Për pesë ditë me radhë, hapësirat e Pallatit të Rinisë janë shndërruar në pikëtakimin më të madh të botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve, ndërsa organizatorët vlerësojnë se frekuentimi ka qenë afërsisht në nivelin e viteve të kaluara. Sivjet më i zbehtë ka qenë edhe numri i botuesve që kanë marrë pjesë. Qenë rreth 60 nga rreth 100 sa ishin në vazhdimësi
Me mijëra vizitorë, dhjetëra promovime librash e takime me autorë, edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë ka mbyllur të dielën mbrëma kapitullin e sivjetmë. Për pesë ditë me radhë, hapësirat e Pallatit të Rinisë janë shndërruar në pikëtakimin më të madh të botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve, ndërsa organizatorët vlerësojnë se frekuentimi ka qenë afërsisht në nivelin e viteve të kaluara. Sivjet më i zbehtë ka qenë edhe numri i botuesve që kanë marrë pjesë. Qenë rreth 60 nga rreth 100 sa ishin në vazhdimësi.
Organizatorët e konsiderojnë të suksesshëm edicionin e sivjetmë, ndonëse pranojnë se është vërejtur një rënie e lehtë e fluksit të vizitorëve krahasuar me vitet e mëparshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe organizatorit të Panairit, Edon Zeneli, statistikat e sakta ende nuk janë përpunuar, por numri i vizitorëve mbetet afërsisht në nivelin e zakonshëm të ngjarjes, rreth 30 mijë.
“Statistikat na thonë që qëndrojmë aty-aty me vitet e kaluara, ndonëse vërehet, jo detyrimisht rënie, por vlugun e njerëzve që e kishim në orare të caktuara, më nuk e kemi. Statistika të sakta nuk kemi, por ngelemi te numri rreth 30 mijë vizitorë, që është numër i përafërt i vizitorëve që vijnë në Panair”, ka thënë ai.
Sipas Zenelit, ndër momentet më domethënëse të këtij edicioni kanë qenë vizitat e organizuara të nxënësve.
“Sivjet, ndër vizitat e parapëlqyera për ne kanë qenë vizitat e organizuara të shkollave të Prishtinës dhe të Fushë-Kosovës, si rrjedhojë e bashkëpunimit të të dy drejtorive të Arsimit. Kemi pasur gjatë tri ditëve të para vizita të organizuara, të cilat pashmangshëm ia kanë dhënë dimensionin më të lumtur vetë organizimit të Panairit”, ka thënë ai.
Ka vlerësuar se ndikim në jehonën e ngjarjes ka pasur edhe prania e figurave të njohura të jetës publike e politike në vend.
“Fatmirësisht, njerëzit kryesorë të skenës politike, të skenës publike në Kosovë, e kanë vizituar gjithashtu Panairin gjë që ka ndikuar edhe në një marketing më të shtuar për vetë organizimin e vetë ngjarjen”, ka thënë Zeneli.
Në mesin e botuesve, vlerësimet për panairin kanë qenë të ndryshme. Përfaqësuesja e shtëpisë botuese “Toena”, Engji Hudhri, ka thënë se atmosfera ka qenë pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar, me lexues të të gjitha grupmoshave që kanë vizituar stendat.
“Në krahasim me vitin e kaluar, ka ngjarë gati njëlloj. E njëjta atmosferë, lexues të të gjitha moshave. Te çmimet është ndier pak nga rënia e euros në krahasim me lekun. Kjo ka ndikuar te botuesit shqiptarë në raport me lexuesit në Kosovë. Organizimi ka qenë i mirë, nuk kemi pasur ndonjë pakënaqësi”, ka thënë ajo.
Për shtëpinë botuese “Logos-A”, panairi i sivjetmë ka rezultuar më i suksesshëm se edicionet paraprake. Mensure Ibrahimi ka veçuar interesimin e lexuesve dhe shitjet si ndër aspektet pozitive të pjesëmarrjes.
“Për ne ka qenë vit më i mirë se vitet e kaluara. Ka pasur lexues shumë, ka pasur vizitorë. Mirë ka qenë edhe shitja, madje sivjet ka qenë shumë më mirë se vitet e kaluara. Këtë vit, çmimi i stendave ka qenë më i lartë se vitet e tjera, kushtet nuk janë komode për punë ngase ka qenë shumë nxehtë. Por ka qenë mirë, në kushte të zakonshme”, ka thënë ajo.
Krejt ndryshe e sheh panoramën e sivjetme Eronita Kçiku nga “Bard Books”, e cila konsideron se termini i organizimit ka ndikuar dukshëm në numrin e vizitorëve. Ajo ka vlerësuar se fundi i qershorit përkon me periudhën kur qyteti zbrazet nga studentët dhe kur shumë qytetarë janë në pushime.
“E mira është që kësaj here nuk ka qenë ‘saunë’ në Panair, ka qenë pak më freskët. Por gjithsesi nuk jemi të kënaqur me datat që janë caktuar. Është fundi i qershorit, kur të gjithë ikin në pushime, qyteti po zbrazet, studentët janë në shtëpitë e tyre, edhe konviktet janë boshatisur. Është shumë vonë, është shumë nxehtë, gjatë ditës njerëzit nuk dalin. Pasdite, sipas vizitorëve, ata nuk janë në Panair për shkak të kampionatit botëror në futboll. Panairi mbyllet më herët, kur realisht është një orar prej 09:00 deri më 21:00, zakonisht ne të gjithë e kemi mbyllur një orë apo një orë e gjysmë më herët”, ka thënë ajo.
Sipas Kçikut, interesimi më i ulët i lexuesve krahasuar me vitet e kaluara lidhet edhe me mungesën e një fushate më të fuqishme promovuese.
“Mendoj se data ka qenë e papërshtatshme. Për shkak të vizitorëve të paktë në vitin e kaluar, shumica e shtëpive botuese nuk kanë marrë pjesë në Panair dhe kjo vërehet prej jashtë për shkak të stendave që vendoseshin ngase nuk kishte vende brenda. Sivjet ka pasur vend për të gjitha shtëpitë botuese. Lexues ka shumë më pak se herët e kaluara, jo mbase vetëm për shkak të datave, por është dashur të ketë më shumë marketing, edhe pse i kemi parë nëpër qytet, por duket se nuk ka funksionuar. Ka ndodhur që kanë ardhur sot e dje dhe kanë thënë se sapo e kanë marrë vesh që është hapur Panairi”, ka thënë ajo.
Edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë u mbajt prej 17 deri më 21 qershor nën moton “Libri hap botën”.
Edhe këtë vit, programi i Panairit u përcoll me thirrjet për kushte më të favorshme për organizimin e ngjarjes më të madhe të librit në vend.
Me gjithë opinionet, për pesë ditë libri, të paktën ka qenë në qendër të kryeqytetit, duke mbledhur botues, autorë e lexues në një hapësirë të përbashkët.
Folegj: Organizatorët e konsiderojnë të suksesshëm edicionin e sivjetmë, ndonëse pranojnë se është vërejtur një rënie e lehtë e fluksit të vizitorëve krahasuar me vitet e mëparshme