Ne e kalojmë pjesën më të madhe të jetës duke bërë sikur kemi kohë. Shtyjmë takimet, fjalët, dashuritë, librat që duam të lexojmë, gjërat që duam të bëjmë. Vdekja na kujton se koha nuk është e pafundme. Ajo është banesa jonë pas jetës. Nuk është një vend ku duam të shkojmë, por është vendi ku të gjithë do të përfundojmë
Kam një pyetje. A është më mirë të vuash duke e ditur pse vuan, apo të jetosh i qetë në padije? Sokrati, në një farë mënyre, zgjodhi vuajtjen. Jo sepse e donte vuajtjen, por sepse nuk pranoi të jetonte pa e vënë në dyshim atë që të tjerët e quanin të vërtetë. Ai pyeste, kundërshtonte, shqetësonte. E ata që janë mësuar me përgjigje të gatshme, shpesh e urrejnë njeriun që pyet.
Është kjo pyetje që lidhet shumë me letërsinë dhe me njeriun që shkruan.
Letërsia nuk ka lindur për të na bërë të ndihemi mirë. Shpesh ajo bën të kundërtën. Ajo na fut duart në plagë, na detyron të shohim atë që do të donim të mos e shihnim dhe na kujton se njeriu nuk është aq i mirë sa dëshiron të duket.
Ndoshta kjo është arsyeja pse shkrimtari shpesh është një njeri i pakënaqur. Jo domosdoshmërisht i palumtur, por i pakënaqur me sipërfaqen.
Zilia, krenaria, pushteti, padrejtësia, paaftësia për të pranuar tjetrin nuk janë vetëm probleme të kohës sonë. Ato janë ndër temat më të vjetra të letërsisë.
Edhe
“Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”
Një nga dobësitë më të çuditshme njerëzore është se nuk vuajmë gjithmonë sepse nuk kemi diçka. Shpesh vuajmë sepse dikush tjetër e ka. Nga tragjeditë e lashta deri te romanet moderne, personazhet nuk shkatërrohen vetëm nga mungesa. Shpesh shkatërrohen nga krahasimi. Ata e matin veten me tjetrin dhe, sa më shumë e shohin tjetrin, aq më pak e shohin veten. Letërsia botërore është e mbushur me personazhe që vuajnë pikërisht sepse jeta e tyre nuk u duket më e mjaftueshme përballë jetës së tjetrit.
Emma Bovary e Flaubertit nuk vuan vetëm sepse nuk e gjen dashurinë që kërkon, por sepse e krahason vazhdimisht realitetin e saj me një jetë të idealizuar, të ndërtuar nga romanet, ëndrrat dhe imagjinata. Sa më shumë që përpiqet t’i afrohet asaj jete, aq më e padurueshme i bëhet jeta që ka.
Ndoshta njeriu nuk vuan gjithmonë nga mungesa. Ndonjëherë vuan nga pamundësia për të qenë i kënaqur me atë që ka.
Një tjetër shembull është Raskolnikovi i Dostojevskit. Ai përpiqet ta bindë veten se mund të jetojë përtej kufijve të zakonshëm moralë, se mendja mund ta justifikojë atë që ndërgjegjja e kundërshton. Por nuk arrin ta evitojë vuajtjen. Jo vetëm që ka frikë se do të zbulohet, por në të ndodh një konflikt shumë më i thellë me veten. Dhe këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të dijes , ajo që na bën më të vetëdijshëm mund të na bëjë edhe më të pakënaqur. Por, në të njëjtën kohë, është pikërisht kjo vetëdije që na jep mundësinë të ndryshojmë.
Prandaj, ndoshta problemi nuk është nëse duhet të dimë apo të mos dimë. Problemi është çfarë bëjmë me atë që dimë. Sepse dija mund të na rëndojë, por mund edhe të na çlirojë. Mund të na tregojë plagën, por vetëm pasi ta kemi parë plagën mund të fillojmë të mendojmë se si ta shërojmë.
Idenë e vuajtjes e gjejmë në një formë tjetër edhe te Migjeni. Në një nga letrat e tij ai shkruan se vuan me fëmijën që nuk ka mundësi të luajë, me të riun që mbytet në apatinë e jetës, me plakun që dridhet nga frika e vdekjes, me bujkun, me punëtorin dhe me të sëmurin. Pra, vuajtja e tij nuk buron nga dëshira për të vuajtur, por nga pamundësia për të qenë indiferent ndaj dhimbjes njerëzore. Në këtë kuptim, edhe te Migjeni vuajtja lidhet me dijen, sa më shumë sheh, kupton dhe ndien, aq më pak mund të jetosh i qetë në padije.
A duhet patjetër që njeriu që mendon të vuajë?
A duhet që ai që sheh më shumë të jetë më i palumtur? A është çmimi i dijes vuajtja?
Sepse nëse është kështu, atëherë ndoshta pyetja ime e parë nuk është e plotë. Ndoshta nuk duhet të zgjedhim mes Sokratit të vuajtur dhe derrit të kënaqur. Ndoshta ekziston edhe një i tretë.
Sokrati i kënaqur
Një Sokrat që pyet, por nuk dëshpërohet nga pyetjet. Një Sokrat që e di se do të vdesë, por prapë jeton.
Një Sokrat që e sheh padrejtësinë, por nuk lejon që padrejtësia t'ia marrë të gjithë kënaqësinë e jetës.
Migjeni thoshte, se letërsisë nuk i duhen vetëm “kryevepra botnore”, por shkrimtarë që dinë të pasqyrojnë realitetin që jetojnë, që e shohin jetën pa perde, pa temianë, pa frikë.
Kjo më duket shumë më e rëndësishme sesa dëshira për t'u dukur shkrimtar. Sepse mund të shkruash shumë bukur dhe të mos thuash asgjë.
Edhe
Dija që kapërcen kufijtë kombëtarë
Mund të shkruash për vuajtjen dhe të mos kesh kuptuar vuajtjen. Shkrimtari, në fund, duhet të shohë.
Dhe të shohësh nuk do të thotë vetëm të shohësh të keqen. Do të thotë të shohësh edhe të mirën.
Të shohësh vdekjen, por edhe jetën. Të shohësh zilinë, por edhe bujarinë.
Të shohësh padrejtësinë, por edhe njeriun që ende zgjedh të jetë i drejtë. Vuajtja mund të jetë një burim i letërsisë.
Por nuk është burimi i vetëm.
Një kritikë që kam marrë nga babai im është pse, në çdo gjë që shkruaj, flas për vdekjen.
Vdekja nuk tingëllon e bukur, por është pikërisht ajo që e bën letërsinë të mundur (dhe jetën).
Sepse çfarë është letërsia, në fund të fundit, nëse jo përpjekja e njeriut për t'i dhënë kuptim diçkaje që e di se do të përfundojë? Ne shkruajmë sepse e dimë se do të vdesim.
Kritikën e kam zbërthyer në pse shkrimi, në përgjithësi, i kthehet kaq shumë vdekjes. Pse njeriu vazhdon të shkruajë për fundin, edhe pse e di se nuk mund ta ndryshojë atë?
Çfarë mbetet nga një njeri kur nuk është më? Çfarë mbetet nga një jetë kur nuk mund ta përjetojmë më? A mbetet vetëm kujtimi? Emri? Vepra? Apo ajo që kemi lënë te njerëzit e tjerë?
Letërsia duket sikur përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, por në të vërtetë ajo shpesh bën diçka tjetër, na mëson të jetojmë me faktin se nuk kemi përgjigje të plota. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse një vepër e mirë nuk është ajo që na jep gjithmonë një përfundim, por ajo që na lë me një pyetje që vazhdon të jetojë edhe pasi kemi mbyllur librin.
Vdekja mund të mendohet se nuk është e bukur. Por është e pashmangshme. Dhe pikërisht sepse është e pashmangshme, është mirë ta kujtojmë.
Ne e kalojmë pjesën më të madhe të jetës duke bërë sikur kemi kohë. Shtyjmë takimet, fjalët, dashuritë, librat që duam të lexojmë, gjërat që duam të bëjmë.
Vdekja na kujton se koha nuk është e pafundme. Ajo është banesa jonë pas jetës. Nuk është një vend ku duam të shkojmë, por është vendi ku të gjithë do të përfundojmë.
Edhe
Muzikë për m’u ngu në natje
Letërsia nuk e mposht vdekjen. As nuk mund ta bëjë këtë. Por ajo na lejon të flasim me të dhe për të.
Ulqin, më 1 gusht 2026