Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova anëtare vëzhguese e “Tradukit”, anëtarësimi i plotë peng i politikës

Traduki

Paraprakisht, në mars të këtij viti në Panairin e Librit në Leipzigut, janë zhvilluar takime me përfaqësues të “Tradukit”. Drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha, ka qenë pjesë e një paneli të organizuar nga ky rrjet ku flitej për bibliotekat kombëtare nën kryqëzimin politik. (Sot) e hënë mbahet takimet e parë të “Tradukit” ku merr pjesë Kosova. Për takimin pranveror të rrjetit, një nga dy takimet vjetore, që mbahet kësaj here në Sarajevë, është arritur marrëveshje në Leipzig

Ajo që Biblioteka e ka tentuar që nga dhjetori i 2024-s dhe që ka kulmuar në tetor të vitit të kaluar me aplikim për anëtarësim të rregullt, nuk ka ndodhur. Një muaj më pas, në mbledhjen e rregullt të rrjetit, qe hedhur në votim anëtarësimi i Kosovës. Rezultati: abstenimi i Rumanisë dhe kundërshtimi i Serbisë që ka çuar peshë më shumë se “Po-të” e dhjetë vendeve të tjera. “Çështja kryesore është që Serbia e ka kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Kosovës. E ka penguar dhe e ka kundërshtuar vazhdimisht. Kjo është edhe arsyeja pse është zgjedhur kështu. Për të mos shkaktuar probleme politike, e kanë propozuar një anëtarësim fillimisht vëzhgues deri te një hap tjetër. Serbia e ka kundërshtuar, Rumania ka abstenuar”, është shprehur drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha

Padyshim se anëtarësimi i Kosovës në rrjetin letrar evropian “Traduki” është moment e hap i rëndësishëm për institucionin. Ky anëtarësim i Kosovës – me përfaqësim të Bibliotekës Kombëtare – si anëtare vëzhguese në vend të anëtarësimit të plotë është shembull i qartë se si kultura vazhdon të mbetet peng i politikës. Në rrjetin me bazë në Gjermani që synon të lidhë kulturat letrare, Kosova tashmë veçohet me kufizime për të marrë pjesë duke vëzhguar, por jo për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes. 

Ajo që Biblioteka e ka tentuar që nga dhjetori i 2024-s dhe që ka kulmuar në tetor të vitit të kaluar me aplikim për anëtarësim të rregullt, nuk ka ndodhur. Një muaj më pas, në mbledhjen e rregullt të rrjetit, qe hedhur në votim anëtarësimi i Kosovës. Rezultati: abstenimi i Rumanisë dhe kundërshtimi i Serbisë që ka çuar peshë më shumë se “po-të” e dhjetë vendeve të tjera. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Çështja kryesore është që Serbia e ka kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Kosovës. E ka penguar dhe e ka kundërshtuar vazhdimisht. Kjo është edhe arsyeja pse është zgjedhur kështu. Për të mos shkaktuar probleme politike, e kanë propozuar një anëtarësim fillimisht vëzhgues deri te një hap tjetër. Serbia e ka kundërshtuar, Rumania ka abstenuar”, është shprehur drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha.  

Në këtë rrjet janë anëtarë edhe Gjermania, Austria, Zvicra, Lihtenshtajni, Sllovenia, Bullgari, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Kësisoj, BKK është detyruar të ecë në terren të minuar nga kalkulime diplomatike e veto të heshtura. Ka tentuar ta ndryshojë fatin duke mos e bërë me dije anëtarësimin si anëtare vëzhguese derisa vendimi ka qenë i prerë në takimet e drejtuesve të rrjetit “Traduki” me ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci e drejtoreshën e përgjithshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha. 

“Prej muajit nëntor e dimë që jemi anëtarësuar, por na është kërkuar të jemi diskretë në raport publik”, ka thënë drejtoresha e Bibliotekës, duke e bërë të qartë zhgënjimin institucional dhe absurdin e situatës. 

“Në takimin e nëntorit – meqë ‘Traduki’ mban dy takime vjetore: një në pranverë dhe një në vjeshtë – është votuar anëtarësimi i Kosovës. Informacionin e kemi marrë prej atëherë. Por ajo çfarë është votuar në këtë takim nuk ka qenë e pëlqyeshme për ne sepse jemi anëtarësuar si anëtar vëzhgues. Biblioteka dhe Ministria nuk kanë qenë të kënaqur me çfarë na kanë ofruar. Kemi lobuar e kemi mbajtur takime të pranohemi si anëtarë me të drejta të plota, por kjo na është ofruar  si fazë kalimtare nga anëtarësimi si anëtar vëzhgues tek anëtarë të rregullt me të drejta të plota në vonë”, ka shpjeguar ajo në një bisedë për KOHËN.

Ky status i Kosovës në “Traduki” ngjan në produkt të një presioni politik që vazhdon të diktojë ritmin e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. E ka theksuar edhe Rogova-Gaxha. 
“Me marrëveshjen e Brukselit thuhet se Kosova dhe Serbia nuk e pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por ata po i shkelin premtimet dhe betimet e tyre”, është shprehur ajo, 

Pika 4 e Marrëveshjes së Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. 

Paraprakisht, në Panairin e Leipzigut, janë zhvilluar takime me përfaqësues të “Tradukit”. Drejtoresha e BKK-së ka qenë pjesë e një paneli të organizuar nga ky rrjet ku flitej për bibliotekat kombëtare nën kryqëzimin politik. Rogova-Gaxha ka bërë me dije se këto takimi kanë ndikuar që t’i vihet pika kësaj pune. (Sot) e hënë mbahet takimi i parë ku merr pjesë Kosova. Për takimin pranveror të rrjetit, një nga dy takimet vjetore, që mbahet kësaj here në Sarajevë, është arritur marrëveshje në Leipzig. 
Rrjeti letrar evropian “Traduki” është platformë ndërkombëtare “që synon të lidhë kulturat letrare të Evropës, me një fokus të veçantë në bashkëpunimin midis vendeve të Evropës Juglindore dhe atyre gjermanofolëse”. U themelua në vitin 2008, me mbështetjen e institucioneve si Ministria Federale e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, si dhe fondacioneve kulturore dhe ministrive të kulturës nga vende të ndryshme evropiane. 

Pjesëmarrja aty vjen si anëtar i rregullt dhe anëtarë/partnerë bashkëpunues ose vëzhgues. Të parët kontribuojnë financiarisht dhe marrin pjesë në vendimmarrje ndërsa të dytët marrin pjesë në projekte, por me rol më të kufizuar. 

Kësisoj, Kosova merr pjesë me projekte e aktivitete, por jo në planifikime vjetore. Nuk ka të drejtë vote në strategjinë e “Tradukit”. 

Por, sipas Rogova-Gaxhës, ky anëtarësim, sido që të jetë, është i rëndësishëm për promovimin e letërsisë së Kosovës. 

“Është e rëndësishme për shkak se letërsia shqipe, duke pasur mungesë të mekanizmave që i promovojnë autorët, që përkthejnë dhe promovojnë jashtë kufijve, kjo është shumë e rëndësishme për krijimin e urave të komunikimit, për krijimin e mundësive të forcimit të veprave në gjuhën gjermane dhe në gjuhët tjera anëtare të ‘Tradukit’, rritet mundësia e përkthimeve të autorëve të huaj në gjuhën shqipe, por qëllimi ynë është krijimi i mundësive të prezantimit të letërsisë shqipe të Kosovës në vendet gjermanofolëse dhe në ato që janë anëtare të ‘Tradukit’”, është shprehur më tej Rogova-Gaxha. 

Sipas saj pritet që për një kohe të shkurtër Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota dhe se për këtë do të marrin hapa diplomatikë e politikë. 

Deri atëherë, anëtarësimi në këtë rrjet mbetet territor negociatash ku librat dhe autorët duhet të presin radhën pas interesave politike.