Kulturë

“Shame and Money” i regjisorit kosovar Visar Morina triumfon në “Sundance”

“Shame and Money” i regjisorit kosovar Visar Morina triumfon në “Sundance”

Filmi i gjatë artistik nën regji e me skenar të Visar Morinës, “Shame and Money”, triumfon në Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Sundance”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, projekti filmik që është bashkëprodhim midis Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës, u shpërblye me “Grand Jury Prize”. Regjisori Morina ishte i pranishëm në skenë për ta pranuar çmimin.

Me premierën botërore në njërin prej festivaleve më prestigjioze të botës kinematografike, ”Shame and Money” e ka nisur me sukses rrugëtimin e rrëfimit të tij. Në qendër të tregimit është në një familje nga Kosova, e cila pasi humbi jetesën në fshat, detyrohet të zhvendoset në kryeqytet. Aty nisin përballjet dhe zgjedhjet e vështira jetësore. Morina e ka shkruar skenarin në bashkëpunim me skenaristen Doruntina Basha, ndërsa producentë janë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal. Bashkëproducentë të filmit janë Eshref Durmishi, Besnik Krapi, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens.

Visar Morina edhe në vitin 2020 ishte pjesë e garës zyrtare në “Sundance Film Festival” me filmin “Exil”.

Po ashtu, kinematografia e Kosovës ka histori në Festivalin me nam të kinematografisë botërore. Më 2012 filmi “Kthimi” nën regji të Blerta Zeqirit fitoi Çmimin e jurisë për film të shkurtër, më pas në vitin 2021, filmi “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit pati marrë plot tri çmime: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës. Një vit më pas, filmi “Pa vend” i Samir Karahodës pati fituar Çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër.