“Libri hap botën” është motoja e edicionit të 26-të të Panairit të Librit në Prishtinë i cili hapet sot (e mërkurë) në mesditë e kjo është thirrja e cila simbolikisht tregon se nëpërmjet librit mund të njihet bota. Synimet mbesin ato që ishin tash e një çerekshekull e numri i botueseve pjesëmarrës është më i vogël. “Kjo duket se ka ndikuar në rënien e vizitave. Duhet ta mendojmë si një ambient ku festohet libri e jo si një librari e madhe”, ka thënë Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Botimet KOHA sjell oferta e tituj ekskluzivë
Banerët e ngjarjes më të madhe të librit në vend janë shpërndarë gjithandej kryeqytetit në formë kubesh. Me moton “Libri hap botën”, ku si ilustrim paraqitet globi me kontinentet e paraqitura me shumë ngjyra, Panairi i Librit synon të mbledhë sa më shumë vizitorë. Motoja është një thirrje që simbolikisht tregon se nëpërmjet librit mund të njihet bota. Ekspozita më e madhe e librit në Kosovë do të hapet sot (e mërkurë) në orën 12:00. Me një tkurrje të numrit të botuesve, nga rreth 100 sa thuhej se janë deri sivjet, tashmë janë paralajmëruar vetëm 60.
Ajo që është Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, bashkë me Atelienë dhe korridorin që i ndan të dyja, të martën pasdite ishte njëfarë vendpunishteje. Shtandet tashmë janë aty, ndërsa librat po zinin vendet e tyre. Jashtë, në plato, duket se sivjet nuk do të ketë shtande.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShoqata e Botuesve të Kosovës Panairin e sheh më shumë si festë sesa si njëfarë librarie të madhe.
“Kjo duket se ka ndikuar në rënien e vizitave. Duhet ta mendojmë si një ambient ku festohet libri e jo si një librari e madhe”, ka thënë Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Si çdo vit, hapësira është tejet problematike, por s’ka zgjidhje tjetër.
“Panairi pashmangshëm është ngjarja më e vizituar. Normalisht, s’mund t’i konkurrojmë festivalit ‘Sunny Hill’”, ka thënë ai.
Për disa edicione, Panairi thuhej se kishte rreth 40 mijë vizitorë. Sivjet pritjet janë për 30 mijë. Zvogëlimi i numrit të botuesve pjesëmarrës, sipas organizatorëve, ka një arsyetim.
“Kemi një tkurrje në numrin e botuesve që marrin pjesë, por jo edhe në tituj. Fatmirësisht, botuesit janë konsoliduar në fushat e tyre. Prurjet janë shumë të mira në gjuhën shqipe. Sikurse edhe në edicionet e tjera, edhe sivjet kemi një edicion që kurorëzon punën e botuesve në një vit”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, qëllimi kryesor është nxitja e leximit te të rinjtë.
Sivjet Panairi do të ketë rreth 20 ngjarje, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe 200-vjetori i lindjes së Gavril Darës së Ri, 100-vjetori i lindjes së njërit prej disidentëve më të mëdhenj në letërsinë shqipe, Kasëm Trebeshinës, si dhe 90-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes e Adem Demaçit.
Padyshim, Panairi është ekspozita më e madhe e librit dhe aty bëhet takimi i përvitshëm midis lexuesve, botuesve e shkrimtarëve. E motoja e sivjetme ka një simbolikë më vete.
“Në kohën kur ne mendonim se bota po shkonte drejt hapjes, duket se pashmangshëm ka një kumt frike. Bota vazhdimisht po përballet me mure që ndërtohen midis popujve e kulturave. Libri mbetet formati kryesor me të cilin njerëzit udhëtojnë në kohë, vende e kultura, duke shembur paragjykimet për njëri-tjetrin”, ka thënë Zeneli.
Në pesë ditë, Panairi është adresë e lexuesve që duan të shohin botimet e reja, të pajisen me to dhe të shkëmbejnë biseda me botues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi. Po ashtu, ngjarja mbetet vendtakimi më i madh midis lexuesve dhe autorëve. I ftuari i nderit sivjet është shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Sipas organizatorëve, numri i titujve të rinj shkon në rreth dy mijë, kurse numri i titujve të viteve të fundit prek shifrën e gjashtë mijë botimeve.
Botimet KOHA sivjet në ngjarjen e librit sjell 120 tituj. Prej tyre, gjashtë janë të rinj, botime ekskluzive për Panairin e Librit. “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” me autor Skënder Latifin,
“Përmbytja” nga Granit Zela, “Jugosllavija i Kosovo” i Azem Vllasit, “Një amerikane në Kosovë” i Janet Reineck, vepra “Thesaret e humbura” e Muharrem Blakajt dhe “Ikja si shpëtim” e Ibrahim Kadriut janë veprat e reja me të cilat Botimet KOHA prezantohen gjatë ditëve të Panairit.
Sikurse viteve të kaluara, edhe sivjet kjo shtëpi botuese vjen me çmime speciale.
“Marrëdhënia jonë me lexuesin është tejet e afërt. Ofrojmë vepra të fushave të ndryshme dhe për të gjitha gjeneratat, duke nisur nga fëmijët deri te lexuesit e pasionuar të romaneve, për të kaluar te studiuesit”, ka thënë Fidan Imeri, menaxher i Botimeve KOHA. Sipas tij, zbritja e çmimeve në ditët e Panairit sivjet shkon përtej çdo norme.
“Ne kemi vendosur një standard që çdo vit të kemi deri në 70 e 80 për qind zbritje. Por sivjet shkojmë deri në 90 për qind. Kemi vepra monumentale që mund të blihen me tre, katër e pesë euro. Kjo është një politikë që ndjekim për të qenë sa më afër lexuesve. Derisa inflacioni rritet, ne mundohemi në çdo formë të kontribuojmë që libri të jetë i përballueshëm për lexuesit”, ka thënë ai.
Panairi edhe sivjet mbledh botuesit tradicionalë ndër shqiptarë. Veprat e shkrimtarëve shqiptarë, bashkë me përkthimet nga letërsia botërore, do të jenë të qasshme në pesë ditët e ngjarjes. Për organizatorët, në edicionin e 26-të, ngjarja veçse e ka marrë edhe më shumë karakterin e festës.
“Në Tiranë Panairi mbetet një librari e madhe. Por atje ofrimi i librit gjatë tërë vitit duket se është pak më i zbehtë. Te ne lexuesit gjatë gjithë vitit kanë qasje në botime, kurse Panairi po shkon drejt një feste ku botuesit kurorëzojnë punën njëvjeçare nga një edicion në tjetrin”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli.
Vjet Jetlira Avdijaj qe fituese e çmimit “Autori i Vitit (Letërsi Shqipe)” me romanin e saj “Toka e babës”, të botuar nga Botimet KOHA. Vepra me të cilën Avdijaj vitin e kaluar u shpall laureate e shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi e përball lexuesin me realitetin emocional të shoqërisë që mbështjell plagët në heshtje.
E ftuara e edicionit të vjetëm Sophie Kepes, kishte marrë çmimin tjetër, po aq të rëndësishëm, “Autori i Vitit”, për librin me titull “Çpërkatësia” të përkthyer në shqip. Juria ka qenë në përbërje nga Behar Gjoka, kryetar, dhe anëtarët Majlinda Nana-Rama e Dan Ibrahimi.
Çmimin për prozë e kishte marrë Ahmet Prençi për përmbledhjen e tregimeve “Në emër të gjakut”. Çmime për poezi kishin marrë Shpëtim Selmani për “Kureshtje dhe terror” dhe Arti Lushi për veprën “Zoti i kripës”.
Në fushën e përkthimit, me çmimin “Përkthyesi i Vitit 2025” qe vlerësuar Zija Vukaj dhe Pandeli Pasko Kuteli. I pari për përkthimin e “Pinokut” të Carlo Collodit, ndërsa Kuteli është vlerësuar për përkthimin e veprës “Lufta ime ndaj indiferencës”.
Çmimin special të Panairit e kishte marrë Durim Abdullahu për kontribut të shquar në botimin e librit “Lufta e Kosovës 1997–1999: Një bibliografi e përzgjedhur”. Me çmimin për vepër kapitale, në edicionin e 25-të, ishte nderuar shtëpia botuese “Albas” për botimin e serisë së veprave të Petro Markos.
