Kulturë

Lutjet e pashpresa të palestinezes në “The Voice of Hind Rajab” tronditin Venecian

“The Voice of Hind Rajab”

Pritja që i është bërë në premierë, e bën filmin “The Voice of Hind Rajab” të preferuarin e turmës për ta fituar “Luanin e Artë”, i cili do të jepet të shtunën më 6 shtator

Foto: Associated Press

Drama e bazuar në jetë reale mban fokusin tek operatorët telefonikë nga Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe, të cilët mundohen t’i japin durim Hind Rajabit që është e bllokuar, teksa lutet që ta nxjerrin nga makina, në të cilën janë të vdekur halla e saj, xhaxhai dhe tre kushërinj. “Kam shumë frikë, ju lutem ejani”, thotë vajza e vogël përmes incizimeve origjinale të zërit, teksa thirrjet e saj për mëshirë shkojnë duke u shpeshtuar. Filmi “The Voice of Hind Rajab” ka marrë një brohoritje të stuhishme 24-minutëshe në premierë në Festivalin e Filmit në Venecie

Lutjet e fundit të përvuajtshme të pesëvjeçares palestineze të bllokuar në një makinë gjatë sulmeve izraelite janë mishëruar në filmin “The Voice of Hind Rajab”, një film i ri “përvëlues” që ka pasur premierën rrëmbyese të mërkurën në Festivalin e Filmit në Venecia.

“Historia e Hindit bart peshën e një populli të tërë”, u ka thënë reporterëve njëra nga aktoret, Saja Kilani, gjatë një deklarate që ka lexuar në emër të krejt kastës para se të shfaqej filmi.

Drama e bazuar në jetë reale mban fokusin tek operatorët telefonikë nga Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe, të cilët mundohen t’i japin durim Hind Rajabit që është e bllokuar, teksa lutet që ta nxjerrin nga makina, në të cilën janë të vdekur halla e saj, xhaxhai dhe tre kushërinj.

“Kam shumë frikë, ju lutem ejani”, thotë vajza e vogël përmes incizimeve origjinale të zërit, teksa thirrjet e saj për mëshirë shkojnë duke u shpeshtuar. Këta zëra origjinalë që kanë marrë pranuesit e mesazheve nga vajza e vogël janë përdorur përgjatë filmit për ta rritur efektin e tij.

“Pyetja e vërtetë është se si kemi lejuar që një fëmijë të lutet për jetën e saj. Askush s’mund të jetojë në paqe derisa të paktën një fëmijë çon lutje për mbijetesë... Le të jehojë zëri i Hind Rajabit në gjithë botën”, ka thënë Kilani.

Pas një pritjeje treorëshe, Gjysmëhënës së Kuqe i qe dhënë leja nga Izraeli për ta çuar një ambulancë për shpëtim të Hindit. Mirëpo, lidhja qe shkëputur sapo vajza ishte takuar me shpëtuesit, me të mbërritur në skenë ambulanca.

Ditë më pas është gjetur trupi i vajzës, pranë atyre të të afërmve të vet në makinë. Edhe mbetjet e dy punëtorëve të ambulancës, janë gjetur në automjetin e tyre të bombarduar.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes fillimisht kishin thënë se trupat e saj nuk kishin qenë brenda rrezes qitëse të makinës. Megjithatë, hetimet e pavarura kishin kundërshtuar këtë pohim dhe një raport pasues i OKB-së kishte thënë se IDF-ja kishte shkatërruar makinën e Rajabit dhe kishte vrarë dy mjekët që po përpiqeshin ta shpëtonin atë.

Të pyetur për vrasjet këtë javë, IDF-ja ka thënë se incidenti, i cili kishte ndodhur më 29 janar 2024, është ende në shqyrtim dhe nuk kishte dhënë komente të mëtejshme.

Filmi ka marrë një brohoritje të stuhishme 24-minutëshe në premierë, deri tani më e gjata në këtë festival, duke e bërë këtë film të preferuarin e turmës për ta fituar “Luanin e Artë”, i cili do të jepet të shtunën më 6 shtator.

“Çliro, çliro Palestinën”, kanë bërtitur njerëzit në audiencë.

Filmi ka pasur gjithashtu disa emra kryesorë të Hollywoodit si producentë ekzekutivë, duke i dhënë atij peshë të shtuar të industrisë filmike, duke përfshirë aktorët Joaquin Phoenix dhe Rooney Mara, të cilët ishin të dy në Venecia të mërkurën për ta mbështetur produksionin, si dhe Brad Pitt. Regjisorja tuniziane, Kaouther Ben Hania, e cila ka shkruar edhe skenarin, ka thënë se zëri i Hindit ka shpalosur një tragjedi të vetme.

“Kur e dëgjova zërin e Hindit për herë të parë, kishte diçka më shumë se zëri i saj. Ishte vetë zëri i Gazës që kërkon ndihmë... Ishte zemërimi dhe pafuqia që i dha jetë këtij filmi”, u ka thënë ajo gazetarëve.

IDF-ja kishte pushtuar Rripin e Gazës pasi militantët e Hamasit e kishin sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë 251 pengje. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, më shumë se 63 mijë persona që jetonin në Gazë kanë vdekur gjatë luftës.

“Narrativa në mbarë botën është se ata që vdesin në Gazë janë dëm kolateral. Unë mendoj se kjo është shumë çnjerëzore dhe kjo është arsyeja pse kinemaja dhe arti janë të rëndësishme, për t’u dhënë atyre një zë dhe një fytyrë. Po themi mjaft, mjaft me këtë gjenocid”, ka thënë Ben Hania.

Shoqata më e madhe akademike në botë e studiuesve të gjenocidit ka njoftuar këtë javë se ka miratuar një rezolutë duke thënë se ishin përmbushur kriteret ligjore për të vërtetuar se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë, gjë të cilën Izraeli e mohon.

Aktorët që luanin rolet e pranuesve të thirrjeve në Gjysmëhënën e Kuqe kanë thënë se zërin e incizuar të Rajabit e kishin dëgjuar për herë të parë gjatë xhirimit, duke e bërë atë një proces jashtëzakonisht emocional.

“Dy herë nuk munda t’i zhvilloj xhirimet. Përjetova sulm paniku”, ka thënë aktori palestinez Motaz Malhees.