Herën e fundit që do të pushoja aty, do të isha 13 vjeçe. Vizita e fundit (para kësaj), një ecje plazhit të Kamenovës, do të ndodhte para 30 vjetësh. Atëbotë, autonominë tashmë na e kishin rrëmbyer. Shtëpizat që e bënin pushimoren e Kosovës në këtë pjesë të Adriatikut malazias ende ishin aty, edhe pse të pashfrytëzuara, sepse edhe ky vend gjendej nën masa të dhunshme. Ndërkohë ndodhi lufta dhe më 1999, Kamenova u shndërrua në kamp refugjatësh. Nuk qëndroi gjatë në këtë format. Së shpejti, vendi iu la kohës që ta hante...Një rikthim, jo vetëm fizik, në Kamenovë
Thuhet shpejt, por vitin tjetër bëhen 70 vjet qëkur, me kërkesë të Kosovës, autoritetet e atëhershme në Cetinë kishin shpronësuar rreth një hektar e gjysmë tokë nga banorët vendas për ta ndërtuar një pushimore për punëtorët kosovarë.
Nga fillimi i viteve ’60, kosovarët tashmë e kishin një destinacion ku mund të shkonin për pushime verore.
Nuk ishin të shumtë ata që kishin vetura personale, e nëse edhe i kishin, nuk ishin gjë më të mëdha sesa “Fiqat” e atëhershme, apo Zastava 500 e më vonë 850, që ishin kopje e “cinquecentos” së famshme të “Fiatit” e që prodhoheshin me licencë në ish-Jugosllavi. Në mungesë veturash, transporti organizohej me autobusë, kryesisht të lodhtë, që merrnin shumë orë për të arritur në cak.
Rruga nga Prishtina deri në Kamenovë ishte gati 400 kilometra e gjatë dhe mundësia e vetme për të arritur deri aty ishte të kalohej nëpër Çakorr, e për ta kaluar gjysmën e Malit të Zi, për të mbërritur në Titograd (Podgoricën e moçme dhe të sotme), për një pauzë të detyrueshme për shkak të rrugës së mundimshme plot kthesa.
Ardhja në cak ishte bukuri më vete: vinte era det.

Vizitat e para
Qëndrimin tim të parë në Kamenovë nuk e mbaj mend. Ende nuk i kisha mbushur katër muaj, dhe natyrisht, nuk kisha mundur ta kisha as nocionin se as ku më kishin sjellë, e as kush do të më njoftonte me shijen e njelmët të ujit.
Është një fotografi bardhezi, e shkrepur një vit më vonë. Pas meje shtrihen zalli dhe uji. Natyrisht se as atë pushim nuk e mbaj mend. Me rëndësi që fotoja e shënon vendin ku, përgjatë viteve, do të mblidheshin kujtime shumë të bukura të fëmijërisë së hershme.
Herën e fundit që do të pushoja aty, do të isha 13 vjeçe. Vizita e fundit (para kësaj), një ecje plazhit të Kamenovës, do të ndodhte para 30 vjetësh.

Atëbotë, autonominë tashmë na e kishin rrëmbyer. Shtëpizat që e bënin pushimoren e Kosovës në këtë pjesë të Adriatikut malazias ende ishin aty, edhe pse të pashfrytëzuara, sepse edhe ky vend gjendej nën masa të dhunshme.
Ndërkohë ndodhi lufta dhe më 1999, Kamenova u shndërrua në kamp refugjatësh. Nuk qëndroi gjatë në këtë format. Së shpejti, vendi iu la kohës që ta hante.

50 vjet më vonë
Kthimi në pushimoren e fëmijërisë pas tri dekadash më ngjalli emocione të përziera.
E gjithë hapësira nëpër të cilën, në stinën e verës vlonte jeta, i ngjante një pylli të braktisur, tek-tuk me ndonjë detaj që do ta projektonte në tru pamjen e atij kompleksi që për më shumë se 35 vjet, kishte shërbyer si deti i kosovarëve.
Teksa hipja e zbrisja shkallëve, zërat e fëmijëve m’u përvodhën në kujtesë, sikur të më flisnin te veshi, tek më thërrisnin për të luajtur futboll në plazh.
Me të shkelur në tarracën e dërrmuar që dikur kishte qenë e rrethuar dhe së cilës i qaseshim nga të dyja anët me shkallë, më jehuan tingujt e enëve që shpërndaheshin në sallën e madhe të ushqimit, që në njërin mur e kishte televizorin bardhezi.
Sallës i mungonin xhamat dhe muri i prapmë ishte rrënuar tërësisht. E kishin shndërruar në një lloj garazhe me strehë, mbushur me grafiti. Hapësira dukej shumë më e vogël sesa e mbaja mend – në moshë më të re, përmasat që i kap syri janë tjera.

Më la përshtypje dera e pasme e recepcionit të dikurshëm – ishte po ajo e njëjta e para 50 vjetësh. E kishin gozhduar që të mos hapej, kurse dritarja e hapësirës që dikur e strehonte radio-dhomën, prej nga nëpërmjet altoparlantëve dëgjohej fondi muzikor i huazuar nga Radio Prishtina, nuk ishte më. Apo më mirë thënë, i kishin mbetur vetëm kornizat e shtrembëruara.
Kalimi te tarraca para sallës së ushqimit, që dikur kishte qenë shtruar me rrasa, e zbuloi dyshemenë e demoluar, muret e thyera, por edhe një detaj që i kishte mbijetuar kohës: murali i vizatuar në pjesën e sipërme të dyerve. Atë nuk e kishin shlyer e as përlyer – ende dallohen qartë dielli, peshqit dhe yjet e detit... ani që në mesin e ngjyrave të përdorura nuk shihet e kuqja.
Dola nga ana tjetër e ndërtesës. Dera kryesore e recepcionit duket si hyrje në zgafelle. Dhe edhe kjo është po ajo që kishte qenë para gjysmë shekulli. Kulmi tashmë i shtrembëruar, mbuluar me qeramidhet “mediteran”, do të mund të rrëzohej në çdo çast.
Dhe kushedi se çka do të mund të mbulonte aty brenda – ku dikur kishin qenë kutitë ku vareshin çelësat e shtëpizave; ku funksiononte centrali telefonik, pra në kohën kur nuk kishte telefona celularë dhe ku operonte posta. Kishte qenë zakon që prej pushimit t’u niseshin kartolinat “Përshëndetje nga Kamenova” familjeve dhe miqve.

Shtëpizat që nuk janë më
Kulmin e zhvillimit, Kamenova do ta mbërrinte nga fillimi i viteve ’70, kur autonomia u bë me Kushtetutë, dhe kur u themelua një BVI e veçantë për Pushim dhe Rekreacion të Punëtorëve të Kosovës. Kjo e mundësonte “bashkimin e mjeteve”, pra që ndërmarrjet kosovare të bashkëfinanconin ndërtimin apo edhe rindërtimin e shtëpizave për nevojat e punëtorëve të tyre.
Kështu, secili nga objektet identifikohej me nga një tabelë dhe me emrin e ndërmarrjes, përkatësisht institucionit.
Zgjidhja më optimale dhe më e shpejtë për t’i vendosur dhe shtrirë shtëpizat në sipërfaqen jo uniforme, sa të rrafshët e sa të pjerrët, ishte vendosja e themeleve të betonit e mbi to shtëpizat e parafabrikuara me një ose dy dhoma, me kuzhinë e banjë me dush si dhe me një ballkon të vogël me tryezë për ushqim.

Punimet ndërtimore kryesisht i kishte kryer KNI “Ramiz Sadiku” që ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme: pllakat e qeramikës prodhuar nga fabrika në Karaçevë të Poshtme, e vetmja në Kosovë, që për fat të keq nuk shquhej fort për dizajnin e tyre.
Në vitet ’70, dyshemetë e kuzhinave dhe banjave nëpër banesa ishin shtruar me këto pllaka në formë tabele shahu. Pra, stili i njëjtë u bart edhe në këtë pushimore.
Nuk e di se sa shtëpi kishin qenë vendosur nëpër të gjithë pushimoren – si fëmijë më dukeshin shumë, dhe kur donim të tregonim sa shumë, thoshim “100 a 200. Plot”. Plot kanë qenë, dhe asnjë nuk ka mbetur. Krejt çka mund të gjenim tash qe një gërmadhë e një shtëpie dydhomëshe, që ende ruante një pjesë të materialeve, përfshirë edhe kapakët e dritareve që shërbenin si roleta si dhe dy versione të dyshemeve, sikur të ishin mozaikë të lashtë që, ja rastësisht, moti i kishte qitur mbi sipërfaqe.

Bufeja e “mekikeve” dhe të “Coca Colas” në shishe
Ishin dy palë shkallë kryesore që të çonin në plazh. Shkallët e vjetra çonin direkt te dushet, që në fakt një kohë kishin shërbyer si të vetmet derisa nuk ishin ndërtuar shtëpizat me banja.
Uji që rridhte aty ishte i ftohtë, pos nëse dushin e bëje nga mesdita, kur gypat nxeheshin nga rrezet e diellit.
Dhe sa herë më kujtohen ato dushe, më kujtohen edhe shamponët mbaruar nga hithi, paketuar në qeska të vogla, që ishin shpëtim për të mos i bartur shishet litërshe lart e poshtë. Këta shamponë bënin punë edhe për heqjen e shtresës së vajit të ullirit me të cilin shumica e mysafirëve lyheshin për t’u nxirë më shpejt, e me gjasë edhe për t’u mbrojtur nga dielli.
E, dielli dinte të ishte i pamëshirshëm, në veçanti ndaj atyre që e bënin një sy gjumë mbi zall, pa mbrojtje, pa çadër, pa hije: jo pak njerëz, kur niste të perëndonte dielli, përfundonin të lyer o me kos o me “jekoderm” për shkak të djegieve aspak naive shkaktuar nga rrezatimi i pakontrolluar.

Përderisa kosit i vinte era yndyrë qumështi, “jekodermit” i vinte era vaj peshku të parafinuar. Por, kush lodhej për aromat. Shëndeti përherë ishte i pari.
Nga e djathta e dusheve ishte qendra e qendrës: bufeja, gjithashtu e vendosur në një objekt të parafabrikuar, mbuluar me plastikë të valëzuar që atëbotë ishte shumë “in”, se prodhohej në dy kombinime: ngjyrë të kuqe dhe ngjyrë të verdhë. E mira është që jepte mbrojtje nga dielli dhe nuk lejonte depërtimin e shiut kur hallakatej qielli.
Nejse, kjo mbulesë shërbente për tavolinat e karriget ku shkonim për ta pirë ndonjë “vitasok” (lëng pemësh i dendur i mbushur në shishe qelqi), apo ku mblidheshin shokët (e ndonjëherë edhe shoqet) për të luajtur me letra. Natyrisht, këta ishin prindërit. Fëmijët mund të luanin vetëm “tunxh” a “pishpirik” dhe kjo nën mbikëqyrjen e dikujt të rritur.

Mirëpo, të gjitha këto që përshkruhen lart do të bëheshin të parëndësishme në çastin që do të ndihej aroma e “mekikeve” që fërgoheshin në vaj dhe më pas “visheshin” me sheqer.
Autorja e “krimit” do të ishte një grua e madhe (së paku ashtu më dukej mua), malazeze, që e quanim tetka Dara, e cila nuk e fliste asnjë fjalë shqip, e që megjithatë ia dilte të merrej vesh me fëmijët që nuk e flisnin asnjë fjalë serbisht, kur duhej shitur llokumet e sheqerosura: gjithkush dinte të fliste me gishtërinj.
Në raste më të veçanta, dhe kur tashmë i kishim bërë më shumë se dhjetë vjet moshë, na lejohej ta pinim nga një “Coca Cola” në shishe qelqi, që na bënte të ndiheshim super modernë: ishim shteti i vetëm socialist që nga fillimi i ’70-ve tashmë e kishte provuar këtë “helmin” kapitalist.
Bufeja e Darës nuk ishte më. Ishte zëvendësuar me një ngrehinë të re, që me gjasë shërben për ruajtjen e çadrave dhe eventualisht shtretërve plazhi, sepse dikush këtë plazh është duke e menaxhuar e eksploatuar. Se kush, nuk e di.

Promenada e shkretë
Kur kishte përfunduar ndërtimi i shtëpizave që ishin kthyer andej kah kampi i Përzhnos (Pržno), njëkohësisht ishte ndërtuar edhe promenada bri detit. Ishte një shëtitore e thjeshtë por e bukur, për shkak se shtëpitë, ngado që ka pasur mundësi, ishin rrethuar me gjelbërim e lule.
Bile ata që e menaxhonin pushimoren ishin kujdesur t’ua tërhiqnin vërejtjen pushuesve se gjelbërimin duhej ruajtur – me ca tabela të shkruara në dy gjuhë (duheshin respektuar gjuhët zyrtare) që në njërën kishin kuptim, e në tjetrën ishin vetëm përkthim i keq. Dhe njëra nga to, me të cilën do të shpotiteshim gjithë jetën, kishte rimë në serbishte: “Očima gledaj, rukama ne diraj, i uživaj”. Dhe kakofoni në shqipe: “Me sy shiko, me duar mos prek dhe kënaqu”.
Nuk kishte me asnjë gjurmë tabelash, dhe natyrisht as lulesh. Fatmirësisht pishat kishin mbijetuar. Askujt nuk i kishte rënë ndërmend (ende) që t’i priste për t’i lënë diellit hapësirë për të depërtuar.
E promenada? Një shteg i shkretë betoni që të kthente aty nga ishim nisur, te hyrja e recepcionit, me drojën se rrugës do të mund të të dilte ndonjë gjarpër...

Ngjitur me murin që tashmë nuk është i sallës së ushqimit, rri një copë ndërtesë që i ngjason një kooperative bujqësore nga vitet ’60. E në kohët e ndritura, kishte qenë vetëshërbim. I “Voqarit” bile. Bukë e qumësht taze që e sillnin prej Budve, e edhe ndonjë “Rilindje” e “Jedinstvo” (se qashtu duhej) që vinte me një a dy ditë vonesë, për të mos e humbur aktualitetin.
Sikur shumë dyqane në qytetet e Kosovës të asaj kohe, punonte me dy orare: nja dy orë në mëngjes dhe nja dy orë pasdite. Për shkak se ata që punonin aty, gjithashtu kishin ardhur për pushime.
E ngjitur për këtë ish-market, ishte ndërtesa me të cilën kishte filluar pushimorja. Kishte qenë ndërtesa e parë, solide, e ndërtuar me tulla, me disa dhoma dhe ku ishte vendosur drejtoria. Ndërtesa është ende aty, çuditërisht me dritare ende. Por pa jetë.

Prej xhunglës në xhungël
Pavarësisht se sa do të qëndronim për pushime, dy do t’i kishim vizitat e pëlqyera për ta përmbushur një qejf. Njëra do të ishte të shkohej në Budva, në qytetin e vjetër, sepse aty shërbehej akullorja, prodhuar nga shqiptarët, që hahej në korneta. Dhe, bëhej shëtitja e pashmangshme nëpër rrugët e qytezës së vjetër që na bartnin në një epokë krejt tjetër për të cilën, si fëmijë, nuk do të dinim asgjë. Por vetë ideja se mund të ketë qytet, me kala, kishë e topa me gjyle, ku vetëm ecet në këmbë dhe ku nuk mund të qarkullojnë as kuajt e as veturat, ishte në vetvete ekzotike.
Por, qyteti i vjetër i Budvës e kishte një konkurrent të fortë: një shkëmb bajagi i madh, që edhe mund të quhej ishull, mbi të cilin u ndërtua një fshat peshkatarësh, që u shndërrua në pushimoren më ekskluzive atëherë, e besa edhe tash: Sveti Stefan, apo Shën Stefani si do të quhej në shqipe, apo Stefi Stefan, si do ta quanim ne, fëmijët.

Për të arritur te kjo bukuri, mund të shkohej këmbë ose të shkohej me veturë. Janë nja katër kilometra distancë. Atëherë nuk ishte e domosdoshme të paguhej as parkingu e as hyrja në qytezë. Tash, as njëra as tjetra nuk bëhen pa para.
Në versionin më rekreativ, ecja nga Kamenova niste me kalimin e kampit të Përzhnos – që nuk e ka pasur asnjë objekt të vetëm të ndërtuar me tulla – pos administratës që e menaxhonte vendosjen e mysafirëve nën tenda klasike.
Me avancimin e teknologjisë dhe të kushteve të jetesës, kishte familje me mundësi për të blerë tenda mbi rrota, që më pas lidheshin për veturë si rimorkio. I quanin “Brako” për shkak se ashtu quhej fabrika në Velesin e Titos (siç quhej atëherë) që i prodhonte.
E, kur i përmirësuam kushtet edhe më, Sllovenia nisi të prodhonte kamp-shtëpiza mbi rrotë, që gjithashtu duheshin lidhur për veturën e të tërhiqeshin deri te destinacioni. Ato quheshin “Adria 735”. Eh, këto tashmë i afroheshin luksit.
Në Përzhnon e sotme nuk është asnjë e vetme gjurmë e kampit. Në vend të sipërfaqes së gjelbër që i ngjasonte një xhungle për të kaluar nga një tendë në tjetrën, tash kishte shumë shtëpi të ndërtuara kudo që ka pasur mundësi. Tash është një xhungël betoni.

Kazino
Disa qindra metra më poshtë ish-kampit, mbërrihet te hoteli “Maestral”, i ndërtuar nga fillimi i viteve ’70 sipas projektit të arkitektit slloven, Edvard Ravnikar, në stilin brutalist dhe me tulla të kuqe.
Ideja ka qenë të ndërtohej një hotel luksoz dhe që të ishte tërheqës për turistë të huaj që do të linin deviza në tavolinat e pokerit. “Maestrali” zyrtarisht u bë kazinoja e dytë në ish-Jugosllavi dhe ndër hotelet më të shtrenjta në këtë rivierë.
55 vjet më vonë, hoteli ende e ka fasadën me tulla të kuqe, por e ka trefishuar kapacitetin, si të dhomave ashtu edhe të kazinosë. Varësisht nga dhoma që e përzgjedh, gjatë pikut të sezonit, nata për dy persona në këtë hotel kushton midis 500 dhe 5000 euro.
Askund më mirë se këtu nuk do të përshtatej tabela kakofonike nga Kamenova.

Mbreti që nuk e mbërriti
Diku nga gjysma e rrugës hyhet në atë që njihet si Milloçer (Miločer). Në një hapësirë prej 18 hektarësh shtrihet një park botanik i rrallë kurse në mesin e tij, një vilë mbretërore dhe tetë objekte përcjellëse nga guri.
Vila Milloçer e nisur më 1934 dhe e përfunduar më 1936, me urdhër të mbretit të Mbretërisë SKS, Aleksandar Karagjorgjeviq (Karađorđević), i shërbeu familjes së tij. Karagjorgjeviqi u vra më 1934, dhe nuk e arriti përfundimin e pushimores.
Në kohën e Titos u bë pushimore për elitën e atëhershme politike dhe vend ku do të mbaheshin takime të nivelit të lartë me burrështetasit që do ta vizitonin ish-Jugosllavinë. Pas vdekjes së tij, vazhdoi të përdorej nga politikanë, deri në vitin 2007, kur iu dha në menaxhim brendit “Aman Resorts”.

Pronë e shtetit, iu lëshua me qira kësaj kompanie për një afat prej 30 vjetësh. Pra pos qirasë, shteti i merr edhe 10% të fitimeve që i realizon kompania.
Çmimi për një natë, në pikun e sezonit, sillet ndërmjet 2300 dhe 2500 euro. Kurse çmimi për dy shtretër plazhe dhe një çadër në dy plazhet e kompleksit, të Mbretëreshës, përkatësisht të Mbretit, është ndërmjet 200 dhe 240 euro në ditë.
Edhe atëherë, edhe këtë herë, Milloçeri ia ka vlejtur për shëtitjen në park. Dhe për vërtetimin në praktikë se sa lehtë është të bëhesh megaloman me paratë e popullit, në emër të popullit.

Pagesë edhe për të hyrë
Gjysma e mbetur e shtegut kalohet lehtë. Përpara del një pamje si e kartolinave. Shën Stefani, sikur të rrinte varur mbi ujë, kishte nisur si fshat peshkatarësh në shekullin 15. Deri pas Luftës së Dytë Botërore mbeti i tillë, derisa nuk u shndërrua në ishull-hotel, sipas konceptit që e ruante arkitekturën e jashtme, ndërkohë që shtëpizat shndërroheshin në vila e suita luksoze.
Nga 1960-a, Tito e shfrytëzoi atë për t’i akomoduar mysafirët e lartë apo edhe yjet filmikë, në emër të propagandës dhe reklamës që ia bënte socializmit të tij. Në mesin e të gjitha vilave, dallonte një që quhej “118” – që tash ka ndërruar numër, e në të cilën ishin vendosur Richard Burton dhe Elizabeth Taylor, derisa ky po e xhironte “Betejën në Neretvë”, ku e kishte luajtur Titon.

Në atë kohë, qasja në ishull ishte falas. Por akulloret në atë vend ishin më të shtrenjta sesa në Budva, sepse shërbeheshin në pjata, atëherë i thoshin, “cingu”, e që sot njihen si “stainless steel”. Plus, pamja përbrenda ishte njëmend mbresëlënëse.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, qyteza u bë pronë e Malit të Zi. Menaxhimi i keq ia humbi peshën, derisa nuk u tenderua dhe u dha me qira deri më 2054. Sikurse te Milloçeri, shteti i merr 10% të fitimeve.
Çmimet për dy persona për natë në pikun e sezonit sillen ndërmjet 1800 dhe 5000 euro. Një shujtë në restorantet e qytezës shkon prej 100-150 euro për person; shtretërit e plazhit dhe çadra bëjnë sikurse në Milloçer, kurse hyrja brenda bën 25 euro për person.
Akullorja e moçme me dredhëz, ende po shijon.

Ku mbetëm?
E gjithë Përzhnoja duket t’u jetë kthyer pronarëve të vjetër, ngase ndryshe nuk ka se si shpjegohet i gjithë ai ndërtim me shtëpi individuale e hotele në një sipërfaqe megjithatë të kufizuar që ia ka humbur fizionominë origjinale, sado shkëmbore të ketë qenë.
Në gjithë atë katrahurë betoni që e ka gëlltitur të gjithë Beçiqin e edhe Budvën, që më nuk u ngjasojnë vendbanimeve të para 50 vjetësh, e vetmja oazë ka mbetur Kamenova me pllakat e Karaçevës dhe gjelbërimin e paprekur.
Pas bartjes së dyshimtë dhe me shumë gjasë të korruptuar të pronësisë apo të drejtës së shfrytëzimit të saj, lënda e Kamenovës gjendet në gjyq me një masë të përkohshme që deri tash e ka marrë trajtën thuajse të një të përhershmeje.

AKP-ja e cila e ka pasur për detyrim ta mbrojë këtë pronë, që ende nuk e kam të qartë nëse ndonjëherë ka qenë e Kosovës, ka parashtruar ankesë. Por, e kam vështirë të besoj se shteti i Malit të Zi do të hiqte dorë nga një perlë të këtillë çfarë është Kamenova dhe potencialin që mund ta zhvillojë në të ardhmen.
Bukur do të ishte po të mund të kthehej në atë që kishte qenë: një pushimore në të cilën të gjithë ndiheshim njësoj dhe ku të gjithë të vetmin qëllim e kishim t’i kalonim dhjetë ditë të paharrueshme në vit. Po qe se ashtu do ta planifikonte astronomia, këto ditë do të pasuroheshin edhe me ndonjë treditësh që do të lidhej gjatë festës së 1 Majit.
Atëherë kur do të nisnin të çelnin lulet që nuk na lejohej t’i preknim.