënë se të pranishmit kanë qëndruar edhe pas filmit dhe kanë bërë pyetje duke treguar se e kanë pëlqyer shumë rrëfimin. Madje ka pasur prej tyre që janë prekur thellë.
“Ka pasur njerëz që kanë qarë dhe vërtet është pritur jashtëzakonisht mirë. Shpresojmë që filmi do të pritet edhe ditëve të tjera mirë dhe shpresojmë ta marrim edhe ndonjë çmim”, ka thënë Durmishi.
Në festivalin e kategorisë A, “Shame and Money” (Turp dhe para) do të ketë edhe një shfaqje sot (e hënën) si dhe më 29 janar në Park City të Utah, ndërsa më 31 janar në Salt Lake City.
Shfaqjet e filmave po zhvillohen në Park City dhe në Salt Lake City, dy pika turistike malore. Njihen si vende që strehojnë më shumë turistë sesa banorë.
Aktori Astrit Kabashi i cili në film e luan rolin kryesor, atë të Shabanit, ka thënë se prezantimi në këtë festival ka qenë i jashtëzakonshëm.
“Mendoj që ky prezantim është i jashtëzakonshëm për ne si ekip dhe për kinematografinë kosovare, sepse bëhet fjalë për një nga festivalet më prestigjioze në botën e filmit. Kjo është hera e dytë për Visar Morinën që prezantohet në këtë festival, së pari me filmin ‘Exil’ e tash me ‘Shame and Money’”, është shprehur ai duke e konsideruar të veçantë bashkëpunimin me regjisorin Visar Morina.
“Bashkëpunimi me Visarin gjithmonë është i veçantë për mua, është filmi i katër që punoj me të, dhe për mua është fat shumë i madh që kam pasur mundësi të punoj me të dhe uroj që këtë fat ta kenë edhe aktorët e tjerë shqiptarë, gjithashtu është fat i madh edhe për kinematografinë e Kosovës, sepse Visari i ka ndihmuar shumë kësaj kinematografie që të promovohet gjithandej nëpër botë”, ka thënë aktori Kabashi.
Filmi 130-minutësh ka për temë kryefamiljarin tradicional e krenar, Shabanin, i cili duhet të përdorë kursimet e nënës së tij për të mbajtur familjen në këmbë. Në shpjegimin e tematikës bëhet me dije se krenaria e tij mavijoset vazhdimisht dhe se dinjiteti i tij rrëshqet.
“...Shabani i afrohet një skaji të padukshëm – duke ngritur pyetjen se sa më shumë mund të durojë”, shkruhet aty midis tjerash.
Roli i Astrit Kabashit e drejton rrëfimin drejt kryqëzimit të zgjedhjes midis krenarisë dhe mbijetesës. Si portret “i punuar mirë i njerëzve të zellshëm që përpiqen për një jetë të denjë duke lundruar në presione të pamëshirshme dhe paqëndrueshmëri kronike” përshkruhet projekti filmik, bashkëprodhim midis Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës.
Rrëfimi qendror është në një familje nga Kosova, e cila pasi humbi jetesën në fshat, detyrohet të zhvendoset në kryeqytet. Aty nisin përballjet dhe zgjedhjet e vështira jetësore. Morina e ka shkruar skenarin në bashkëpunim me skenaristen Doruntina Basha, ndërsa producentë janë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal. Bashkëproducentë të filmit janë Eshref Durmishi, Besnik Krapi, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.
Durmishi ka thënë se prezantimi i tyre në “Sundance” po mirëpritet.
“Siç e dimë të gjithë ne, është një prej festivaleve më prestigjioze në botë dhe një çelës që i hap dyert për festivale të tjera që do të vijnë. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e garës kryesore dhe premierën botërore të filmit tonë ‘Shame and Money’ e mbajmë në Sundance”, është shprehur Durmishi për KOHËN derisa e ka përshkruar atmosferën në festival si tejet dinamike.
“Atmosfera në festival është e jashtëzakonshme, ka numër të madh të publikut dhe ky është një edicion special, për arsye se është i fundit mbahet në Park City dhe i parë që mbahet pa praninë fizike të njërit prej themeluesve të Festivalit, siç është Robert Redford”, ka thënë Durmishi para premierës.
Ky edicion i festivalit është i pari që po mbahet pa njërin prej themeluesve të festivalit, Robert Redford, i cili ndihmoi në transformimin e festivalit në arenë unike për regjisorët e pavarur dhe krijuesit nga komunitetet e margjinalizuara. Redford vdiq më 16 shtator të vitit të kaluar në moshën 89-vjeçare.
Në film, presioni financiar ndaj Shabanit si kryefamiljar shtohet përherë. Edhe pse nëna dhe kunati i tij ofrojnë ndihmë, pranimi i kësaj ndihme ia thyen atij krenarinë.
Nga ekipi i filmit, në premierë kanë qenë edhe aktoret Kumrije Hoxha e Fiona Gagica si dhe bashkëskenaristja e filmit, Doruntina Basha. Bashkëproducenti Eshref Durmishi, i cili ka edhe një rol në film, ka bërë me dije se atje janë edhe një pjesë e ekipit nga Gjermania duke qenë se projekti filmik është bashkëprodhim midis Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës.
Aktorja Flonja Kodheli luan si Hatixhja, gruaja e Shabanit. Në film, pos aktorëve Kumrije Hoxha e Fiona Gllavica , në një prej roleve qendrore është edhe Alban Ukaj. Në rolet e tjera luajnë Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi dhe Besnik Krapi.
Sipas përshkrimit të “Sundance”, regjisori Visar Morina i qaset kësaj historie komplekse me saktësi dhe besim të madh. Në ueb-faqen e tyre shkruhet se filmi “është një masterklasë në performanca të nuancuara, veçanërisht nga aktorët kryesorë. Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli, të cilët luajnë si Shabani dhe gruaja e tij, Hatixhja, me hir, ndjeshmëri dhe humanizëm të thellë”.
Filmi është në garën zyrtare të kategorisë “World Cinema Dramatic Competition”, midis dhjetë projekteve kinematografike në këtë kategori. Juria e kësaj kategorie përbëhet nga aktorja, skenaristja e regjisorja argjentinase Ana Katz, regjisorja koreano-amerikane Yong Kim dhe aktorja kanadeze Tatiana Maslany.
Në kuadër të festivalit do të jepen çmime në kategoritë e filmave narrativë dhe jofiktivë vendas dhe ndërkombëtarë, filmave të shkurtër si dhe ato të kategorisë “Next”, sikurse edhe Çmimi i Publikut. Ato ndahen më 30 janar në teatrin “The Ray”.
Regjisori Morina edhe në vitin 2020 ishte pjesë e garës zyrtare në “Sundance Film Festival” me filmin “Exil”. Edhe në kastën e këtij filmi bëjnë pjesë Astrit Kabashi e Flonja Kodheli. Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit.
Festivali prestigjioz konsiderohet si ekspozita kryesore në Amerikë për filma të pavarur narrativë dhe dokumentarë nga e gjithë bota. Në programin e këtij edicioni u bënë pjesë rreth njëqind filma. Reputacioni i tij në botën e kinematografisë është krijuar si rrjedhojë e përzgjedhjes së filmave për origjinalitet, rrëfime të fuqishëm e vizion autorial dhe jo për buxhete të mëdha të investuara në filma a për aktorë yje botërore në kaste, sipas vlerësimeve për festivalin.
Për këtë edicion, sipas të dhënave, festivali ka pranuar mbi 16 mijë aplikime për të qenë pjesë e programit. Nga ta, katër mijë e 255 kanë qenë filma të metrazhit të gjatë nga 164 vende.
Kinematografia e Kosovës ka histori në Festivalin me nam të kinematografisë botërore.
Më 2012 filmi “Kthimi” nën regji të Blerta Zeqirit fitoi Çmimin e jurisë për film të shkurtër, më pas në vitin 2021, filmi “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit pati marrë plot tri çmime: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës. Një vit më pas, filmi “Pa vend” i Samir Karahodës pati fituar Çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër.
“Sundance Film Festival” konsiderohet si “takimi përfundimtar i rrëfimtarëve origjinalë dhe audiencës që kërkon zëra të rinj dhe perspektiva të freskëta”. Në kuadër të ngjarjes organizohen edhe biseda me regjisorë, diskutime në panel dhe ngjarje të tjera. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, Festivali zhvendoset nga Utah ku është mbajtur që nga viti 1978, për në Boulder të Colorados.
E në lëvizje pritet të jetë edhe filmi “Shame and Money” duke e hapur dritaren e rrëfimit të tij në botën kinematografike që lidhet ngushtë me tradicionalitetin shqiptar.