Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tom Cruise do të nderohet me çmim për arritje jetësore

Tom Cruise

Tom Cruise do të nderohet me çmimin për arritje jetësore nga Instituti Amerikan i Filmit (AFI), njoftoi të mërkurën bordi i besuar i këtij institucioni. Çmimi do t’i dorëzohet gjatë një ceremonie gala në Teatrin Dolby, në Los Anxhelos, më 24 prill të vitit të ardhshëm.

“Tom Cruise është një ikonë globale”, tha Kathleen Kennedy, kryetare e bordit të AFI-së, në një deklaratë për media. Ajo vlerësoi përkushtimin e Cruiset si aktor dhe producent, si dhe besimin e tij në aftësinë e filmave për t’i bashkuar njerëzit.

Cruise, 64 vjeç, ka punuar në industrinë e filmit për më shumë se katër dekada, duke luajtur në filma të njohur, përfshirë “Risky Business”, “A Few Good Men”, “Jerry Maguire”, “Minority Report” dhe serinë e filmave hit në arka filmike, “Mission: Impossible”. Ai ka marrë tri nominime për çmimin “Oscar” në kategoritë e aktrimit: për aktorin më të mirë në filmat “Born on the Fourth of July” dhe “Jerry Maguire”, si dhe për aktorin më të mirë në rol dytësor në filmin “Magnolia”.

Vitin e kaluar, ai mori një çmim nderi “Oscar” gjatë ceremonisë së Çmimeve të Guvernatorëve, të organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

Çmimi për arritje jetësore i AFI-së, i themeluar në vitin 1973, nderon një person, puna e të cilit ka kontribuar në zhvillimin e kinematografisë dhe i ka rezistuar kohës. Cruise do t’u bashkohet emrave të njohur që janë nderuar në të kaluarës si, John Ford, Bette Davis, Sidney Poitier, Steven Spielberg, Denzel Washington, Nicole Kidman dhe Eddie Murphy, i cili e pranoi çmim në fillim të këtij viti.

Të ardhurat nga ceremonia gala do të përdoren për të mbështetur programet arsimore dhe nismat artistike të Institutit Amerikan të Filmit.