Gjatë është hulumtuar nëpër arkivin e kino “Lumbardhit” për të parë se çfarë filmash shfaqeshin përgjatë shtatë dekadave. Krejt kjo për të krijuar një program festiv me 70 filma për ditëlindjen e 70-të. Nëpër ca fletore faqesh të zverdhura nuk janë gjetur vetëm titujt, por edhe numri i shikuesve, koha e shfaqjeve a fitimet. Programi i quajtur LXX nuk është thjesht shfaqje filmash. Ai e kthen kohën prapa, për ta hapur një kapitull të çmueshëm jo vetëm të kinemasë në Kosovë
Audiencës së re të “Lumbardhit” i është ofruar mundësia që të shikojë filmin e shfaqur gati katër dekada më parë në këtë kinema. Programi i filmit LXX, në formatin e Klubit të Filmit, me rastin e 70-vjetorit të themelimit të kësaj kinemaje, ka filluar me projektimin e filmit “The Hunger” të vitit 1983.
Programi është zhvilluar në vazhdimësi të kërkimit arkivor të projektit Kinofigurimi, bazuar në listat e filmave të shfaqur në periudha të ndryshme të historisë së kinemasë. Filmat janë përzgjedhur me kujdes nga grupi kuratorial i përbërë nga zëvendësdrejtori për kërkim dhe program i “Fondacionit Lumbardh”, Bengi Muzbeg, kineastja, kuratorja e filmit dhe studiuesja, Kumjana Novakova, si dhe drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari.
Ky i fundit ka pohuar se programi LXX vjen si rezultat i një hulumtimi nëpër arkivat e “Lumbardhit”.
“Programi, në fakt, është rezultat i një hulumtimi të gjatë nëpër arkivat e ‘Lumbardhit’, për të parë, për të zbuluar dhe për të hulumtuar se çka është shfaqur në këta 70 vjet të kinemasë, për të dalë me 70 filma, edhe për të festuar 70-vjetorin e kinemasë ‘Lumbardhi’, shkurtimisht është kjo. Kemi punuar me arkivin ose me atë çka ka pasur në arkiv, se jo çdo shfaqje e çdo filmi është shënuar, por një pjesë e mirë e shfaqjeve janë shënuar nëpër disa fletore, që janë ruajtur, ashtu që kemi një pasqyrë deri diku të qartë se çfarë filmash janë shfaqur, kur janë shfaqur, sa shikues kanë pasur, bile edhe çfarë profiti kanë pasur. Nga ajo unë, Bengi Muzbeg dhe kuratorja nga Muzeu i Arteve Bashkëkohore në Shkup, Kumjana Novakova, i kemi hyrë punës për ta përpiluar një program, unë kam qejf ta quaj program festiv”, ka thënë Nurkollari.
Ky program ka filluar me projektimin e filmit “The Hunger” të regjisorit Tony Scott, i cili paraqet një trekëndësh dashurie që zhvillohet midis një vampiri të bukur, por të rrezikshëm, shoqëruesit të saj violonçelist dhe një gjerontologu. Në rolet kryesore luajnë Catherine Deneuve, David Bowie dhe Susan Sarandon. Në hollin e kinemasë filmat do të shfaqen deri në muajin maj.
“Do të vazhdojë për një kohë të shfaqen filmat në këtë ambient këtu dhe shpresojmë diku nga mesi i muajit maj apo kah fundi i muajit maj të dalim në kopshtin e kinemasë ‘Lumbardhi’ dhe të kemi dy herë në javë shfaqje në kopsht. Kjo është njëfarë ideje fillestare, ende jemi duke punuar, nuk është programi komplet, por pjesa e mirë e programit të filmave që do të shfaqen këtu është gati”, ka deklaruar Nurkollari.
Sipas tij, audienca e re e “Lumbardhit” ka shumë arsye për t’i shikuar filmat në kuadër të programit LXX.
“Por, ndoshta arsyeja kryesore është ajo çka kemi zbuluar ne nëpër arkiv e ajo është që cilësia e filmave që janë shfaqur brenda këtyre 70 vjetëve është e jashtëzakonshme. Për të kuptuar kinemanë, edhe atë kinemanë botërore, se duhet të kuptohemi se në Prizren dhe në Kosovë janë shfaqur filma të jashtëzakonshëm nga e gjithë bota, me shumë filma që në këtë kohë janë të rrallë, raritet, e që do të kenë mundësinë që të shohin disa filma që ndoshta është edhe vështirë më të shihen në ekran të madh”, ka thënë ai. Krejt kjo bëhet, siç ka thënë Nurkollari, për ta zbuluar kinemanë, e cila ka qenë për atë kohë.
“Për një kohë të gjatë ndoshta burimi i vetëm i argëtimit, një dritare e asaj se çka ka ndodhur në botë nëpërmjet filmit”, ka thënë Nurkollari.
Programi i filmit LXX do të vijojë në formatin e Klubit të Filmit me projektimin e filmave çdo të mërkurë dhe të shtunë në hollin e kinemasë “Lumbardhi”, për t’u bartur pastaj në kinemanë e hapur me përmirësimin e motit.
Drejtuesit e “Lumbardhit” kanë paralajmëruar se publikun e presin një sërë befasish filmike nga periudha dhe zhanre të ndryshme. Ndërkohë, për shënimin e 70-vjetorit të kino “Lumbardhit” janë paralajmëruar edhe një varg aktivitetesh kulturore, përfshirë seri të botimeve, programe fizike e digjitale e të tjera.