Kulturë

“Shame and Money” me krenarinë e mbijetesën drejt “Sundance”

Rrëfimi qendror është në një familje nga Kosova, e cila pasi humbi jetesën në fshat, detyrohet të zhvendoset në kryeqytet, aty nisin përballjet dhe zgjedhjet e vështira jetësore

Rrëfimi qendror është në një familje nga Kosova, e cila pasi humbi jetesën në fshat, detyrohet të zhvendoset në kryeqytet, aty nisin përballjet dhe zgjedhjet e vështira jetësore

Si portret “i punuar mirë i njerëzve të zellshëm që përpiqen për një jetë të denjë duke lundruar në presione të pamëshirshme dhe paqëndrueshmëri kronike” përshkruhet projekti filmik, bashkëprodhim midis Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës. Nën regji e me skenar të Visar Morinës, rrëfimi i një familjeje kosovare do të jepet premierë botërore në Utah në një prej festivaleve më prestigjioze në glob

Rrëfimi shqiptar që vë në kryqëzim zgjedhjen midis krenarisë dhe mbijetesës është pjesë e festivalit prestigjioz të filmit “Sundance” në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Shame and money” me skenar e nën regji të Visar Morinës do të ketë premierën në njërin prej festivaleve më të mëdha të botës kinematografike që zhvillohet nga  22 janari deri më 1 shkurt. 

Si portret “i punuar mirë i njerëzve të zellshëm që përpiqen për një jetë të denjë duke lundruar në presione të pamëshirshme dhe paqëndrueshmëri kronike” përshkruhet projekti filmik, bashkëprodhim midis Gjermanisë, Kosovës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut  dhe Belgjikës. 

Rrëfimi qendror është në një familje nga Kosova, e cila pasi humbi jetesën në fshat, detyrohet të zhvendoset në kryeqytet, aty nisin përballjet dhe zgjedhjet e vështira jetësore. Morina e ka shkruar skenarin në bashkëpunim me skenaristen Doruntina Basha, ndërsa producentë janë: Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega dhe Pia Hellenthal me bashkëproducentë Eshref Durmishin, Besnik Krapin, Danijel Hoçevar, Dritan Huqi, Marija Dimitrova dhe Marc Goyens. 

Aktori i mirënjohur Astrit Kabashi e luan rolin kryesor, atë të Shabanit. Sipas shpjegimit të tematikës, ai është kryefamiljari tradicional krenar, por të cilit i duhet të përdorë kursimet e nënës së tij për të mbajtur familjen në këmbë. Aty shkruhet se krenaria e tij “mavijoset” vazhdimisht dhe se dinjiteti i tij “rrëshqet”. “...Shabani i afrohet një skaji të padukshëm – duke ngritur pyetjen se sa më shumë mund të durojë”, shkruhet aty midis tjerash. 

“Filmi bën fjalë për një burrë të ndershëm dhe krenar që quhet Shaban, i cili kujdeset për familjen e tij dhe përpiqet të sigurojë jetesën. Pas një problemi që i ndodh në biznesin e tij në fshat, ai merr vendimin që të shpërngulet në qytet bashkë me gruan e tij, nënën dhe tri vajzat e vogla. Ai në qytet përballet me komplet rrethana të tjera. Ai përballet me zgjedhje të vështira midis krenarisë dhe mbijetesës”, ka shpjeguar aktori Kabashi në një përgjigje për KOHËN. 

Rrëfimi i filmit “Shame and money” është tregimi i radhës nga trevat shqiptare që bëhet pjesë e ekranit të kinematografisë botërore. Tema është relevante në këto kohë, sipas aktorit Kabashi.

“Besoj që është shumë relevante, duke ditur që dita-ditës fshatrat në Kosovë po zbrazen, e që shumica e njerëzve po shpërngulen në kryeqytet, sigurisht për mundësi më të mëdha”, është shprehur aktori që portretizon kryepersonazhin e filmit “Shame and money” (Turp dhe para). 

Në film luajnë edhe aktorët Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj në role kryesore. Në rolet e tjera luajnë Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi. 

Sipas përshkrimit të “Sundance”, regjisori Visar Morina i qaset kësaj historie komplekse me saktësi dhe besim të madh. Në ueb-faqen e tyre shkruhet se filmi “është një masterklasë në performanca të nuancuara, veçanërisht nga aktorët kryesorë. Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli, të cilët luajnë si Shabani dhe gruaja e tij, Hatixhe, me hir, ndjeshmëri dhe humanizëm të thellë”. 

Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila e ka mbështetur filmin, e ka konsideruar premierën në “Sundance” si “arritje jashtëzakonisht të rrallë”. Ka bërë të ditur se biletat e filmit do të fillojnë të shiten nga 14 janari ndërsa datat e shfaqjeve të filmave në festival ende nuk janë publikuar. 

Aktori Kabashi ka thënë se premiera në këtë festival është shumë e rëndësishme për gjithë ekipin e filmit. 

“Patjetër që është shumë e rëndësishme që premiera të jetë në një festival të madh ndërkombëtar sikurse është ‘Sundance’, kjo është e rëndësishme për rrugëtimin e filmit, për autorët e filmit dhe gjithsesi për ne aktorët. E rëndësishme është edhe për kinematografinë tonë të re”, ka thënë ai. 

Ka treguar se ftesat nga Festivali veçse i posedojnë dhe se vetë prezenca në këtë festival është sukses. 

“Ajo çka presim është normalisht suksesi. Vetë prezenca në këtë festival të madh besoj që është sukses”, është shprehur aktori Kabashi. 

Filmi është në garën zyrtare “World Cinema Dramatic Competition”, midis dhjetë filmave në këtë kategori. Regjisori Morina edhe në vitin 2020 ishte pjesë e garës zyrtare në “Sundance Film Festival” me filmin “Exil”. Edhe në këtë film në kastë bëjnë pjesë Astrit Kabashi e Flonja Kodheli. Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit.

Kinematografia e Kosovës ka histori në Festivalin me nam të kinematografisë botërore. Më 2012 filmi “Kthimi” nën regji të Blerta Zeqirit fitoi Çmimin e jurisë për film të shkurtër, më pas në vitin 2021, filmi “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit pati marrë plot tri çmime: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës. Një vit më pas, filmi “Pa vend” i Samir Karahodës pati fituar Çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër. 

“Sundance Film Festival” konsiderohet si “takimi përfundimtar i rrëfimtarëve origjinalë dhe audiencës që kërkon zëra të rinj dhe perspektiva të freskëta”. Programi vjetor përfshin filma dramatikë dhe dokumentarë, filma të shkurtër dhe përmbajtje episodike. Në kuadër të ngjarjes organizohen edhe biseda me regjisorë, diskutime në panel dhe ngjarje të tjera. Duke filluar nga janari 2027, Festivali zhvendoset nga Utah ku është mbajtur që nga viti 1978, për në Boulder, Colorado.