Arbëri

Ramosaj nuk pret “lajme të reja” nga Kuvendi i LDK-së

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berim Ramosaj, ka deklaruar se nuk pret zhvillime apo vendime të reja nga Kuvendi i nesërm i kësaj partie, duke vlerësuar se struktura aktuale udhëheqëse është e kënaqur me pozitat që mban.

Sipas Ramosajt, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve kishte shprehur gatishmëri për të ofruar dorëheqje, por jo për ta dhënë realisht atë. Dhe në Kuvendin e nesërm thotë se nuk pret të ketë diçka tjetër pos që do të refuzohet dorëheqja e Abdixhikut.

“Struktura udhëheqëse që e ka sot LDK-ja, kryesisht e përbërë nga anëtarë të rinj pa shumë përvojë, është e kënaqur me pozitat aktuale. Edhe pse janë të rinj në moshë, nuk duan ndryshime të reja. Ata mendojnë se kanë bërë mjaft ndryshime dhe nuk shohin nevojë për reforma të reja strukturore apo organizative. S’kanë ambicie për ndryshim”, ka thënë Ramosaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka vlerësuar se kjo strukturë nuk ka kapacitet për të bërë ndryshime të mëdha brenda partisë, duke shtuar se edhe vetë udhëheqja e ka kuptuar kufirin e fuqisë së saj politike, intelektuale dhe organizative.

Ramosaj ka theksuar se Abdixhiku është i kënaqur me pushtetin në nivel lokal, gjë që sipas tij e kompenson mungesën e pushtetit në nivel qendror.

“Qoftë me Abdixhikun apo pa të, nuk shoh ndonjë ndryshim radikal. LDK-ja ka kaluar gjithmonë krizat me qetësi, por ende vuan nga ideja se votat i ka të garantuara”, ka shtuar ai.

Duke komentuar kandidaturën e Avdullah Hotit për kryetar të LDK-së, Ramosaj ka thënë se nuk pret as që të diskutohet një gjë e tillë gjatë Kuvendit nesër.

“Nuk e shoh si një proces që mund të realizohet lehtë, e as që besoj se do të diskutohet”, ka thënë Ramosaj, duke shtuar se nuk sheh ndryshime të mëdha konceptuale brenda LDK-së kushdo që të vijë kryetar.

Sipas tij, ndryshimet reale nuk bëhen përmes kandidaturave individuale, por përmes mobilizimit të delegatëve për të kërkuar zgjedhje dhe llogaridhënie nga udhëheqja aktuale.

“LDK-ja është parti e djathtë dhe në këto parti vlen përgjegjësia demokratike. Kur reflekton udhëheqësi, reflekton i gjithë ekipi”, ka theksuar Ramosaj.

Siç thotë ish-deputeti, LDK-ja ka pasur qëndrime të gabuara për gati një vjet sa qëndruan institucionet e bllokuara. Ramosaj ka thënë se LDK-ja është dashur t’ia votojë qeverinë Lëvizjes Vetëvendosje dhe t’i pret që të gabojnë.

“Kauza e LDK-së duhet të jetë shtetndërtimi”, përfundoi ai.

LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 ka marrë 126 mijë e 133 vota, të cilat ia siguruan 15 ulëse në Kuvend apo pesë deputetë më pak se që pati në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025. Për shkak të këtij rezultati, është thirr edhe Kuvendi i nesërm i partisë.