Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kongoli: Kosova më vlerësonte kur sulmohesha egërsisht në Shqipëri

Fatos Kongoli - intervistë

“Kam folur shpesh për lidhshmërinë time me Kosovën. Kam mall për të dhe gjithmonë dua të vij këtu sepse në momente tepër të rëndësishme të jetës sime, atëherë kur sulmohesha egërsisht në Shqipëri, sidomos pas botimit të librit ‘Iluzione në sirtar’, i cili u vu në shënjestër nga egërsira primitive, në Kosovë, po ky libër u vlerësua me çmimin ‘Rexhai Surroi’. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme”, ka thënë shkrimtari i njohur, Fatos Kongoli, mysafir nderi i librarisë “Dukagjini” në 22-vjetor. Shkrimtari i shquar ka folur për “prapaskenat” e të shkruarit, për vuajtjet e shkrimtarit e për shkrimtarët që kanë ndikuar tek ai

Për shkrimtarin Fatos Kongoli, shkrimi nuk është komodidet. Përkundrazi, ai e bën të vuajë. “Prapaskena” të ngjashme, mjeshtri i letrave shqipe i ka ndarë në takimin me lexuesin në Prishtinë, të enjten pasdite, si i ftuar nderi i “Dukagjinit” me rastin e 22-vjetorit të themelimit. Ka thënë se gjithherë ka mall për Kosovën, e cila e ka vlerësuar kur në vendin e tij sulmohej keqas. Këtë e ka ilustruar me rast konkret.

“Kam folur shpesh për lidhshmërinë time me Kosovën. Kam mall për të dhe gjithmonë dua të vij këtu sepse në momente tepër të rëndësishme të jetës sime, atëherë kur sulmohesha egërsisht në Shqipëri, sidomos pas botimit të librit ‘Iluzione në sirtar’, i cili u vu në shënjestër nga egërsira primitive, në Kosovë, po ky libër u vlerësua me çmimin ‘Rexhai Surroi’. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme”, ka thënë Kongoli, laureat i këtij çmimi më 2011. Por për Kongolin (78) – i lindur në Elbasan, e që ka studiuar matematikë në Pekin dhe Tiranë autor i një numri të madh veprash, si “Ne të tre”, “I humburi”, “Jetë në një kuti shkrepsash”, “Lëkura e qenit”, “Stinë pandemie” e të tjera – kënaqësi nuk është të shkruarit. Sipas tij, ndryshe nga ç’është mësuar publiku të dëgjojë prej shkrimtarëve, të shkruarit është një terror më vete.

“Të shkruarit më ka bërë gjithmonë të vuaj”

“Të shkruash nuk është komoditet, të shkruash nuk më ka dhënë kurrë kënaqësi, më ka bërë gjithmonë të vuaj. Frënget kanë një shprehje: ‘Terrori i faqes së bardhë’. Ulesh në tryezën e punës, ke para një faqe të bardhë dhe duhet ta mbushësh! Ky është tmerr! Nuk mbushet kollaj! Sepse, me çfarë duhet ta mbushësh. Është një proces i gjatë”, ka thënë Kongoli, rrethuar nga rafte plot libra.

Por shkrimtari mbetet gjithmonë i pakënaqur. Nuk ndihet asnjëherë i lehtësuar. Të lumtur nuk e bën as botimi i veprës së tij sepse, pas botimit, ai mbetet bosh, nuk është i sigurt më nëse do të vazhdojë të shkruajë apo do ta lërë me kaq. Megjithatë Kongoli vazhdoi gjithmonë të shkruante dhe t’i sillte lexuesit romane njëri pas tjetrit.

Edhe “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur?” Shtojca për Kulturë “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur?”

“Kur e përfundoj një roman ndihem bosh. Periudha midis dy librave ka qenë një periudhë vuajtjeje për mua, gjithmonë. Kur mbetesh bosh, mbasi që e ke shkruar librin, e ke nxjerrë jashtë, nuk di çfarë të bësh. Je bosh. Nuk di nëse do shkruar apo s’do shkruash më. Unë kam qenë me fat sepse këto periudha boshllëku nuk kanë zgjatur shumë sepse unë kam botuar shumë, një libër në dy vjet apo dy libra në tre vjet”, ka thënë shkrimtari i përkthyer në disa gjuhë të botës.

Si shkrimtar, i cili është lexuar shumë dhe vazhdon të lexohet ende me të njëjtin intensitet, Kongolit i është kërkuar nga audienca këshillave që një shkrimtar duhet t’i di në fillet e tij. Ka theksuar veçmas kapërcimin e asaj që ai e quan “talenti i ri”.

“Nuk ka punë më skllavërove se sa të shkruash, është puna më e rëndë, më skllavërore. Të gjithë ata që shkruajnë kalojnë nëpër një fazë që unë e quaj faza e ’talentit të ri’ apo faza e përkrahjes. Ka të tillë që mbeten gjithmonë ‘talente të reja’. Ndërsa të shkruash është krejt tjetër gjë. Ka që e kalojnë shumë shpejt këtë fazë, pra nuk fluturojnë, por kërkojnë dhe hyjnë në letërsinë e vërtetë. Më e rëndësishmja është leximi. Çdo njeri që synon të bëhet shkrimtar duhet të lexojë shumë”, ka qenë përgjigjja e tij.

“Bashkë me librin e çoj lexuesin aty ku dua”

Për ta kuptuar se si është të qenit shkrimtar, çfarë do të thotë të shkruash dhe çfarë lufte bën një shkrimtar me veprën e tij, Kongoli ka shpalosur disa detaje se si ai vetë ndihet kur shkruan një libër. Ka këshilluar se për të shkruar një vepër të mirë duhet të kapërcehen disa faza derisa shkrimtari bëhet ai që e drejton librin.

“Kur shkruaj një libër, katër faqet e para janë jashtëzakonisht të vështira, pastaj 40 faqet e para janë jashtëzakonisht të vështira. Në fillim nuk je ti që e ke librin në dorë. Unë bindem që do ta shkruaj, që do ta përfundoj një libër, kur vjen momenti që unë e kam në dorë librin. Bashkë me librin pastaj e çoj unë ku të dua lexuesin. Nuk jam unë rob i personazheve, por janë ata rob të mi”, ka thënë Kongoli, i cili siç ka thënë ka disa vjet që s’e ka vizituar Kosovën.

Edhe “Vajzëri në luftë” prej “bërllokut shqiptar” tek e bija e kriminelit serb Kulturë “Vajzëri në luftë” prej “bërllokut shqiptar” tek e bija e kriminelit serb

Libri i fundit nga Fatos Kongoli është romani “Stinë pandemie”, të cilin ai e shkroi gjatë kohës sa gjendej në izolim si pasojë e koronavirusit dhe të cilin e botoi më 2020. Shkrimtari ka treguar se ajo që e kishte shtyrë të shkruante këtë roman ishte një thënie, e lexuar kaherë në një revistë franceze, e shkrimtarit amerikan, Norman Mailer, ku thoshte: “Sa herë shkruaj një roman, dua ta rrëfej një histori”. Pas shkrimit të romanit “Stinë pandemie”, Kongoli ka arritur në një përfundim: se letërsia nuk është histori, prandaj ajo nuk mund të rrëfehet.

“Letërsia krijohet dhe krijimi është metafizik”

“A është e vërtetë se shkrimtari duhet të rrëfejë një histori? Thash se po. Asgjë në letërsi nuk krijohet pa pasur për bazë një histori. Sepse edhe duhet ta ketë. Por, a është letërsia historia? Unë erdha në përfundim se nuk është kështu sepse historia rrëfen, tregohet, kurse për dallim nga ajo, letërsia nuk mund të tregohet, të rrëfehet, letërsia krijohet dhe krijimi është metafizik, nuk shpjegohet”, ka thënë Kongoli

Njëra ndër veprat më të njohura të Kongolit është romani “I humburi”, i cili për herë të parë u botua më 1992. Emri i Kongolit lidhet pazgjidhshmërisht me këtë roman, i cili në fillimet e tij në Kosovë kishte pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Për këtë roman është shkruar dhe vazhdon të shkruhet edhe sot. Megjithatë një gjë që është theksuar vazhdimisht nga shumica e studiuesve, ka të bëjë me atë se romani “I humburi” ka një lidhshmëri të madhe me romanin “I huaji” të Albert Camus, veçmas kur bëhet fjalë për praninë e absurdit dhe metodës ekzistencialiste.

Vetë ai nuk pajtohet se mund të përfshihet te letërsia e filozofia ekzistencialiste.

“Nuk mund ta them këtë. Nuk mund të them se unë i përkas ekzistencializmit sepse unë kam studiuar matematikë dhe nuk kam asnjë njohuri për rrymat letrare. Të shkruarit ka karakter metafizik. Nuk mendoj se do të shkruaj në përputhje me ndonjë rrymë letrare, do të shkruaj se më pëlqen”, ka thënë ai.

Edhe “Keqkuptimi” në New York përkthen traumat e luftës në Kosovë Kulturë “Keqkuptimi” në New York përkthen traumat e luftës në Kosovë

Sikurse çdo shkrimtar i shquar, i cili rritet duke “imituar” një shkrimtar tjetër të madh, edhe Kongoli ka pasur disa shkrimtarë model prej të cilëve u ndikua krijimtaria e tij. Meqenëse përveç gjuhës shqipe, ai flet edhe rusishten dhe frëngjishten, Kongoli arriti ta lexonte Dostojevskin, në origjinal, qysh kur kishte qenë i ri.

“Tek unë, në kohë të ndryshme, kanë ndikuar shkrimtarë të ndryshëm. Në krijimtarinë time, të gjithë këta shkrimtarë, të preferuar e mi, shfaqen në veprat e mia në mënyrë të pavetëdijshëm. Nga autorë shqiptarë që unë kam mësuar shumë nga disiplina e tyre e lartë janë dy, më të mëdhenjtë e gjuhës shqipe: Mitrush Kuteli dhe Ismail Kadare. Ndikim kam pasur edhe nga dy klasikët e mëdhenj, njëri i shekullit XIX, Fjodor Dostojevski, dhe njëri i shekullit XX. Të dy këta shkrimtarë më kanë magjepsur”, ka thënë ai.