Kulturë

Libri i thërret ndërgjegjes në Panairin e Tiranës që identifikon sfidat

Libri i thërret ndërgjegjes në Panairin e Tiranës që identifikon sfidat

Si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, panairi i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, ka bërë bashkë shkrimtarë, përkthyes, autorë e botues, duke krijuar një urë me lexuesit, të cilët janë faktori kyç në këtë ngjarje. Ka bashkuar rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi

Duke nisur nga taksat e larta e deri te problemet që kanë të bëjnë me piraterinë e librit, rritja e çmimit të letrës dhe atij të printimit, kanë qenë disa nga sfidat që janë përmendur qysh në hapje të Panairit të Librit në Tiranë, të mërkurën. Nga Kosova janë mbi dhjetë pjesëmarrës, e kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli e cilëson Panairin si dritare, përmes së cilës këta botues arrijnë te lexuesi shqiptar

Me moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat” – që është frazë e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare – ka çelur faqet e veta edicioni i 28-të i Panairit të Librit në Tiranë. Në Pallatin e Kongreseve, të mërkurën është mbajtur ceremonia e hapjes, gjatë së cilës është vënë theksi te rëndësia e librit dhe e leximit në shoqërinë shqiptare, pa harruar sfidat me të cilat përballen botuesit, duke nisur nga taksat e larta e deri te problemet që kanë të bëjnë me piraterinë e librit, rritja e çmimit të letrës dhe atij të printimit.

Si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, panairi i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, ka bërë bashkë shkrimtarë, përkthyes, autorë e botues, duke krijuar një urë me lexuesit, të cilët janë faktori kyç në këtë ngjarje. Rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë mundësuar që përmes vizitave në Panair, lexuesit jo vetëm të blejnë libra, por edhe të takohen me autorët e tyre. Janë planifikuar promovime librash e takime me shkrimtarë.

Në fjalinë përshëndetëse gjatë ceremonisë së hapjes, ka folur kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, i cili ka theksuar nevojën për lexim, përmes të cilit krijohet një “kulturë e sigurt”.

“Jo rastësisht kemi zgjedhur një thënie të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare: ‘Ndërgjegjja jonë ka nevojë për libra’, por ka nevojë për libra ndërgjegjja e të gjithëve, vëmendja e të gjithëve e kujdesi i të gjithëve, sepse libri është një kulturë e sigurt, në radhë të parë për brezat e të sotmes, por edhe për brezat e së ardhmes”, ka thënë ai gjatë ceremonisë hapëse të Panairit.

Mes listës së gjatë të sfidave të librit, ai ka përmendur edhe mungesën e librarive, të botimeve të reja, e gjithashtu edhe tirazhet e vogla të botimeve. Sipas tij, është me rëndësi që lexuesve t’u jepet mundësia ta njohin kulturën vendore përmes librit shqip dhe atë botërore përmes përkthimeve.

“Duke filluar që nga pirateria, sidomos pirateria digjitale në librin elektronik, por edhe pirateria në shtypshkrime, bibliotekat tona janë në një situatë katastrofike. Numri i librarive, në vend që të shtohet, pakësohet. E rëndësishme është që ne të jemi gjithmonë bashkë, të jemi gjithmonë të vëmendshëm, t’u japim lexuesve tanë atë që është më e mira e kulturës sonë, t’i mbështesim autorët tanë, shkrimtarët tanë, përkthyesit dhe t’u japim lexuesve tanë veprat më të mira të kulturës botërore, të përkthyera në gjuhën shqipe”, ka shtuar Ymeri.

Shkrimtari Enkel Demi, i cili vitin e kaluar në Panair e kishte marrë çmimin “Autori më i Mirë”, ka treguar rëndësinë e “pronësisë” së Panairit.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se ky nuk është panairi i shkrimtarëve, por është panairi i lexuesve. Falë zotit, është krijuar prej 28 vjetësh një ishull, i cili u krijon mundësi lexuesve të shumtë të prekin me dorë çdo lloj letërsie dhe çdo lloj libri”, ka thënë ai gjatë fjalës së tij në ceremoninë hapëse.  

Moment që bashkon lexuesit me përkthyesit dhe shkrimtarët e ka konsideruar panairin kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa.

Mes listës së gjatë të sfidave të librit, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ka përmendur edhe mungesën e librarive, të botimeve të reja, e gjithashtu edhe tirazhet e vogla të botimeve. Sipas tij, është me rëndësi që lexuesve t’u jepet mundësia ta njohin kulturën vendore përmes librit shqip dhe atë botërore përmes përkthimeve

“Mbaj angazhim sot për të filluar një seri dëgjesash me botuesit, me përkthyesit, me librarët, me shkrimtarët dhe për të bërë më të mirën edhe për atë që ka ardhur në Kuvend si një draft për ligjin, i cili deri tani paraqet shumë probleme dhe nuk i jep zgjidhje qëllimit thelbësor: ta afrojë librin me lexuesin dhe të mbështesë botuesit”, ka thënë ajo gjatë ceremonisë. Zhupa është edhe deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Siç ngjan zakonisht në panaire të librit, ditët e fundit bartin fluksin më të madh të vizitorëve, ku mes të tjerëve, grupe të mëdha nxënësish e studentësh vërshojnë hapësirat e sallave.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e ka konsideruar Panairin e Tiranës si ngjarjen më të rëndësishme të librit shqip, duke treguar se shtëpia botuese, të cilën ai e udhëheq, “Pema”, ka ardhur me 100 tituj të rinj.

“Panairi i Librit i Tiranës ngelet ngjarja kryesore e librit shqip, i cili i mbledh të gjithë botuesit për këto pesë ditë sa zgjat në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Botuesit prezantojnë botimet e harkut kohor nga panairi i vitit të kaluar deri te panairi i sivjetmë. Ne si shtëpi botuese kemi botuar mbi 100 tituj gjatë këtij harku kohor”, ka thënë ai në një bisedë me KOHËN.

Ka treguar se nga Kosova janë mbi dhjetë pjesëmarrës, duke e cilësuar Panairin si dritare, përmes së cilës botuesi nga Kosova arrin te lexuesi shqiptar.

“Nga Kosova, në Panairin e Librit të Tiranës janë mbi dhjetë pjesëmarrës dhe kjo është në fakt një nga mundësitë më të mira që botuesit nga Kosova t’i prezantojnë botimet e tyre. Është një ngjarje që në thelb e ka sensibilizimin e informimin mbi titujt që janë botuar, mbi librat, mbi atë se çka është trend, mbi atë se çfarë kërkohet më shumë nga lexuesit. Në këtë drejtim, konsideroj se pjesëmarrja në Panair u shërben botuesve të Kosovës si dritare për të arritur te lexuesi i Tiranës dhe i Shqipërisë”, ka treguar Zeneli.

Edhe gjatë konferencës për media, të mbajtur një ditë para nisjes ishin përmendur problemet, me të cilat ballafaqohet libri si industri në Shqipëri.

“Para disa ditësh ne ua drejtuam shtëpive botuese një pyetësor ku i pyetëm se sa libra të rinj kanë në panair. Ka shtëpi botuese me asnjë libër të ri, që janë prej vitesh në panair, ka që kanë 1- 2 tituj të rinj, ka me 5-6, ka edhe pak që botojnë 20-30-40 tituj, pra ka rënë numri i botimeve dhe cilësia e botimeve”, citohet të ketë thënë Petrit Ymeri.

Si çdo edicion, edhe sivjet do të ndahen çmime për veprat dhe autorët më të mirë të vitit në fushën letrare dhe studimore. Të shtunën do të bëhet përzgjedhja dhe ndarja e tyre, vlerësuar nga një juri profesionale në krye me Elsa Skënderi-Rakipllarin, studiuese dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, përkthyeset Beti Njuma dhe Manuela Sota, publicisten e bibliotekaren Teuta Dhima, si dhe Zija Vukajn, përkthyes e studiues i letërsisë.