Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Dihatja e dinjitetit

Nuk e di nëse „Shame and Money” do të hyjë në konkurrencën e ngushtë të filmave për Oscar. Shpresoj. E di se kinematografia kosovare është duke e kaluar larg e larg letërsinë dhe se është mbi nivelin e vendeve të rajonit, i pëlqeu kjo ose jo ndonjë kritiku që thuajse ka dalë nga stripat e Alan Fordit: “Sot vetëm budallai e di se nuk është mjaftueshëm i mençur”

Kur dola nga kinemaja në premierën e „Shame and Money”, njeriu i parë që më erdhi ndërmend është njëfarë Filani, koleg në fakultet. Para më shumë vjetësh, ish-dekani që sapo i kishte humbur zgjedhjet, po i drejtohej dekanit të sapozgjedhur. „Çka po e mban qatë Filanin ngat? Katër vjet m’i ka mbajtur haletet me dorë“. Dekani i ri ia ktheu: „Prandaj e mora. Le të m’i mbajë edhe mua pak gjatë mandatit tim“.

Filani m’u kujtua si Antishaban. Shabani, kryepersonazhi i filmit, nuk do t’ia mbante haletet askujt.

Shabani, në film, duket i fortë dhe i prerë. Në ndonjë moment presim të shndërrohet në John Wick. Mirëpo, ai ofron një tjetër lloj force në vend të gun-fu-së. Dinjitetin.

Ai është njeri i dinjitetshëm, ndërsa filmi është një analizë e dinjitetit.

Në gjuhën shqipe fjalën dinjitet e kemi huazuar nga latinishtja, sepse ne e kishim nderin. Steven Pinker ngul këmbë: epoka jonë është epokë e dinjitetit, ka kaluar koha e nderit. Nderi ka të bëjë me shoqërinë dhe si ndihet shoqëria për veprimin e individit. Dinjiteti ka të bëjë me ndjesinë e vlerës që mbart një individ dhe me forcën e tij që të mos i nënshtrohet asnjë ndikimi për ta humbur atë vlerë.

Filani, siç do të thoshte Stanislav Lec, ndërgjegjen e ka të pastër. Kurrë nuk e përdor. E Shabani dihat.

Se dinjiteti dihat dhe Shabani, luajtur me dihamë nga Astrit Kabashi, e mban dihatjen e punës hakikat si lajtmotiv gjatë gjithë filmit „Shame and Money“. Filmi na ofron një xhiro nëpër jetën e Shabanit nga zhgënjimi deri te asgjëja me një ndalesë të shkurtër në dëshpërim. „Sa më pak ke, aq më shumë nuk ke“, do të thoshin personazhet e Alan Fordit, stripit që ka pasur sukses vetëm në ish-Jugosllavi e askund tjetër pos Italisë, ku është prodhuar.

Shabani është një burrë punëtor që i vëllai i tij i vogël, si djalë plangprishës dhe i madhi si ruajtës i nderit, e shtyjnë të largohet nga ferma në fshat dhe ta kërkojë fatin në qytet. Kushdo që do ta lexojë si rrëfim shqiptar, do të mbetet me gisht në gojë. Rrëfim më universal se kaq nuk ka.

“Shame and Money” bashkë me “Dua”-n do të konkurrojnë për Oscar. Po ta pyesim një kritik në Shqipëri, këta filma që përfaqësojnë realizëm social, nuk do të merrnin kurrë asnjë shpërblim.

Realizmi social thuaja po bëhet shkollë filmi në Kosovë. Kritikë të rritur në socrealizëm mund të mos e pëlqejnë. Nuk kam dashur t’u përgjigjesha atyre kritikave pa i parë filmat.

“Shame and Money” sipas të gjitha gjasëve, nuk do të fitojë Oscar, por nuk ka gjë. Ka fituar Sundance. Filmat kosovarë po fitojnë festivale si FC Barcelona ndeshjet. Kjo shkollë filmi është dukshëm më e mirë se kudo në rajon. Larg më e mirë se letërsia e kritikëve.

Këto ditë, të dy filmat u përzgjodhën edhe në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027.

Skenari i Doruntina Bashës dhe i Visar Morinës te “Shame and Money” nuk lëshon ujë.

Morina, si regjisor, përdor disa teknika të njohura për të ndërtuar rrëfimin. Skena e shkatërrimit të mobiljeve të vjetra që hidhen në një rimorkio dhe shihen përmes dritares së shkallëve të banesës, si metaforë e shkatërrimit të së shkuarës, e pamundësisë për t’u kthyer prapa, na kujton skenën e shembjes së ndërtesës që digjet në “Gone with the Wind” (1939) ndërsa bie Jugu bashkë me jetën e së shkuarës e Rhett Butler e shtyen karrocën drejt shpëtimit. Skena e rrokaqiejve që krahasohen me banesat e tjera, pastaj me punëtorin e krahut që rri këmbë dhe pastaj del Shabani i ulur, më poshtë se të gjithë, na kujton hierarkinë sociale të pasqyruar përmes rrokaqiejve nga “Metropolis” të Langut më 1927.

„Isha në fund të fundit, e pastaj ma hapën një gropë edhe nën të”, thotë njëri personazh i Alan Fordit.

Rrëfimi rrjedh ngadalë, si një parti shahu.

“Shame and Money”, përmes gruas së Shabanit, thotë se turpi është luks. Lea Ypi, një nga shkrimtaret shqiptare që rri në nivel me kinematografinë shqiptare të Kosovës, na mëson se dinjiteti nuk duhet të jetë [luks].

Morina e Basha, kundruall Ypit shtrojnë pyetjen: çfarë mbetet nga dinjiteti kur paraja bëhet masë e çdo vlere?

Ne kishim dinjitetin në vitet nëntëdhjetë, kur na ishin marrë të tëra. Shqipëria është dinjitoze sot, plus minus ndonjë lider i saj.

Kolegu im Filani i ka duart me kallo si të Shabanit, se për të dinjiteti ishte si virgjëria. E kishte humbur njëherë dhe pastaj nuk e kishte problem t’i ndërronte haletet e hallkut në pëllëmbë sipas kërkesës dhe ofertës.

Filmi krijon një gjetje interesante dhe kreative alla „Joker“ para finales për Shabanin. E lë të hapur fundin. Do ta lexojmë vetë.

Kjo kolumnë nuk e mban fundin të hapur assesi. Qe: fund.

Me fjalë të tjera: Dinjiteti është si kravata. Është e shtrënguar kur shkojmë në dasmë, shlirohet, kur vjen mishi, e aty nga fundi përfundon e lidhur në ballë.

Jo, jo, po bëj hajgare.

Me fjalë të tjera përnjëmend: Këqyrni filma kosovarë, se janë të mirë