Për të dy palët, regjisorët palestinezë dhe izraelitë, pengesat për shpërndarje ndërkombëtar të filmave rrallëherë kanë qenë kaq të larta. Filmat që fitojnë çmime të mëdha në festivale të njohura apo çojnë në shtëpi edhe “Oscar” ende përballen me vështirësi për të gjetur kompani që t’i shpërndajnë në kinema, veçanërisht në vende – si SHBA dhe Gjermania – ku debati për Gazën është veçanërisht i polarizuar
(DW) – Mbetet e paqartë nëse plani i paqes i zbuluar në Washington nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, do të shënojë një pikë kthese në luftën në Gazë.
Megjithatë, regjisorët nga rajoni ka gjasa të vazhdojnë të luftojnë për t’i bërë historitë e tyre sa më publike.
Për të dy palët, regjisorët palestinezë dhe izraelitë, pengesat për shpërndarje ndërkombëtar të filmave rrallëherë kanë qenë kaq të larta. Filmat që fitojnë çmime të mëdha në festivale të njohura apo çojnë në shtëpi edhe “Oscar” ende përballen me vështirësi për të gjetur kompani që t’i shpërndajnë në kinema, veçanërisht në vende – si SHBA dhe Gjermania – ku debati për Gazën është veçanërisht i polarizuar.
Kur “No Other Land” fitoi “Oscarin” e vitit 2025 për dokumentarin më të mirë, ky triumf duhej të kishte siguruar një shpërndarje botërore.
Në vend të kësaj, filmi — që trajton zhvendosjen e detyruar të palestinezëve në Bregun Perëndimor — nuk arriti të sigurojë një shpërndarës në SHBA. Regjisorët, një kolektiv aktivistësh izraelitë dhe palestinezë, përfundimisht e shpërndanë vetë.
Shfaqjet në SHBA u përballën me protesta dhe kundërshtime politike, por filmi u shfaq në salla të mbushura plot dhe deri në fund të marsit kishte fituar mbi 2 milionë dollarë (1.7 milionë euro).
Regjisorja tuniziane Kaouther Ben Hania është përballur me pengesa të ngjashme me filmin e saj “The Voice of Hind Rajab”, një dramatizim i historisë së vërtetë të një vajze 5-vjeçare të vrarë në Gaza nga forcat izraelite dhe përpjekjeve të dëshpëruara të punonjësve të urgjencës së Kryqit të Kuq për ta shpëtuar. Filmi mori 24 minuta duartrokitje nga publiku i ngritur në këmbë në Venice dhe fitoi “Luanin e argjendtë” të festivalit. Ai ka gjithashtu mbështetje nga yje të famshme, me Brad Pitt dhe Joaquin Phoenix, që nënshkruan si producentë ekzekutivë për ta promovuar filmin.
“Nuk kam pushtet politik. Nuk jam aktiviste. Kam një mjet që e njoh, që e zotëroj pak, kinemanë”, thotë Ben Hania. “Dhe të paktën duke bërë këtë film, nuk heshta”.
Deri në momentin e publikimit të këtij teksti asnjë shpërndarës në SHBA apo Gjermani nuk është angazhuar për ta publikuar “The Voice of Hind Rajab”.
“Nuk ka shumë shpërndarës të gatshëm të marrin rrezik me këta filma, sepse janë politikë dhe mbajnë qëndrim”, thotë Hamza Ali, bashkëthemelues i “Watermelon Pictures”, një kompani amerikane shpërndarjeje që ka publikuar dokumentarët për Gazën “From Ground Zero” dhe “The Encampments”.
Meqenëse kompanitë më të mëdha nuk janë të gatshme të ndërhyjnë, “Watermelon...” është angazhuar për të publikuar dy filma të rinj palestinezë të rëndësishëm: dramën historike të Annemarie Jacir, “Palestine 36”, që është kandidatura zyrtare e Palestinës për “Oscar”, dhe filmin e Cherien Dabis, “All That's Left of You”, një dramë e shumë brezave palestinezësh që është kandidatura zyrtare e Jordanisë për “Oscar”.
Nuk janë vetëm historitë palestineze që përballen me kundërshtime. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, dokumentari izraelit i Barry Avrich, “The Road Between Us: The Ultimate Rescue”, që trajton një gjeneral në pension i cili niset për të shpëtuar familjen e tij pasi u sulmua nga Hamasi më 7 tetor 2023, u hoq fillimisht nga programi para se të rikthehej pas protestave. Më pas fitoi Çmimin e publikut.
Regjisorët izraelitë po ndiejnë presionin si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit. Në fillim të shtatorit, një grup personalitetesh të Hollywoodit, përfshirë aktorët fitues të çmimit “Oscar”, si Olivia Colman, Tilda Swinton, Javier Bardem dhe Emma Stone, nënshkruan një zotim për të bojkotuar bashkëpunimin me institucione dhe kompani izraelite të filmit që janë “të përfshira në gjenocid dhe aparteid kundër popullit palestinez”.
“Është bërë shumë më e vështirë të realizojmë bashkëprodhime me Francën, Gjermaninë, Kanadanë, vende me të cilat shpesh kemi bërë filma”, thotë Assaf Amir, kryetar i Akademisë Izraelite për Film dhe Televizion, duke përshkruar vështirësitë e regjisorëve izraelitë për të siguruar financime për filma të rinj.
“Dhe është bërë më e vështirë të shesim filma izraelitë ndërkombëtarisht. Ndiejmë presionin që kompanitë nuk duan bezdinë e të qenit të lidhura me një film izraelit”.
Në të njëjtën kohë, qeveria izraelite ka shënjestruar industrinë vendase të filmit, e cila në përgjithësi është e qendrës së majtë dhe shpesh kritike ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Kur filmi i Shai Carmeli-Pollak, “The Sea”, fitoi çmimin më të madh të filmit në Izrael, “Ophir” për filmin më të mirë — duke e bërë kandidatin zyrtar të vendit për “Oscar”, ministri i Kulturës, Miki Zohar, njoftoi se do të ndërpresë çdo financim publik për çmimet, duke e quajtur fitoren “të turpshme”.
Filmi tregon historinë e një djali palestinez 12-vjeçar që rrezikon jetën, duke shmangur postblloqet ushtarake dhe policinë, për të arritur në një plazh në Tel-Aviv dhe për të parë detin për herë të parë.
Në një deklaratë, Zohar thoshte se paraqitja negative e ushtarëve izraelitë në film ishte një “shuplakë në fytyrën e qytetarëve izraelitë”. Duke filluar nga viti i ardhshëm, tregoi ai, çmimet “Ophir” “nuk do të financohen më me para të taksapaguesve”.
“Nën drejtimin tim, qytetarët izraelitë nuk do të paguajnë nga xhepat e tyre për një ceremoni që pështyn në fytyrën e ushtarëve tanë heroikë”.
“Qeveria izraelite po synon zëra që e kundërshtojnë, duke u përpjekur t’i heshtë ata”, deklaroi Amir. Por, shtoi ai, përzgjedhja e “The Sea” si kandidati izraelit për “Oscar” është një kujtesë se industria nuk po dorëzohet.
“Fakti që komuniteti izraelit zgjodhi këtë film tregon se ende ka shpresë për dialog”, thotë Amir. “Dhe nuk është vetëm shpresë: ne ende po luftojmë”.