Kulturë

“Lumbardhi” përmbyll një kapitull, bëhet gati për shënimin e 70-vjetorit

Pas shumë vjetësh aktivizimi në Prizren ende nuk është realizuar kërkesa fillestare që kinemaja “Lumbardhi” të kthehet nën pronësi të qytetarëve, përkatësisht të Komunës. Pavarësisht kësaj, angazhimi i fondacionit “Lumbardhi” do të vazhdojë për të arritur këtë synim, por edhe për të kontribuar në zhvillimin kulturor në rajonin e Prizrenit

Fondacioni “Lumbardhi” të martën ka njoftuar publikun për lansimin e Fazës II të funksionimit të saj, sikurse që ka paralajmëruar edhe programet në ardhje për 70-vjetorin e kinemasë “Lumbardhi”. Ndërkohë pas shënimit të përvjetorit jubilar pritet që të ndodhin edhe ndryshimet në udhëheqjen e kësaj organizate.

Drejtuesit e këtij fondacioni kanë bërë të ditur se në vitin 2015, me qëllim të vazhdimit të iniciativës për mbrojtjen e kinemasë “Lumbardhi” dhe duke parë nevojën për angazhim afatgjatë për funksionalizimin e kësaj hapësire kulturore është themeluar Fondacioni, i cili pas Fazës I tani më po kalon në Fazën II të veprimtarisë.

Drejtori ekzekutiv, Ares Shporta, ka veçuar vitet 2007 e 2014, përkatësisht ndalimin e rrënimit dhe të privatizimit të kinemasë si dy momente kryesore që kanë pasuar me themelimin e organizatës në vitin 2015, duke zhvilluar procesin e konsultimeve me shumë aktorë, por që, sipas tij, kërkesa fillestare nuk është realizuar ende që objekti i kinemasë të kthehet në tërësi në pronësi të qytetarëve, përkatësisht Komunës së Prizrenit.

“Ky fakt juridik është një send që për momentin është peng i investimit të BE-së prej afër 1 milionë euro për restaurimin dhe rivitalizimin e kinemasë, duke i zgjidhur problemet strukturore që ky vend i ka për një kohë të gjatë. Për me arritë tek ai financim dhe për me arritë tek ideja për ruajtje kanë kaluar vite e vite diskutimesh e procesesh që kemi thënë: ‘Në rregull derisa të vijnë ato miliona edhe kryejnë punë institucionet, hajde të shohim se çka mundemi me bë bashkë, e kemi ndreq kulmin, i kemi pastruar zyrat, kemi hapë hollin, e kemi shndërruar këtë vend në një aset dinamik...”, ka thënë Shporta.

tij, gjatë Fazës I, në këtë hapësirë janë zhvilluar numër i madh aktivitetesh, që kanë pasuruar ofertën kulturore në qytetin e vjetër.

“Mbi 150 shfrytëzues të ndryshëm, përveç Fondacionit Lumbardhi, kanë qenë nikoqirë të mbi 1,000 aktiviteteve, që kanë pasur mbi 100 mijë vizitorë. Dhe këto e bëjnë kino “Lumbardhin” njërin prej aseteve më të shfrytëzueshme dhe më të vizituara të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, dhe një model të mirë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, është shprehur Shporta.

Tutje ai ka paralajmëruar një varg aktivitetesh kulturore për shënimin e 70-vjetorit të kino “Lumbardhit”, përfshirë seri të botimeve, programeve fizike e digjitale, e të tjera.

Krahas kësaj, ai ka njoftuar se me Bordin e Fondacionit është arritur pajtimi që pas 7 vjetësh angazhim si drejtor ekzekutiv të tërhiqet nga ky pozicion nga prilli i vitit të ardhshëm, për të vazhduar kontributin si pjesë e Bordit të Fondacionit.

Ndërsa bashkëpunëtorja e fondacionit “Lumbardhi”, Fitore Rexhepi ka vënë pah se gjatë viteve të shkuara si veçori e Lumbardhit është zhvillimi i burimeve njerëzore.

“Për zhvillimin institucional të Lumbardhit përfshihet zhvillimi i burimeve njerëzore, që është një faktor i rëndësishëm edhe për Lumbardhin, edhe për Fondacionin në përgjithësi. Gjatë kësaj kohe që ne po e quajmë faza e parë, kemi zhvillim të partneriteteve të ndryshme institucionale, zhvillim të strategjisë dhe politikave të brendshme duke krijuar një zhvillim institucional për kinemanë dhe për fondacionin. Karakteristikë gjatë këtyre 7 vjetëve ka qenë që kemi qenë një ekip kryesisht i ri, edhe kemi eksperimentuar dhe kemi pasur këshilla të vazhdueshme prej ekspertëve vendorë dhe të jashtëm”, ka thënë Rexhepi.

I themeluar në mes të shekullit XX, kino “Lumbardhi” është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, festivaleve dhe e aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit.

Ndërkaq fondacioni “Lumbardhi” u krijua në prill të vitit 2015 nga përfaqësuesit e “DokuFest”, “EC Ma Ndryshe” dhe Rrjeti i Organizatave Kulturore në Prizren, për t’i plotësuar kërkesat e Nismës për Mbrojtjen e kinemasë “Lumbardhi”.

Misioni i tij themelues ishte ringjallja e kinemasë si një institucion i pavarur kulturor duke i ruajtur vlerat e tij të trashëgimisë, duke zhvilluar programe kërkimore, arsimore dhe kulturore vjetore, duke nxitur prodhimin artistik, duke i ngritur kapacitetet institucionale dhe duke rritur pjesëmarrjen qytetare në zhvillimin lokal dhe vendimmarrjen publike në fushën e kulturës.

Aktivitetet e fondacionit “Lumbardhi” janë të shpërndara në Programet Publike, Kërkimet, Arkivat dhe Publikimet, si dhe qendrën e saj të ardhshme për Politikë Kulturore.

Lumbardhi është angazhuar për të krijuar kushte të qëndrueshme për kulturën si një mjet kritik për një sferë publike demokratike. Përmes programeve të tij, ai synon të krijojë hapësira qytetare për kërkime, eksperimente dhe mësim kolektiv.