Ngjarja vendoset në New York, vetë shkrimtarja qe përkthyese për një të mbijetuar torturash gjatë luftës në Kosovë, nuk ia doli mbanë ta kryejë këtë detyrë, por rrëfimin e “përktheu” në romanin e saj debutues, “Keqkuptimi”. Me këtë vepër, Ledia Xhoga u bë pretendente edhe për çmimin “Booker” e të hënën pasdite, botimi në shqip e ka sjellë edhe në Prishtinë, aty ku gjëllin historia e personazhit
Me romanin e saj “Keqkuptimi”, shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga qe bërë pjesë e listës së pretenduese për çmimin e madh të letërsisë “Booker”. Në anglisht u botua vitin e kaluar. Rrëfimi për trashëgimitë e errëta të familjes dhe atdheut, prej shtatorit flet edhe në shqip. Paralelisht sjell zbërthen kufirin midis dhembshurisë e kujdesit për veten. Në Prishtinë është shënuar, siç ka treguar, promovimi i parë i një vepre të saj në shqip. Ka ardhur në vendin ku gjen vend narrativa e romanit – pasojat e luftës në Kosovë.
Në hapësirat e “Reporting House” në Prishtinë, publiku ka pasur rastin të dëgjojë gjithë prapavijën e veprës së shkrimtares Xhoga. Ka ndarë edhe përvojat gjatë procesit të të shkruarit e shpalosur tematikën, në bashkëbisedë me shkrimtaren Doruntina Vinca.
Shkrimtarja Ledia Xhoga është shprehur shumë e emocionuar për ngjarjen e parë në shqip që promovon veprën e saj po ashtu në shqip. Në roman është një pjesë e përvojës së saj e transferuar te personazhi qendror – përkthyesja – por ajo ka thënë se këto kujtime tashmë nuk janë të sajat.
“Për mua sa herë që shkruaj diçka, edhe sikur të jetë e imja, nuk është e imja, i përket asaj. Sa herë e lexoj librin, nuk më duken kujtime të mia, më duken kujtime të asaj. Nuk mund të them se kam pasur ndonjë debat të madh për këtë. M’u duk se gjeta tamam një pjesë që i mungonte librit. Ndonjëherë më kujtohet shprehja e Fellinit që ‘shkrimtarët nuk është se e shpikin veprën, duket se ajo është krijuar dhe thjesht të jepet ideja ta sjellësh’”, ka thënë Xhoga.
Disa prej këtyre kujtimeve që i ka ndarë me publikun, vijnë nëpërmjet protagonistes në krijimin e saj.
“Për shembull kujtesën, ka qenë në shkollë të mesme atëherë, kujton se si gjithë ata meshkuj të rritur rrinin rreth e qark shkollës, nuk ishin në punë dhe vetëm ngacmonin vajzat. Nuk e dija, nuk e kisha ndërmend të shkruaja fare për këto, por erdhi diçka papritur. Dhe kur erdhi mendova që, kjo i përket kësaj historie dhe m’u duk që gjeta një pjesë të historisë së saj që nuk e dija”, ka treguar shkrimtarja Xhoga.
Sipas shpjegimit për romanin “Keqkuptimi”, rrëfimi vendoset në New Yorkun e sotëm ku një përkthyese pranon të punojë me Alfredin, i mbijetuar kosovar i torturës, gjatë seancave të tij të terapisë. Pavarësisht paralajmërimeve të burrit të saj, ajo shpejt ngatërrohet në betejat e klientëve të saj: makthet e Alfredit ngjallin kujtimet e saj të varrosura dhe një përpjekje impulsive për të ndihmuar një poet kurd çon në një takim të rrezikshëm dhe të pamatur.

“Ndërsa vendimet fatkeqe grumbullohen, duke rrezikuar martesën dhe shëndetin mendor të rrëfimtarit pa emër, ajo bën një udhëtim spontan për t’u ribashkuar me nënën e saj në Shqipëri, ku jeta e saj në Shtetet e Bashkuara është lehtësuar shumë. Kur ajo kthehet për t’u përballur me pasojat e veprimeve të saj, ajo duhet të pyesë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Përtypës dhe shtytës, romani debutues i Ledia Xhogas, ‘Keqkuptimi’, vë në pyetje trashëgimitë më të errëta të familjes dhe vendit, dhe kufirin midis dhembshurisë dhe vetëruajtjes”, shkruhet aty.
E një pjesë e rrëfimit, i përket përvojës personale të shkrimtares.
“Personi për të cilin do përktheja ishte kosovar dhe jeta e tij ishte shumë e ngjashme me jetën e Alfredit, atë që kishte jetuar ai. Ama nuk arrita ta bëja përkthimin, më duket se gjetën diçka tjetër por vazhdoja të mendoja për përkthyesen. Ngaqë ishte një punë e ndjeshme të cilën nuk do ta bëja dot, nuk më pëlqen të shkoj te doktori dhe të ndihmoj dikë në këto seancat e psikiatrisë. Do ishte e pamundur ta bëja. Dhe fillova të mendoja se çfarë lloj njeriu mund ta bëjë këtë. Fillimisht mendova që është dikush që do të ndihmojë të tjerët, nuk diskutohet, por edhe dikush që është shumë e fortë nga ana emocionale”, ka thënë Ledia Xhoga, shkrimtare dhe dramaturge shqiptare që jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka lindur në Tiranë dhe jeton me familjen e saj në Brooklyn. Romani i saj i parë, “Keqkuptimi”, u përzgjodh në listën e gjatë për çmimin prestigjioz “Booker 2025”, duke u bërë e dyta shkrimtare shqiptare që nominohet për këtë çmim, pas Ismail Kadaresë, që e ka fituar çmimin në vitin e themelimit të tij më 2005, dhe është nominuar po ashtu edhe dy herë të tjera në 2017-n dhe në 2024-n.
Ajo ka fituar çmimin e Librit të Qytetit të New Yorkut dhe u shpall finaliste për Çmimin e Romanit të Parë në “Center for Fiction” në Brooklyn. Shkrimet e saj janë botuar në “Electric Literature”, “Lit Hub”, “Brooklyn Rail”, “Large Hearted Boy”, “Intrepid Times”, “Hobart” dhe revista të tjera letrare.
E shkrimtarja Doruntina Vinca e ka konsideruar romanin me shumë tema të mbivendosura gjatë gjithë leximit të tij.
“Nëse më pyet dikush se për çfarë flet libri, është shumë e lehtë të them që është për një përkthyese që përkthen për emigrantët që vijnë në Amerikë dhe që flasin shqip”, ka thënë ajo duke shpjeguar më tej përmbajtjen. “Episodi i parë që e shohim te libri, që është një takim i përkthyeses me personazhet kryesore të librit dhe Alfredit që është i mbijetuar i luftës në Kosovë, i cili ka nevojë për përkthyese dhe personazhi kryesor e shoqëron. Ndërkohë kemi elemente të kujtesës si ora e gjyshit, Garibaldi, kujtesa se si e mbante mend mbushjen e dhëmbëve kur ishte fëmijë. Pra, është një mbivendosje tipike njujorkeze në një park midis qytetit”, ka thënë Vinca, shkrimtare, hulumtuese dhe përkthyese nga Prishtina, me bazë në Tiranë.
Sipas biografisë, praktika e saj luhatet midis gjuhës, letërsisë feministe dhe tekstit si mjet për të eksploruar forma të reja të kolektivitetit dhe ndarjes së dijes. Ajo është bashkëthemeluese e grupit të leximit “Radical Sense” dhe redaktore e dy vëllimeve me tekste feministe të përkthyera dhe botuara në shqip.
Ngjarja është organizuar në kuadër të programit “Në bisedë” të “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” dhe si pjesë e platformës “Heritage Space” të kësaj organizate.