Në prag të festës së librit, botuesit kanë renditur problemet, duke folur për ulje të numrit të librave të rinj, biblioteka e librari boshe dhe buxhete të papërfillshme, raportojnë mediat në Shqipëri. “Para disa ditësh ne ua drejtuam shtëpive botuese një pyetësor ku i pyetëm se sa libra të rinj kanë në panair. Ka shtëpi botuese me asnjë libër të ri, që janë prej vitesh në panair, ka që kanë 1- 2 tituj të rinj, ka me 5-6, ka edhe pak që botojnë 20-30-40 tituj, pra ka rënë numri i botimeve dhe cilësia e botimeve”, ka thënë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë
Tirana është gati për Panairin e Librit, por një ditë para hapjes zyrtare, festa paralajmërohet me një lloj alarmi: krizën e leximit dhe të botimeve. “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, është shprehja e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, si mesazh në ngjarjen më të madhe vjetore që bashkon shkrimtarë, përkthyes e studiues. Panairi i 28-të i Librit në Tiranë nis të mërkurën në Pallatin e Kongreseve. Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, të martën, në një konferencë për media, ka renditur problemet, duke folur për ulje të numrit të librave të rinj, biblioteka e librari boshe dhe buxhete të papërfillshme, raportojnë mediat në Shqipëri.
“Para disa ditësh ne ua drejtuam shtëpive botuese një pyetësor ku i pyetëm se sa libra të rinj kanë në panair. Ka shtëpi botuese me asnjë libër të ri, që janë prej vitesh në panair, ka që kanë 1- 2 tituj të rinj, ka me 5-6, ka edhe pak që botojnë 20-30-40 tituj, pra ka rënë numri i botimeve dhe cilësia e botimeve”, citohet të ketë thënë Petrit Ymeri.
Sipas tij, kjo lidhet shumë me buxhetet e papërfillshme dhe me investimin e shtetit në këtë kulturë. Sipas tij, ndryshe është Kosova.
“Ka botues të Kosovës që e kanë zgjeruar spektrin e tyre të botimit dhe na konkurrojnë me nivel të mirë. 1.5 milionë euro ose 2 milionë euro që u jep Qeveria në Kosovë, që shkojnë për përkthime, pagesën e të drejtave të autorit, bibliotekat shkollore dhe ato komunale”, citohet të ketë thënë ai. Përkundër kësaj, në Shqipëri buxhetet, në ndonjë qytet, sipas botuesve, çojnë një libër të vetëm.
“Po marr një rast konkret, që u bë furnizimi me libra për bibliotekat e shkollave, dhe Përrenjasit i çohet vetëm 1 libër, nga e gjithë lista. Nëse e tërë drejtoria ka marrë 30, Përrenjasit i çohet një, nga tërë shtëpitë botuese 5 tituj. Si mund të bësh furnizim biblioteke me 5 libra”, ka thënë botuesi Jani Malaj.
Me gjithë krizën financiare dhe atë të lexuesve të munguar që ose kanë ikur nga vendi, ose nuk janë kultivuar si lexues për shkak të politikave të munguara, Panairi shpall të shtunën çmimet për më të mirët e këtij viti, autori, përkthyesi, libri më i mirë studimor dhe ai i librit më të mirë për fëmijë përfshirë dhe dy çmime nga Ambasada franceze e ajo polake.