Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Publiku në Kosovë e rikthen “The Odyssey” në ekranin e madh

The Odyssey

“The Odyssey” në programin e kinemasë “Cineplexx” në Kosovë ka hyrë tash e 105 ditë

Interesimi i publikut e ka rikthyer filmin “The Odyssey” në programin e kinemasë “Cineplexx” në Kosovë. Pas një ndërprerjeje të përkohshme, filmi po shfaqet sërish çdo ditë, ani pse në repertor është tash e 105 ditë. 

Drejtori i “Cineplexx Kosova”, Milazim Salihu, ka thënë se vendimi për rikthimin e filmit është marrë pas interesimit të vazhdueshëm të publikut.

“Filmin ‘The Odyssey’ e kemi rikthyer në program, pasi publiku ka shprehur interesim për të. Shfaqet çdo ditë. Kemi pasur kërkesa të shumta nga njerëzit që nuk kanë arritur ta shohin më herët, prandaj vendosëm ta rikthenim. Ka interesim dhe njerëzit po vazhdojnë të vijnë për ta parë”, ka thënë Salihu.

Ai ka shpjeguar se filmi ishte larguar përkohësisht nga programi për t’u lënë hapësirë prodhimeve të reja, të cilat kinemaja është e obliguar t’i shfaqë sipas marrëveshjeve me distributorët.

“Gjatë kësaj periudhe kanë ardhur filma të tjerë që duhet t’i shfaqim sipas marrëveshjeve me distributorët. Kanë kaluar rreth një muaj e gjysmë deri në dy muaj dhe duhej t’u jepnim hapësirë edhe filmave të rinj”, ka thënë ai.

Salihu ka theksuar se programimi i filmave në sallën me ekranin me teknologjinë IMAX përcaktohet edhe nga kërkesat teknike të këtij formati, veçanërisht kur bëhet fjalë për prodhime të dedikuara për shfaqje në të.

“IMAX-i ka programin e vet dhe funksionon sipas standardeve të caktuara. Ne kemi edhe shtatë salla të tjera, prandaj ka hapësirë për të organizuar shfaqje të ndryshme. Megjithatë, filmat që janë të dedikuar për IMAX duhet të shfaqen në atë format. Ky fenomen nuk po ndodh vetëm te ne, por edhe në Evropë, ku filmat po rikthehen në kinema”, ka thënë Salihu.

Filmi i Christopher Nolanit, pos suksesit botëror, për publikun shqiptar kishte veçanti shtesë. Te  “Odyssey” tingujt nga iso-polifonia shqiptare si dhe fyejt e barinjve shqiptarë janë pjesë e kolonës zanore, të luajtura nga mjeshtri i instrumenteve popullore, Vendim Kapaj.