Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Akademia e Kinemasë së Gazës lansohet në Festivalin e Filmit në Venecia

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Grave në Gazë

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Grave në Gazë u mbajt më 26–31 tetor 2025, mes rrënojave në zemër të Rripit të Gazës. Festivali i Gazës u hap me filmin “The Voice of Hind Rajab”

Entiteti i ri synon të krijojë në Gazë një hapësirë të qëndrueshme për edukimin, trajnimin dhe prodhimin e filmave, “duke i lidhur njëkohësisht kineastët palestinezë në zhvillim me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar të filmit”, thuhet në deklaratë. Nismëtarët synojnë të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi me festivale filmi dhe institucione të tjera kulturore, si dhe me fondet e filmit dhe kompanitë e prodhimit

Një grup kineastësh dhe profesionistësh të njohur palestinezë, arabë dhe ndërkombëtarë të industrisë së filmit njoftuan të hënën, në Festivalin e Filmit në Venecia, themelimin e Akademisë së Kinemasë së Gazës.

Entiteti i ri synon të krijojë në Gazë një hapësirë të qëndrueshme për edukimin, trajnimin dhe prodhimin e filmave, “duke i lidhur njëkohësisht kineastët palestinezë në zhvillim me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar të filmit”, thuhet në një deklaratë.

Akademia e Kinemasë së Gazës mbështetet nga fituesja e “Luanit të Argjendtë” në Venecia në vitin 2025 – dhe anëtarja e jurisë së këtij viti – Kaouther Ben Hania, “The Voice of Hind Rajab”, si dhe nga regjisoret Annemarie Jacir, “Palestine 36” dhe Mai Masri, “3000 Nights”, e cila është bashkëthemeluese e akademisë, si dhe nga Ezzaldeen Shalah. Në mbështetje të saj janë edhe aktorët Hiam Abbas, Ramy Youssef dhe Saleh Bakri. Pjesë e nismës janë gjithashtu producentja italiane Graziella Bildesheim dhe distributori me bazë në Kajro dhe promovuesi i industrisë arabe të filmit, Alaa Karkouti.

Akademia do të përqendrohet “në edukimin dhe trajnimin kinematografik, mbështetjen e talenteve të reja dhe të grave, zhvillimin dhe prodhimin e filmave të rinj palestinezë, forcimin e pranisë së kineastëve në Gazë dhe të lidhjeve të tyre me komunitetet palestineze, arabe dhe ndërkombëtare të filmit, si dhe ndërtimin e një institucioni të qëndrueshëm kinematografik në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë.

Nismëtarët synojnë të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi me festivale filmi dhe institucione të tjera kulturore, si dhe me fondet e filmit dhe kompanitë e prodhimit.

“Akademia synon të ndërtojë një rrjet ndërkombëtar partnerësh që mbështet talentet e reja të filmit në Gazë, forcon mundësitë për të mësuar dhe për të prodhuar filma, si dhe ndihmon që filmat e tyre të arrijnë në festivale, platforma dhe te audiencat në mbarë botën”, thuhet më tej.

“Në Gazë, kinemaja nuk është thjesht një formë arti; ajo është një mjet për ruajtjen e kujtesës, për të rimarrë të drejtën tonë për të përcaktuar imazhin tonë dhe për t’i dhënë një brezi të ri mjetet për të treguar historinë e vet”, ka thënë Shalah, themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Grave në Gazë dhe bashkëthemeluesi i Akademisë së Kinemasë së Gazës.

“Duam që akademia t’u hapë një dritare të rinjve dhe grave në Gazë për të mësuar, krijuar dhe realizuar filmat e tyre, si dhe që zërat dhe imazhet e tyre të arrijnë në botë. I ftojmë partnerët tanë në institucione, universitete dhe në komunitetin ndërkombëtar të filmit që të bëhen pjesë e ndërtimit të kësaj hapësire”.

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Grave në Gazë u mbajt më 26–31 tetor 2025, mes rrënojave në zemër të Rripit të Gazës. Festivali i Gazës u hap me filmin “The Voice of Hind Rajab”.

Këtë vit, në përzgjedhjen zyrtare të Festivalit të Venecias janë dy filma palestinezë: “Citizen Osama” i Ahmed Hassounas, i cili portretizon një fotograf teksa përpiqet të pajtojë rolet e tij si baba dhe gazetar, ndërsa dokumenton realitetin e luftës në Gazë, dhe “Conversation With the Sea” i Muayad Alayanit, që tregon historinë e një 60-vjeçari palestinez të quajtur Kamal, i cili përfshihet në një rrjet të ndërlikuar dhe tendencioz të burokracisë izraelite. (Marrë nga Variety)