I pari feston 70-vjetorin, i dyti 75. Dikur, në epokën e artë të kinematografisë në këto anë, në një shtet që nuk është më, bashkëpunimi midis “Lumbardhit” të Prizrenit dhe “Vardar Filmit” të Shkupit, ishte krejt i zakontë. Për shumë vjet, kjo lidhje u këput, por me marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar të mërkurën në qytetin historik e rikthen atë në një tjetër format. Rezultati i parë: nxjerrja nga arkivi dhe rishfaqja e dy filmave që kanë shënuar gjysmëshekullin, por bashkëpunimi nuk ndalet me kaq
“Vardar Film” nga Shkupi dhe fondacioni “Lumbardhi” janë pajtuar për rinisjen e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim të zhvillimit të programeve të filmit, edukimit në histori të filmit, si dhe shkëmbimin e përvojave mes tyre.
Drejtuesit e këtyre dy organizatave kulturore të mërkurën në “Kino Bahçe” në Prizren kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, ku si hap i parë parashihet shfaqja e filmave “Thirst” (1971) dhe “Macedonian part of the hell” (1971) në kuadër të programit “Lumbardhi LXX”, të përgatitur enkas për shënimin e 70-vjetorit të kinemasë në qytetin historik të Kosovës. Njëherësh kanë shfaqur bindjen se ky është vetëm fillimi i shkëmbimit kulturor, që do të pasojë me programe e platforma të përbashkëta që do të jenë në shërbim të artistëve dhe publikut të të dyja vendeve.
Drejtori i “Vardar Film” nga Shkupi, Sani Saidi, duke vlerësuar punën e bërë në “Lumbardh” ka theksuar se institucioni që ai drejton e që sivjet shënon 75-vjetorin e themelimit do të përfitojë nga përvoja e Prizrenit për rivitalizimin e rigjallërimin e institucionit kulturor e filmik, por edhe për kremtimin e përvjetorit jubilar.
“Ky është vetëm fillimi, nuk do të ndalemi këtu. Do të vijojmë me projekte të radhës të natyrave të ndryshme në fushën e filmit, por edhe do t’u japim filmat tanë që janë në produksion të ‘Vardar Filmit’ për t’i projektuar në këtë manifestim, por edhe në manifestimet e tjera në të ardhmen”, ka thënë Saidi.
Fitore Rexhepi nga fondacioni “Lumbardhi” ka pohuar se marrëveshja me “Vardar Filmin” mundëson sjelljen e dy filmave të sipërpërmendur për shfaqje gjatë verës në kinemanë e Prizrenit.
“Mendoj se është shumë i rëndësishëm, meqë është bashkëpunimi i parë që kemi me Maqedoninë në këtë rast, por mendojmë se duhet të vazhdojë edhe me vendet e tjera të rajonit që e lidh kinemanë e ish-Jugosllavisë dhe kinemanë sot. Mendoj se është një nismë e mirë dhe me vazhdimin e saj do të shihet rëndësia e asaj se çka mund të dalë prej krejt kësaj”, është shprehur ajo.
Ndërsa “ndrikulla” e këtij bashkëpunimi, që bashkë me Veton Nurkollarin e Bengi Muzbegun kanë përgatitur programin “Lumbardhi LXX”, Kumjana Novakova ka përkujtuar se Prizreni dhe Shkupi janë dy qytete të afërta në aspektin historik, kulturor, social, ekonomik, dhe se shumë profesionistë të filmit kanë bashkëpunuar, porse nga vitet ‘90 ka munguar lidhja institucionale. Sipas saj, Lumbardhi që shënon 70-vjetorin dhe “Vardar Film” që shënon 75-vjetorin në të shkuarën kanë pasur bashkëpunim të ndërsjellë, që nuk ishte bartur deri në ditët e sotme.
“Pasi filluam punën për programin për 70-vjetorin e Lumbardhit e kuptuam se nuk duhet që vetëm t’i shfaqim filmat, por duhet t’i bëjmë bashkë njerëzit, këto dy institucione, dhe bashkëpunimi duhet të jetë jo vetëm për programin, por edhe për të ardhmen, sepse jemi afër njëri-tjetrit dhe duhet ta mbështesim njeri-tjetrin. Jemi një hapësirë kulturore dhe pa njëri-tjetrin është e pamundur të mbijetojmë”, ka thënë Novakova. Ajo ka shtuar se rinisja e këtij bashkëpunimi nënkupton më tepër mundësi për artistët, për filmbërësit, producentët, skenat kulturore, por edhe institucionet e tjera, pasi që mund të krijohen “platforma të përbashkëta, që mund të grumbullojnë shumë energji të ndryshme dhe fusha të krijimit”.
Në anën tjetër, kuratori i programeve të filmave, Veton Nurkollari, ka shfaqur bindjen se nga bashkëpunimi ndërmjet “Lumbardhit” dhe “Vardar Filmit” më së shumti do të përfitojnë dashamirët e filmit në Prizren e Kosovë, por edhe më gjerë.
të harrojmë që ‘Vardar Film’ ka qenë njëra prej kompanive prodhuese kryesore në atë kohë jo vetëm në Maqedoni, por edhe në ish-Jugosllavi dhe ka pasur bashkëpunim dhe bashkëprodhim ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë në atë kohë. ‘Vardar Film’ i ka në posedim dy filma që janë të autorëve kosovarë e që janë të bashkëprodhuar nga ana e ‘Vardar Film’ dhe natyrisht është hapi i parë për të parë se çfarë mundësie të bashkëpunimit mund të ketë”, ka thënë ai. Bëhet fjalë për filmat “Era dhe lisi” (1979) të Besim Sahatçiut dhe “Njeriu prej dheu” (1984) të Agim Sopit, dy prej filmave të njohur që mbajnë vulën e “KosovaFilmit”.
I themeluar në mes të shekullit XX, kino “Lumbardhi” është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, festivaleve dhe e aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit.