Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramosaj: Deputetët e LDK-së që dolën kundër Sejdiut duhet të sakrifikojnë egon personale

Berim Ramosaj

Profesori Berim Ramosaj, ka thënë se 6 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që janë deklaruar kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, duhet të sakrifikojnë egon e tyre personale dhe të ndërtojnë pjekuri politike. 

“Nëse ata nuk janë të gatshëm të respektojnë qëndrimet e kryesisë së partisë dhe të kryetarit, ata duhet së pari të sakrifikojnë egon e tyre personale dhe të ndërtojnë një pjekuri politike”, është shprehur Ramosaj, në emisionin “Konfront” në KTV.

Ai ka thënë se nëse kryetari Lumir Abdixhiku ka pasur autoritet nga partia për të bërë marrëveshje dhe këta deputetë nuk e pranojnë atë, atëherë ata kanë probleme dhe kanë rënë në kundërshtim me forume të partisë. 

“Kur kryesia legjitime e një partie merr një vendim dhe akterë të caktuar, anëtarë të caktuar, qoftë të Kryesisë, qoftë të Këshillit të Përgjithshëm që sot janë deputetë dalin kundër, këtu jep të kuptojë se diçka nuk po funksionon dhe kur nuk funksionon deri në këtë shkallë, për vendime të nivelit të tillë që janë kapitale atëherë këtu duhet që dikush të lëshojë rrugë, ose të mbetet kështu si është ose të hapë krah dikush në këtë proces”, ka deklaruar Ramosaj. 

“Nëse ky ka pasur autoritet nga partia për t’i bërë këto veprime dhe këta nuk ia pranojnë, kjo tregon se ai grup i caktuar ka probleme, që në fakt kanë rënë në kundërshtim me atë forum që ia ka dhënë atij atë të drejtë për të ushtruar ato propozime”, ka shkruar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës. 

Të hënën u njoftua për marrëveshjen e arritur mes LDK-së e VV-së për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president.

Të martën gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta votojnë Sejdiun. 

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, eksponentë të LVV-së kanë deklaruar se i kanë 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Me 12 votat e LDK-së, ky numër do të arrinte në 74 deputetë.

Kjo nuk mjafton për zgjedhjen e presidentit.

Në dy raundet e para nevojiten të paktën 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, nëse në dy raundet paraprake në votim kanë marrë pjesë së paku 80 deputetë.