Procesi tetëvjeçar për kino “Lumbardhin” është vlerësuar në mesin e 61 projekteve nga mbi një mijë e 450 aplikime, në kategorinë tematike “Rifitimi i ndjenjës së përkatësisë”, nën shtyllën “New European Bauhaus Education Champions”, e cila fokusohet në iniciativa në edukim dhe të mësuarit, duke theksuar procesin e të mësuarit në ndërtim institucional, angazhim të komunitetit dhe hisedarëve, si dhe trajtim të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit të ndërtuar
Pas vlerësimit të vitit të shkuar, “Lumbardhi” i Prizrenit sërish është ngjitur në mesin e projekteve finaliste evropiane. Fondacioni “Lumbardhi”, të mërkurën, ka njoftuar se është përzgjedhur si njëri prej finalistëve për çmimet prestigjioze “New European Bauhaus” (NEB) për vitin 2023.
Në fakt, procesi tetëvjeçar për kino “Lumbardhin” është vlerësuar në mesin e 61 projekteve nga mbi një mijë e 450 aplikime, në kategorinë tematike “Rifitimi i ndjenjës së përkatësisë”, nën shtyllën “New European Bauhaus Education Champions”, e cila fokusohet në iniciativa në edukim dhe të mësuarit, duke theksuar procesin e të mësuarit në ndërtim institucional, angazhim të komunitetit dhe hisedarëve, si dhe trajtim të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit të ndërtuar.
Drejtori i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, ka thënë se arritja në këtë pikë është vlerësim për qasjen, metodologjinë dhe qëndrueshmërinë e procesit disavjeçar të kino “Lumbardhit”.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që jemi zgjedhur si finalistë në këtë çmim të rëndësishëm dhe prestigjioz në nivel evropian, duke u vlerësuar për qasjen, metodologjinë dhe qëndrueshmërinë e këtij procesi të gjatë. Përderisa shpresojmë që do të mund të përzgjidhemi në mesin e fituesve pas votimit publik apo vendimit të jurisë, shprehim mirënjohjen ndaj kolegëve, bordit, anëtarëve të komunitetit për rijetësim, ekipit projektues, si dhe partnerëve, mbështetësve dhe të gjithë pjesëmarrësve në programet tona dhe procesin pjesëmarrës të vizionimit dhe rijetësimit të kino ‘Lumbardhit’”, ka thënë Shporta.
“New European Bauhaus” është nismë kreative dhe ndërdisiplinore e Komisionit Evropian që ndërlidh “European Green Deal” me hapësirat e jetesës dhe eksperiencës. Çmimet e NEB njohin dhe vlerësojnë projekte ekzistuese dhe koncepte të reja që demonstrojnë zgjidhje të qëndrueshme të promovuara nga “European Green Deal” dhe që janë përfshirëse, kanë vlera estetike dhe sjellin eksperienca të cilësisë së lartë në jetën e përditshme të njerëzve.
Muajin e ardhshëm do të shpallen 12 fituesit e Çmimeve NEB 2023 në Ceremoninë e Çmimeve, që do të zhvillohet në Bruksel. Deri atëherë, publiku do të ketë mundësi t’i përzgjedhë tri projekte fituese përmes votimit online që mbahet prej datës 10 deri më 24 maj 2023.
Të gjithë ata që e vlerësojnë “Lumbardhin” dhe dëshirojnë ta ofrojnë mbështetjen nëpërmjet votimit, mund ta bëjnë këtë në faqen e çmimeve në https://prizes.new-european-bauhaus.eu/
Vitin e kaluar, nisma për ruajtjen dhe rijetësimin e kino “Lumbardhit”, “Lumbardhi Përsëri Publik”, ishte pjesë e fituesve të çmimit prestigjioz evropian për trashëgimi kulturore për vitin 2022, çmimit “Europa Nostra”. Vendimi rreth fituesve të çmimeve ishte marrë nga juria e përbërë prej ekspertëve të trashëgimisë nga e gjithë Evropa, pas vlerësimit nga komisionet e pavarura përzgjedhëse të kandidaturave të paraqitura nga organizata dhe individë nga 36 vende evropiane. Iniciativa e kinemasë së Prizrenit është shpallur fituese në kategorinë e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe ndërgjegjësimit.
Kino “Lumbardhi”, i themeluar në mes të shekullit XX, është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për mbi 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, festivaleve dhe e aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit.
Javë më parë, KOHA ka raportuar se si punimet në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren po planifikohet që të fillojnë në vjeshtën e këtij viti. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka iniciuar procedurën e prokurimit për këtë projekt të konservimit dhe përshtatjes së plotë të godinës historike të mbrojtur me qëllim të përmirësimit të komoditetit dhe funksionalitetit të saj, në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të konservimit dhe restaurimit.
Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi” kishte thënë se kino “Lumbardhi” për një kohë të gjatë nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e aktiviteteve gjatë tërë vitit. Sipas tij, objekti nuk ka pasur mirëmbajtje dhe restaurim përmbajtjesor pothuajse fare në historinë e vet, përpos ndërhyrjeve riparuese dhe emergjente.
“Kështu që kjo nën një do të jetë një investim substancial për me e ruajtë objektin, me siguru jetëgjatësinë e objektit, si dhe me i plotësu nevojat për programe multidisiplinare, që mund të zhvillohen gjatë gjithë vitit. Ndërkohë është edhe mundësi për t’i ruajtur vlerat e trashëgimisë materiale të kino ‘Lumbardhit’”, kishte deklaruar ai.