Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Panairi – kontrasti midis adhurimit të librit dhe festës që venitet

Ky është imazhi i Panairit për edicionin e sivjetmë që mbyllet sot (e diel). Duket pamje ideale së paku për pesë ditë sa zgjat festa. Realiteti ka edhe anën tjetër (Foto: Driton Paçarada)

Ky është imazhi i Panairit për edicionin e sivjetmë që mbyllet sot (e diel). Duket pamje ideale së paku për pesë ditë sa zgjat festa. Realiteti ka edhe anën tjetër (Foto: Driton Paçarada)

Kur bie mbrëmja mbi Prishtinë, në korridoret e Pallatit të Rinisë vazhdojnë të dëgjohen hapa, biseda dhe zhurma e faqeve që shfletohen. Njerëzit dalin me qese në duar, me libra të rinj dhe me lista leximesh. Disa largohen të kënaqur, të tjerë me ndonjë mungesë a pakënaqësi, por pothuajse të gjithë me bindjen se kanë marrë pjesë në një ritual kulturor që vazhdon t’i rezistojë kohës. Këta janë ata që e vizitojnë Panairin, nja 30 mijë në kushte ideale. Të tjerët janë ata për të cilët Panairi i Librit nuk është as festë as ritual

Në Prishtinë, magjia e Panairit të Librit nis shumë përpara se të hapen dyert e Pallatit të Rinisë. Është nëpër rrugët e kryeqytetit, te pankartat dhe shenjat që paralajmërojnë ardhjen e festës së përvitshme, te posterët që për disa ditë e bëjnë librin pjesë të peizazhit urban. Nis si një kujtesë se, pavarësisht transformimeve të kohës, ekziston ende një pesëditësh në vit kur libri merr qendrën e vëmendjes.

Kur hapat afrojnë pranë ndërtesës ikonike kjo ndjesi bëhet më e prekshme. Shkallët shumëngjyrëshe që ngjiten drejt platesë bartin emrat e shtëpive botuese. Ato janë si korridor simbolik që çon drejt një hapësire librash, por ku mbledh gjithë qytetet shqiptare në një vend. Vizitorët ndalen, fotografojnë, lexojnë emrat, ndërsa fëmijët i ngjisin shkallët me kureshtje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por pikërisht kjo është hyrja që krijon pritje dhe që më së shumti i jep Panairit dimensionin festiv përpara se të hyhet në sallat ku radhiten botimet.

Brenda, aroma e librit përzihet me zhurmën e qetë të shfletimit. Bisedat janë të pafundme. Dëgjohen dialogë për autorë, romane, përkthime e kujtime leximesh. Zhurma është e pranishme përherë, por asnjëherë shurdhuese. Has në lexues që kërkojnë tituj të munguar prej kohësh në bibliotekën personale a prej atyre që Panairin e shohin adresë për të plotësuar kompletin me veprat e shkrimtarit të preferuar.

Për studentët, është adresa ideale për të kërkuar botimet akademike që u nevojiten. Ecjet përskaj stendave të çojnë drejt takimeve me shkrimtarë, botues, studiues e lexues të zakonshëm. E, të zakonshme në Panair janë edhe shkëmbimet e ideve e nënshkrimet e librave.

Në gjithë këtë dinamikë ku dikush hyn aty nga kureshtja, dikush për të blerë, shumë prej vizitorëve janë aty edhe për të mësuar për botimet e reja e për të dëgjuar nga vetë autori. Promovime librash janë të zakonshme në Panair, e edhe në edicionin e 26-të, atmosfera e Panairit është karakterizuar edhe nga jehona e zërave nga ngjarjet nga kati sipër, e nga aty lart, edhe bisedat e shumta që ndërhyjnë në diskutime e fjalime.

Ana tjetër e imazhit

Ky është imazhi i Panairit për edicionin e sivjetmë që mbyllet sot (e diel). Duket pamje ideale së paku për pesë ditë sa zgjat festa. Realiteti ka edhe anën tjetër. “Libri hap botën”, ka qenë motoja e sivjetme por bota ka kohë që është hapur edhe ndaj trendëve të tjerë të cilët e fusin Panairin e Librit në një transformim të domosdoshëm.

Krahas atmosferës së festës, sivjet vërehen edhe shenjat e sfidave me të cilat përballet Panairi për shumë vjet. Hapësira duket e pamjaftueshme ani pse ka më pak botues pjesëmarrës. Në disa pjesë, lëvizja midis stendave bëhet e vështirë. Salla e Kuqe kërkon përherë ndërhyrje në dysheme për ta nivelizuar. Sipër tij, tapeti i kuq, nuk e heq ndjesinë e hedhjes së hapave në katin e sipërm të një shtëpie që gati po rrëzohet. Vapa e zagushia në sallat e Pallatit të Rinisë e bën qëndrimin më të lodhshëm e edhe të nxituar. Veçanërisht gjatë orëve të mesditës. Ajri i rënduar nga temperaturat e larta duket se e zbeh ritmin e  vizitorëve që do të donin të kalonin më gjatë pranë asaj që ngjan si një mega-bibliotekë midis kryeqytetit.

Ky kontrast midis admirimit për librin dhe kushteve jo të favorshme infrastrukturore, kaherë është një nga imazhet më domethënëse të Panairit.

Sivjet rreth 60 botues kanë marrë pjesë për pesë ditë në ekspozitën më të madhe të librit në vend. Botimet KOHA sivjet kanë sjellë 120 tituj. Prej tyre, gjashtë të rinj, botime ekskluzive për Panairin e Librit. “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” me autor Skënder Latifin, “Përmbytja” nga Granit Zela, “Jugosllavija i Kosovo” i Azem Vllasit, “Një amerikane në Kosovë” i Janet Reineck, vepra “Thesaret e humbura” e Muharrem Blakajt dhe “Ikja si shpëtim” e Ibrahim Kadriut janë veprat e reja me të cilat Botimet KOHA është prezantuar gjatë ditëve të Panairit.

Sivjet Panairi ka zhvilluar afër 20 ngjarje. Ka paralajmëruar se sivjet shënohen jubile si 200-vjetori i lindjes së Gavril Darës së Ri, 100-vjetori i lindjes së njërit prej disidentëve më të mëdhenj në letërsinë shqipe, Kasëm Trebeshinës, si dhe 90-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes e Adem Demaçit. Për Kadarenë, Qosjen e Demaçin, të paktën deri të shtunën, nuk janë organizuar ngjarje.

Në Panair, nga njëra anë janë qindra tituj të rinj, autorë që takojnë lexuesit dhe shtëpi botuese që prezantojnë punën e një viti të tërë. Nga ana tjetër, mbetet mungesa e një hapësire moderne dhe të denjë për organizimin e ngjarjeve të tilla kulturore.

Transformimi i ndikuar nga koha

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës që e organizon Panairin,  e sheh transformimin e ngjarjes në raport me ndryshimet që ka sjellë koha në tregun e librit.

“Panairi i Librit në Prishtinë nuk shërben më si ajo libraria e madhe siç shërbente menjëherë pas lufte, e mbase deri në periudhën para pandemisë. Një nga arsyet kryesore është që njerëzit sot kanë mundësi të shumta të arrijnë deri te libri dhe Panairi i Librit nuk është më adresa e vetme. Rrjedhimisht, nuk e ka më ekskluzivitetin e ofertës së librit. Libraritë e shtuara në numër, shitjet online, pashmangshëm e kanë dhënë ndikimin e vet”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, rëndësia e panaireve nuk matet vetëm me shitje.

“Në parim, panairet janë festa gjithandej nëpër botë ku kurorëzohet puna njëvjeçare e botuesve, prezantohen botime pranë njerëzve të interesuar, por edhe si ambient ku komunikohet për librin nga akterë që jo detyrimisht e kthejnë ngjarjen në ambient të shitblerjes. Tkurrja, krahasuar me vitin e kaluar nuk është aq e madhe pasi sivjet është shtuar salla Atelie dhe është hequr tenda në ambientet e jashtme, edhe për shkak të estetikës”, ka thënë Zeneli.

Ai e identifikon qartë problemin më të madh të organizimit të Panairit. I qartë është për të gjithë skenën kulturore në vend për të cilën në shumicën e rasteve Pallati i Rinisë dhe Sporteve del të jetë shpëtimtar.

“Gjëja kryesore, që ndikon jo vetëm në Panairin e Librit por në organizimin e të gjitha ngjarjeve kulturore, është mungesa e hapësirës bazë për organizimin e ngjarjeve të tilla dhe kërkesa jonë e drejtpërdrejtë është që institucionet publike t’i japin Kosovës një vend të denjë për organizimin e panaireve, ekspozita, ngjarje kulturore, çka do të çlironte pashmangshëm edhe më shumë potencialin”, ka thënë Zeneli. Një kërkesë të prerë si kjo e kishte bërë edhe në ceremoninë e hapjes së Panairit, të mërkurën. Ishte bërë edhe vite më parë.  

Në bisedat joformale me botues e punonjës në stenda, disa prej shtëpive botuese janë shprehur se është në pikëpyetje nëse do të marrin pjesë vitin e ardhshëm në Panairin e Librit në Prishtinë. Por, sipas Zenelit, kjo nuk e vë në pikëpyetje ekzistencën e Panairit e as nuk e rrezikon organizimin e tij.

“Panairi në vetvete nuk rrezikohet sepse shumica e botuesve nuk e reduktojnë atë thjesht në interes ekonomik, por në një domosdoshmëri të organizimit të përvitshëm që shënon punën e njerëzve që merren me librin. Shumica e panaireve ndërkombëtare, edhe ashtu, nuk e kanë shitjen si format të parë. Tirana ngelet një vend ku tregtimi i librit në Panair është mbase ende gjëja kyçe që ndodh atje, pikërisht si rrjedhojë e mungesës së librarive të denja atje. Kështu që, Panairi ende e ruan primatin e një librarie të madhe të Tiranës”, është shprehur Zeneli.

Si për ta vulosur gjithë këtë, ka paralajmëruar se “panairi do të mbahet me fanatizëm nga ata që librin nuk e kanë thjesht tregti”.

Shenjat e shpresës

Mysafir i sivjetmë në Panair ka qenë shkrimtari italiano-francez Francesco Rapazzini. Ai e sheh Panairin me sytë e një vizitori që nuk e njeh gjuhën, por që arrin të kuptojë pasionin e lexuesve.

“Ka shumë libra, shumë shtëpi botuese. Është një panair interesant, por për mua është pak frustruese sepse nuk e flas gjuhën shqipe dhe nuk po mundem të shfletoj të gjithë librat”, është shprehur ai.

Megjithatë, është shprehur se ajo që ka parë në ditët e qëndrimit në Prishtinë i ka lënë përshtypje.

“Këto ditë që jam këtu, kam parë shumë njerëz që kanë dalë nga kjo hapësirë me qese me plot libra. Kjo më jep shumë shpresë”, ka thënë shkurt duke theksuar se panairet, para së gjithash, mbeten qoftë edhe vetëm vende takimesh.

“Është një kohë e privilegjuar për shtëpitë botuese ku mund t’i tregojnë librat e tyre dhe një moment shumë i mirë ku shkrimtarët e shtëpitë botuese mund të takojnë shkrimtarët e tjerë dhe lexuesit”, ka thënë më tej Rapazzini, një nga autorët që mishërojnë natyrshëm dialogun mes kulturave evropiane. Vepra e tij “Një verë veneciane”, e përkthyer në shqip nga Urim Dërguti u promovua të premten pasdite.

“Libri hap botën”, ka qenë motoja e sivjetme por bota ka kohë që është hapur edhe ndaj trendëve të tjerë të cilët e fusin Panairin e Librit në një transformim të domosdoshëm (Foto: Driton Paçarada)

Ngadalësimi i interesimit

Shkrimtari Nazmi Rrahmani e sheh Panairin si një pasqyrë të prodhimit vjetor të librit. Ka thënë se ka ngecur.

“Panairi ka për qëllim, në radhë të parë, ta njohë lexuesin, të interesohet në librin, në prodhimin e një viti. Është e vërtetë që ky panair, i cili ka qenë ndër më të mëdhenjtë, krahas atij të Tiranës, pak sikur ka ngecur, edhe për nga numri i botuesve që marrin pjesë, por edhe për nga librat e rinj që vijnë në Panair”, ka thënë ai.

Rrahmani – i  cili të shtunën u nderua nga Panairi me Çmim Special për kontributin e tij në letërsi – e lidh këtë me pozitën e përgjithshme të botuesve dhe të librit.

“Mendoj se njëra prej arsyeve është çështja e pozitës së botuesve në përgjithësi dhe e librit. Sepse nuk mund të thuhet se nuk ka lexues. Tani ka shumë libra, por megjithatë, ekziston njëfarë, mos të them mosinteresimi, por ngadalësimi i interesimit të publikut, e sidomos për furnizimin e bibliotekave”, ka thënë Rrahmani, sipas të cilit kërkohet qasje e re institucionale ndaj Panairit. “Duhet të krijohen kushte, edhe Ministria e Kulturës, edhe Komuna e Prishtinës, ndonëse të dyja e ndihmojnë mbajtjen e Panairit. Por, është koha të mendohet për një mënyrë pak më ndryshe të organizimit dhe për pjesëmarrje shumë më të madhe të shtetit që të krijojë mundësi që lexuesi ta shohë librin”, ka thënë Rrahmani.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu ka thënë se ka vërejtur mungesën e disa prej botuesve të njohur nga Shqipëria. E, për ata që kanë qenë prezentë, ka thënë se janë shprehur të dëshpëruar me organizimin.

“Takova disa botues të Shqipërisë të cilët ishin shumë të dëshpëruar sepse botuesi shqiptar nga Shqipëria është bojkotuar sepse qëndrimi i organizatorëve nuk ka qenë normal me çmime të larta të shtandeve sa ata janë shprehur që edhe me shitje të librave, nuk mund të paguhen vlerat që kërkohen. Andaj një numër i madh i botuesve më të mëdhenj të Shqipërisë nuk janë”, ka thënë Kadriu.

Sipas tij, kjo mungesë vërehet. “Të gjitha panairet e mëparshme kanë qenë në nivel që kanë lakmuar edhe botuesit e jashtëm. Tash, të bjerë në gjendje të tillë siç po shihet, është si surrogat, sepse nuk i ke të gjithë botuesit. Nuk mund të thuhet se nuk ka libra, por janë të paktë në krahasim me vitet e kaluara kur kanë qenë botues të mëdhenj”, ka thënë ai më tej.

Për shkrimtarin Xhevat Syla, Panairi vazhdon ta ruajë karakterin e tij themelor.

“Panairi është festë e librit. Si e tillë, e plotëson edhe ky Panair, ndonëse me më pak botues”, ka thënë ai duke fokusuar rëndësinë e ngjarjes tek afrimi midis librit dhe lexuesit. “Këto janë raste të shkëlqyeshme që libri t’u ofrohet lexuesve në një mënyrë më të leverdishme, por edhe për shkak që lexuesi mund të gjejë të gjithë librat në një vend, në festën e librit”, ka thënë më tej Syla.

Beteja me rrjete sociale

Studiuesi Nuridin Ahmeti ka thënë se ka ndryshime në krahasim me vitin e kaluar. I është referuar heqjes së tendave në Platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ku akomodoheshin shtëpi botuese.

“Vitin e kaluar në plate ka pasur një numër të madh të shtëpive botuese, pos pjesës së brendshme. Tash nuk janë. Kjo nuk është shenjë e mirë, ndoshta do duhej ulur në bashkëpunim me institucione relevante të bisedohet për një formë sesi të gjendet një mënyrë për ta avancuar çështjen e leximit dhe të librit, për ta bërë më të afërt te lexuesit”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, nevojiten politika më aktive për librin dhe leximin.

“Shfletimi i librave online është një nga format që ka mundur ta bëjë të veten, por edhe fokusi më i madh në rrjete sociale sesa në libra, ka impaktin e vet edhe kjo. Por, ne duhet të gjejmë forma gjithmonë, ndoshta shteti duhet të ndajë më shumë fonde për librin dhe të bëjë lirimin e librit, që të ketë llogari çdo lexues ose vizitor të mos dalë pa një libër”, ka thënë Ahmeti.

Kur bie mbrëmja mbi Prishtinë, në korridoret e Pallatit të Rinisë vazhdojnë të dëgjohen hapa, biseda dhe zhurma e faqeve që shfletohen. Njerëzit dalin me qese në duar, me libra të rinj dhe me lista leximesh për verë. Disa largohen të kënaqur, të tjerë me ndonjë mungesë a pakënaqësi, por pothuajse të gjithë me bindjen se kanë marrë pjesë në një ritual kulturor që vazhdon t’i rezistojë kohës. Këta janë ata që e vizitojnë Panairin, nja 30 mijë në kushte ideale. Të tjerët janë ata për të cilët Panairi i Librit nuk është as festë as ritual.

Pavarësisht vapës së sallave, hapësirave të ngushta dhe infrastrukturës që prej vitesh nuk arrin t’i përgjigjet ambicieve të ngjarjes, Panairi i Librit në Prishtinë mbetet një prej atyre vendeve ku mund të shihet ende një pamje gjithnjë e më e rrallë: qindra njerëz të mbledhur rreth librit. Dhe pikërisht aty qëndron magjia e tij më e madhe.