Komisioni Evropian dhe “Europa Nostra” kanë shpallur fituesit për vitin 2022 të çmimeve të Trashëgimisë Evropiane, financuar nga programi i BE-së për Evropën Kreative. Në mesin e fituesve të sivjetmë është edhe iniciativa për ruajtjen dhe rijetësimin e kinemasë “Lumbardhi”, “Lumbardhi Përsëri Publik”, e cila u drejtua nga fondacioni “Lumbardhi” me partnerë prej vitit 2015
Nisma për ruajtjen dhe rijetësimin e kinemasë “Lumbardhi”, “Lumbardhi Përsëri Publik” është pjesë e fituesve të çmimit prestigjioz evropian për trashëgimi kulturore për vitin 2022, çmimit “Europa Nostra”.
Vendimi rreth fituesve të çmimeve është marrë nga juria e përbërë prej ekspertëve të trashëgimisë nga e gjithë Evropa, pas vlerësimit nga komisionet e pavarura përzgjedhëse të kandidaturave të paraqitura nga organizata dhe individë nga 36 vende evropiane.
Këtë vit, që shënon 20-vjetorin e çmimeve më prestigjioze të Evropës në fushën e trashëgimisë, 30 çmime për arritje të jashtëzakonshme të trashëgimisë nga 18 vende evropiane janë dhënë në pesë kategori. Këto kategori janë në përputhje me zhvillimet dhe prioritetet më të fundit në lidhje me politikën dhe praktikën e trashëgimisë në Evropë.
“Ndikimi që ka pasur nisma “Lumbardhi Përsëri Publik” në komunitetin lokal është shumë cilësor dhe dallohet për mënyrën se si ka ndikuar në politikat dhe qëndrimet e trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë. Angazhimi kreativ i të rinjve në aktivitete është i lavdërueshëm dhe bën të dukshme vlerat e shumta të vendeve të trashëgimisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të qyteteve”, shkruhet në arsyetimin e jurisë.
Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi” ka bërë të ditur se iniciativa e Kinemasë së Prizrenit është shpallur fituese në kategorinë e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe ndërgjegjësimit.
“Një nga pesë kategoritë sivjet ka qenë kategoria për ngritje të vetëdijes qytetare dhe pjesëmarrjes qytetare në rijetësim të trashëgimisë, në të cilin rast kampanja ‘Lumbardhi Public Again - Lumbardhi Përsëri Publik’ është zgjedhur për Çmimin që do të ndahet në fund të muajit shtator në Pragë”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky vlerësim është një argument shtesë për nevojën e kujdesit më të madh për këtë kinema dhe për monumentet e tjera.
“Natyrisht, ky Çmim na entuziazmon shumë, për shkak se është Çmimi kryesor i trashëgimisë kulturor në Evropë dhe njëkohësisht vjen me rastin e 70-vjetorit të Kino Lumbardhit, duke i paraprirë procesit të rivitalizimit”, ka thënë ai. Shporta ka thënë se shpresojnë që ky lajm do të jetë një argument shtesë edhe për autoritetet lokale dhe qendrore, por edhe për hisedarët e tjerë, për të pasur kujdes dhe mbështetje të shtuar për “Kino Lumbardhin”, por edhe për monumentet e tjera, për të pas një qëndrueshmërie më afatgjate për këto nisma, të cilat po qëndrojnë falë vullnetit mbinjerëzor të atyre që janë të involvuar në to, që janë dhjetëra e qindra njerëz.
Njëkohësisht ka konsideruar se në këtë mënyrë është regjistruar edhe angazhimi i vazhdueshëm për ruajtjen e vlerave të Prizrenit, gjë që, sipas tij, kërkon më shumë resurse.
“Puna për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Qendrës Historike kërkon shumë më shumë resurse, shumë më shumë njerëz, shumë më shumë përkushtim dhe bashkëpunim mes hisedarëve të niveleve të ndryshme që janë pjesë e Qendrës Historike dhe vendimmarrjes për të dhe mendojmë e shpresojmë se me këtë rast do ta rrisim edhe vetëdijen, edhe vëmendjen e të gjithë partnerëve dhe jopartnerëve të deritanishëm për t’u bërë pjesë e këtij angazhimi të përbashkët”, ka thënë Shporta.
Ka pohuar se kultura dhe trashëgimia kulturore kanë nevojë për qëndrueshmëri.
“’Kino Lumbardhi’ feston vitin e 70-të sivjet, por ende nuk është në një gjendje stabile ekonomike, prandaj ne do të shpresojmë se kjo do të jetë një shtytës shtesë për ata që kanë mundësi dhe qëllim mbështetjen, por përtej asaj që proceset e nisura dhe ato që duhet të nisen të reformave, të punojnë në drejtim të ofrimit të qëndrueshmërisë për kulturën dhe trashëgiminë dhe të mbështetet më pak në kapacitetin e organizatave individuale për të bërë shtytjen dhe punën kryesore”, ka thënë Shporta.
Fituesit do të takohen më 26 shtator në Pragë në ceremoninë e çmimeve të Trashëgimisë Evropiane, që do të mbahet në Operën Shtetërore të restauruar së fundmi dhe bashkëprezantuar nga komisionerja evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel, dhe presidenti ekzekutiv i “Europa Nostras”, Hermann Parzinger.
“Përgëzoj ngrohtësisht të gjithë fituesit e çmimeve të Trashëgimisë Evropiane të këtij viti / çmimeve “Europa Nostra” për cilësinë e jashtëzakonshme të punës së tyre dhe hapjen e tyre ndaj inovacionit”, ka thënë komisionerja evropiane Mariya Gabriel. Sipas saj, shumë nga iniciativat e shpërblyera demonstrojnë interesin dhe angazhimin e madh të të rinjve për trashëgiminë tonë, historinë tonë dhe identitetin kulturor, i cili është veçanërisht i rëndësishëm në këtë Vit Evropian të Rinisë.
Ndërsa presidenti ekzekutiv i “Europa Nostra”, prof. dr. Hermann Parzinger ka thënë se fituesit e Çmimit të këtij viti janë shembuj të fuqishëm se si trashëgimia bën rilidhjen me natyrën.
“I përgëzoj këta fitues të jashtëzakonshëm, profesionistë dhe entuziastë, për punën e tyre thelbësore dhe të lavdërueshme”, ka thënë ai.
Këto çmime janë akorduar për pesë kategori: Konservimi dhe Ripërdorimi i përshtatur; Hulumtimi; Edukimi, trajnimi dhe aftësitë; Pjesëmarrja qytetare dhe ndërgjegjësimi dhe Kampionët e trashëgimisë.
“Lumbardhi Përsëri Publik” në uebfaqen e ‘Europa Nostra’ është përshkruar si një nismë për të shpëtuar kinemanë ‘Lumbardhi’ nga privatizimi dhe shembja dhe për ta rifituar atë si një vend të trashëgimisë kulturore të hapur për të gjithë. Kinemaja, e përbërë nga hapësira e mbyllur dhe nga kinemaja nën qiell të hapur, është ndërtuar në vitet 1950 dhe ka pasur popullaritet të madh në qytetin e Prizrenit deri në fund të viteve 1980. Kjo iniciativë e udhëhequr nga ‘DokuFest’ dhe ‘EC Ma Ndryshe’, pas dy fushatave në vitin 2007 dhe 2014, lansoi fondacionin ‘Lumbardhi’ në vitin 2015, i cili i arriti qëllimet e tij themeluese gjatë tetë vjetëve të veprimtarisë. Duke ringjallur kinemanë në bashkëpunim me ‘CHëB Kosova’ dhe një numër partnerësh vendas dhe ndërkombëtarë përmes ndërhyrjeve emergjente dhe restauruese, ajo ka mundësuar afro një mijë programe publike, që arrijnë te më shumë se 100 mijë përdorues dhe vizitorë.