“Pasiguritë e sigurta” është tema e edicionit të sivjetmë të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë dhe hapja është bërë me lidhjen e qyteteve nëpërmjet ekspozitës “Cities Connection Project”. Aty shtjellohen zgjidhje, jepen propozime, por emërues i përbashkët është afirmimi i vlerës së arkitekturës dhe urbanizmit bashkëkohor. “Pasiguritë…” qëmtohen me probleme politike, luftëra apo edhe probleme me ambientin
Janë projekte që janë ideuar e realizuar për të qenë në shërbim të publikut. Reflektimi i një të ardhmeje me më prosperitet bashkë me qëllimin që të lidhen grupe shoqërore shpërfaqen nëpërmjet projekteve që prezantohen në ekspozitën “Cities Connection Project” me kurator Nicola Regusci dhe Xavier Bustos nga Barcelona.
Me ekspozitën që synon të lidhë qytetet, të martën është hapur edicioni i 11-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë. Ngjarja hapëse ka synuar që të sjellë vepra që pasqyrojnë arkitekturën avangarde dhe të pasqyrojë veprat e arkitektëve nën 50 vjeç. Ideatorët bashkë me organizatorët e Festivalit nëpërmjet ekspozitës kanë po ashtu për objektiv krijimin e një rrjeti lidhjesh kulturore midis qyteteve për të afirmuar vlerën e arkitekturës dhe urbanizmit bashkëkohor.
Projekti i lidhjes së qyteteve, i ideuar nga dyshja Regusci e Bustos, ka në fokus lidhjen midis Brukselit, Bazelit dhe Barcelonës. Pasi ekspozita ka shëtitur nëpër këto qytete, në Prishtinë është sjellë bashkë me 60 projekte mjaft avangarde të arkitekturës. Por, ky edicion shkon përtej kësaj.
Me temën “Certain Uncertainties” (Pasiguritë e sigurta) Festivali sjell ligjërata e punëtori për planifikimet arkitekturore e ato urbanistike të së ardhmes duke marrë parasysh krejt pasiguritë që janë në rritje e sipër.
Në ambiente të Lapidariumit të Muzeut Kombëtar të Kosovës organizatorët kanë hapur edicionin e sivjetmë që në pjesën e parë do të vazhdojë deri më 17 korrik për të vazhduar më pas me pjesën e dytë prej 18 deri më 30 shtator.
Bekim Ramku, udhëheqës i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës, që edhe e organizon Festivalin, ka thënë se bazuar në temën e përzgjedhur do të merren me çështje për të cilat janë të sigurt se janë të pasigurta.
“Në njëfarë mënyre e kemi ngritur pyetjen rreth sigurisë të së ardhmes sonë, qofshin ato probleme politike, luftëra apo edhe probleme me ambientin. Pasi e kemi ngritur këtë pyetje i kemi përzgjedhur edhe arkitektët”, ka thënë ai.
Ligjëratat e sivjetshme mbahen kryesisht për tema që lidhen me hapësirat publike e po ashtu edhe punëtoritë përbëjnë pjesë qendrore të programit.
“Secili edicion bëhet në bashkëpunim me qytetin. Kemi dashur të bënim një intervenim, por moti nuk e lejon. Jemi duke dashur të bëjmë një katalog ku do të trajtojmë hapësirat e vogla të lëna pas dore”, ka thënë arkitekti Ramku.
Bashkëkuratori i ekspozitës hapëse të Festivalit, Xavier Bustos, ka folur për rëndësinë e lidhjes së qyteteve sidomos në të ardhmen. Projekti i tyre që ka target tri qytete bën që të ndahen përvojat e planifikimeve të hapësirave publike.
“Ideja është që të lidhim qytet duke treguar projekte arkitekturore. Në esencë bëhet fjalë për arkitekturë publike. Ideja është që të shpërfaqim hapësirat e përbashkëta. Janë hapësira që ndryshojnë qytet dhe bashkojnë njerëzit duke i bërë qytete më të mira”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se shpreson që arkitektët nga Prishtina, por edhe nga qytete të tjera të vizitojnë ekspozitën dhe të shohin projektet.
“Prishtina duket qytet me shumë potencial. Ka hapësira shumë të mira urbanistike e po ashtu edhe natyrë. Nuk është e lehtë të punohet pasi duhet bërë konkurse të mëdha e të ketë juri të mira”, ka thënë ai.
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë kohës sa ka prezantuar projektet e tij për kryeqytetin si kandidat për të udhëhequr këtë qendër urbane, kishte shpalosur plane ambicioze të transformimit urbanistik.
Ai ka thënë se ngjarjet e tilla janë të domosdoshme për kryeqytetin.
“Jemi fatlum që kemi këso edicione në kryeqytet. Festivali i Arkitekturës është duke e bërë një punë fantastike jo veç për kryeqytetin, por për të gjithë vendin, sepse po e ekspozon rininë tonë, arkitektët e të gjitha moshave dhe mënyra të ndryshme të të menduarit. Ka aspekte të dizajnit dhe filozofike, aspekte se si mund t’i transformojmë hapësirat apo si mund t’i qasemi arkitekturës në mënyra më të avancuara”, ka thënë ai.
Sipas Ramës, vazhdimisht duhet të debatohet për metodat se si hapësirat mund të jenë në shërbim sa më të mirë të njerëzve. Ka përmendur faktin se kohëve të fundit disa qytete në Kosovë janë përballur me vërshime.
“Kjo sigurisht që vjen prej ngrohjes globale së cilës duhet t’i adaptohemi. Ky duhet marrë si parametër kyç kur mendojmë për hapësirat ku jetojmë”, ka thënë kryetari Rama.
Në kuadër të Festivalit të enjten do të mbahet ligjërata “Cities Connection Project” nga Nicola Regusci dhe Xavier Bustos, përderisa po në “Kino Armatë” të enjten do të mbajë ligjëratë edhe Jonathan Hermann mbi temën “Stereo Architektur”. E pas tyre të pranishmëve do t’iu ligjërojë edhe Adam Nathaniel Furman.
Urbanisti Damiano Cerrone nga “Urbanistai SPIN Unit” do të mbajë ligjëratë të premten njëjtë sikurse edhe Alper Derinbogaz nga “Salon Alper Derinbogaz” dhe Roland Krebs nga “Superwien”.
Kurse në ditën e 8-të të korrikut në “Kino Armatë” do të flasin Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri. Tema e tyre do të jetë përfaqësimi i Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent), siç titullohet edhe pavijoni i Kosovës sivjet në Venecia, ashtu mban emrin edhe ligjërata e dyshes në Festival. Instilacioni i tyre i inauguruar në majin e sivjetmë duket krejt i thjeshtë. Por nis të bëhet më kompleks kur vizitorët shpejt e marrin vesh se bëhet fjalë për një shtëpi të përmbysur. Në këtë rast përmbysja nuk prek veç anën vizuale. Shkon përtej. Gjurmon në emocionalitetin dhe gjendjen e emigrantëve. Shtron pyetje për qasjen e tyre e njëkohësisht bën thirrje për diskutim të hapur. Fokusin e ka te ndikimi i tyre në arkitekturë e planifikim urban. Instalacioni i dyshes Poliksen Qorri-Dragaj e Hamdi Qorri fut vizitorët brenda botës së emigrantëve. I përshtatet edhe pasigurisë që sivjet e ka në esencë Festivali i Arkitekturës.