Në vitet ’90, në qytetin e saj, Gjilan, si fëmijë, bashkëmoshatarët serbë e quajtën “bërllok shqiptar”. Ia mbushën hundët gjak veç pse ishte shqiptare dhe për serbët, shqiptarët ishin të tillë. Fshiu gjakun, dhe vazhdoi rrugën. Kishte koncert pianoje. Është Vjosa Musliu, sot profesoreshë Universitetin e Lirë të Brukselit. Kishin kaluar vite prej asaj kohe. Në një ditë në dukje të zakonshme do t’i afrohej një studente. Ishte e bija e një pjesëtari të forcave serbe. Rrëfime si këto shpalosen në librin e saj “Vajzëri në luftë”. Një vepër si kjo, nuk është thjesht dokumentim. Është hulumtim shkencor ku studiuesja e marrëdhënieve ndërkombëtare merret me segregacionin e luftën duke qenë viktimë. Intervenim që zhbën praktikën se shkaku i objektivitetit me studimet e luftërave duhet të merren neutralët
Është profesoreshë e asocuar e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Brukselit. Në një rutinë ditore mbledh provimet me shkrim të studentëve. Janë rreth 500 studentë në sallë, por njëra prej tyre dëshiron t’ia thotë pak fjalë profesoreshës. Me shumë empati, studentja 19-vjeçare i drejtohet: “Jam e lumtur që të njoh, je personi i parë nga Kosova që e njoh...Babi im ka luftuar në Kosovë...”. Profesoresha është nga Gjilani i Kosovës e studentja nga Kraleva e Serbisë. Profesoresha si fëmijë është trajtuar si “mbeturinë” nga serbët lokalë gjatë viteve ’90. Kurse më 1998 dhe 1999, forcat serbe vranë mbi 10 mijë civilë shqiptarë në Kosovë veç pse ishin shqiptarë. Dhe i ati i studentes është një prej atyre pjesëtarëve të forcave serbe që bënë krime në Kosovë në emër të shtetit të Serbisë. Krejt ngjarja zhvillohet në kryeqytetin e Evropës. Në Bruksel.
Fytyra e munguar e njeriut në luftë
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy është rrëfimi i fundit në librin e Vjosa Musliut, “Girlhood at War” (Vajzëri në luftë), i botuar vitin e kaluar e i promovuar të enjten mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë. Libri përtej një rrëfimi personal me 32 tregime është intervenim akademik. Intervenim ku studiuesja e marrëdhënieve ndërkombëtare merret me segregacionin e luftën duke qenë viktimë. Intervenim që zhbën praktikën se shkaku i objektivitetit me studimet e luftërave duhet marrë neutralët, ata që s’ia kanë idenë se çfarë ka ngjarë dhe rendisin statistika. Vjosa Musliu s’e duron këtë normë, ku veç njerëzorja s’ka vend. Në librin e botuar nga shtëpia botuese britanike me nam ndërkombëtar “Bloomsbury”, Vjosa Musliu flet si njeri që ka përjetuar tmerr e po ashtu si akademike.
“Është vazhdimësi e librave të tjerë akademikë që i kam botuar më herët, por është intervenim metodologjik pasi e narrativizon luftën”, ka thënë ajo në promovimin e organizuar nga fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”. Nëpërmjet një bashkëbisede me shkrimtaret dhe hulumtueset Lura Limani e Doruntina Vinca, Musliu ka dhënë shumë shpjegime dhe ka treguar për qasjen e saj jo veç në këtë vepër.
“Në një përkthim ndoshta më të drejtpërdrejtë qëllimi i librit ose qëllimi i këtij intervenimi metodologjik ka qenë për ta kthyer vëmendjen ose për ta analizuar luftën jo në aspektin tradicional se si studiohet lufta sidomos në hapësirën perëndimore, si diçka e cila shihet si efekt ose kontekst gjeopolitik, ku flitet për ushtarë, statistika, territore, për bartje të popullsive, për numër të refugjatëve”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se në këto prodhime akademike, zakonisht në pjesën më të madhe të tyre mungon aspekti njerëzor. Ka thënë se mungon fytyra e njeriut në luftë, po ashtu dhe dora e personit me një të kaluar të caktuar të shtypjes, segregacionit e luftës që shkruan për këtë temë.
“Tradita pozitiviste thotë se studiuesi dhe subjekti i studimit duhet të jenë të ndara me njëri-tjetrin. Kjo ndarje sipas kësaj tradite e përcakton njëfarë objektiviteti, por duke e bërë këtë po ashtu e përcakton se kush është legjitim të shkruajë për luftën, kush është legjitim të shkruajë për paqen. Për rrjedhojë, disa zëra ose disa subjekte dalin të jenë jolegjitimë ose më pak legjitim se të tjerët”, ka thënë autorja e tre librave dhe dhjetëra artikujve shkencorë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Musliu nuk e përfill këtë qasje. Madje me aq sa ka mundësi përballet me synimin për ta ndryshuar atë. Sipas saj, pjesa më e madhe e njohurisë akademike për studimet e luftës a të paqes është shkruar nga njerëz të cilët nuk kanë përjetuar asnjërën nga këto të dyja.
“Mirëpo, ata ligjërojnë, krijojnë departamente, përcaktojnë politika se si duhet t’u qasemi aspekteve të luftës e të paqes”, ka thënë ajo. Libri i Musliut nuk është i frymës së një syri të tretë në një luftë e që në rastin e Kosovës, zakonisht përgjegjësinë e ndanë me “Both sides” (të dyja palët).
Përgjakja e fëmijës pianist
Kur Musliut i kërkohet që të lexojë pak nga vepra, aty arsyetohet edhe kundërshtimi i saj për qasjen e palëve të treta objektive. Tregimi që lexon tregon se si po ecte në qytetin e saj, në Gjilan, si fëmijë kur bashkëmoshatarët serbë e quajtën “bërllok shqiptar” dhe ia mbushën hundët gjak veç pse ishte shqiptare dhe për serbët, shqiptarët ishin të tillë. Madje edhe për fëmijët serbë, pasi pushteti i Sllobodan Millosheviqit vendosi asisoj dhe shumica e popullit serb e pranoi atë. Rrëfimi i saj vazhdon po atë ditë në rrugë e sipër për të luajtur piano. Dhe Vjosa Musliu në këtë rast nuk qe numër e as statistikë. Por fëmijë që duhej të fshinte gjakun, të pastronte veshjet e të ulej për të treguar shkathtësitë e saj prej artisteje. Aq sa mund t’i tregonte nën atë trysni.
“Intervenimi i dytë ka të bëjë me aspektin global gjeopolitik. Lufta është fatkeqësi njerëzore, nuk është as rasti i parë e as i fundit, por ka hierarkizim të luftërave, të vuajtjeve, të gjenocideve dhe në këtë kuptim vendoset njëfarë hierarkie se cilat janë më të vlefshme e cilat më pak të vlefshme. Për cilat luftëra meritohet të shkruhet e për cilat jo”, ka thënë Musliu. Sipas saj, në këtë piramidë në aspektin global, lufta e Kosovës jodetyrimisht e ka ekskluzivitetin të narrativizohet prej civilëve, jodetyrimisht e ka ekskluzivitetin të shkruhet e studiohet prej subjekteve të saj.
“Libri është një ngacmim tutje në prishjen e hierarkive se cilat luftëra e cilat gjenocide meritojnë të shkruhet për ato”, ka thënë Musliu.
Tregimet ose esetë e saj, sipas profesoreshës së shkencave politike në Universitetin e Floridas, Aida Hoziq, hapin terren të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare narrative. Sipas saj, rrëfimtari-fëmijë nuk zhvillohet në këtë libër për t’u bërë një studiuese e përkryer e marrëdhënieve ndërkombëtare, siç është sot Vjosa Musliu.
“Historitë në këto ese tregohen me një ndershmëri tronditëse, duke pasqyruar vështrimin e pakorruptueshëm të një fëmije të parakohshëm që arrin të shohë përtej gënjeshtrave, mashtrimeve dhe intrigave të të gjithë atyre që ushtrojnë pushtet mbi të — veçanërisht të serbëve dhe forcave serbe, por edhe të të rriturve të tjerë në rrethin e saj”, ka shkruar studiuesja Hoziq në parathënie. Sipas saj, në këtë vepër, makabriteti dhe mizoria e një shtypjeje të orkestruar politikisht, që depërton në jetën e përditshme, përcillen aq bindshëm sa përvojat e shqetësimit të rrënimtares bëhen të prekshme për lexuesit.
“Ne shkruajmë jo për të shfajësuar veten, por për ta çliruar botën, dhe në këtë libër Vjosa Musliu e bën këtë mjeshtërisht”, ka shkruar midis të tjerash Hoziq.
Derisa ka folur për zanafillën e librit, autorja Vjosa Musliu ka treguar se zanafilla e veprës është Belgjika. Në vitet e para të jetës së saj atje, ajo ka shpjeguar se është përballur me kompleksitetin ligjor e administrativ, që ishte i një forme nëpërmjet së cilës jepej mesazhi: “Ju nuk jeni të mirëseardhur këtu”.
“Kjo e shpërfaqi një dhunë konceptuale të mikroracizmave, të botëkuptimeve perëndimore se si ata e paramendojnë Kosovën pa qenë asnjëherë këtu”, ka thënë ajo. Më pas ka shpjeguar se kjo ndeshje me këto spektre të dhunës ia rikujtoi një varg aspektesh të dhunës, që ajo bashkë me shqiptarët e tjerë kanë përjetuar në vitet ’90.
“Ti si subjekt shqiptar është dashur të rrudhesh. Krejt këto subjekte m’u rikthyen në kryeqytetin e Evropës së Bashkuar. Ky është konteksti i përgjithshëm e në libër ka episode të ndryshme”, ka thënë ajo. Libri pasqyron shumëçka nga përvoja personale e rrudhjes. Dhe vepra e Musliut me shumë detaje e lufton qasjen që shkaktojnë këto situata bashkë me mënyrën se si shihen e studiohen ato.
Episodi skizofrenik që nuk përfundon
Ajo ka përmendur edhe rastin me studenten e nacionalitetit serb me të cilën përfundon vepra. Ka treguar se ajo kishte shumë dashamirësi kur iu drejtua.
“Më tha: ‘Babi im ka luftuar në Kosovë...’ dhe këtë e tha me njëfarë forme sikur unë duhet t’ia jap një përqafim në atë moment. Në atë moment ai auditorium bëhet një hapësirë që nuk di si ta menaxhojë pasi ajri ndryshoi aty. Qartësisht studentja nuk e ka të qartë se çfarë ka ndodhur, kurrë nuk ka mësuar se çfarë ka ndodhur, as për krimet e bëra në emër të saj dhe krimet që babai i saj i ka kryer në Kosovë në emër të shtetit serb”, ka thënë Musliu.
Sipas saj, ky lloj episodi skizofrenik tregon se si Serbia pas periudhës së Millosheviqit është përballur apo nuk është përballur me atë që ka ndodhur në Kosovë.
“Këto aspekte skizofrenike na ndjekin gjatë gjithë kohës. Kjo është shtysa në aspektin personal e akademik se përse të shkruhet ky libër”, ka thënë autorja e veprës ku rrëfehet ndjesia e një të shtypuri e intervenohet që qasja studimore e praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare, midis të tjerash, viktimat e agresorët të mos i shohin thjesht si dy palë që kanë pasur konflikt e duhet të merren vesh dhe që luftërat të mos jenë çështje statistikash.