Kulturë

“Hapësirat e mundësive” me shembujt e rivitalizimit të ambienteve

perpa

Arkitekti Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, si një prej penalistëve ka thënë se në nisma të ndryshme për transformimin e hapësirave pjesëmarrës kanë qenë edhe qytetarët e kryeqytetit. Ka marrë shembull bienalen nomade evropiane “Manifesta 14”, në Prishtinë

Ngjarja që po mbahet për herë të parë ka mbledhur në kinemanë “Armata” arkitektët në një tryezë duke krijuar hapësirë për dialog. Ngjarja i qaset qëndrueshmërisë duke u ndërlidhur edhe me fusha të tjera, si arti, inxhinieria, arkitektura, gazetaria e antropologjia. Gjithëpërfshirja në projekte ka qenë njëra prej çështjeve që është trajtuar. Zëra rajonalë janë bashkuar duke dëshmuar se si hapësirat e tyre, përfshirë edhe ato të platformës “Dyvo”, që e organizon ngjarjen, mund të krijojnë mundësi për qëndrueshmëri

“Hapësirat e mundësive” ka qenë tema e panelit të diskutimit me arkitektë nga Kosova, Shqipëria e Serbia në kuadër të konferencës së parë “Prishtina Sustainable Design Week”, që njihet si ekofestival. Zëra rajonalë janë bashkuar duke dëshmuar se si hapësirat e tyre, përfshirë edhe ato të platformës “Dyvo” që e organizon ngjarjen, mund të krijojnë mundësi për qëndrueshmëri.

Ngjarja, e cila po organizon edicionin e saj të parë, ka mbledhur në kinemanë “Armata” arkitektët në një tryezë duke krijuar hapësirë për dialog. Ngjarja i qaset qëndrueshmërisë duke u ndërlidhur edhe me fusha të tjera, si arti, inxhinieria, arkitektura, gazetaria e antropologjia. Gjithëpërfshirja në projekte ka qenë njëra prej çështjeve që është trajtuar.

Arkitekti Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka thënë se në nisma të ndryshme për transformimin e hapësirave pjesëmarrës kanë qenë edhe qytetarët e kryeqytetit. Ka marrë shembull bienalen nomade evropiane “Manifesta 14” në Prishtinë.

“Kemi pasur iniciativa të ndryshme, ku kemi organizuar konsultime me publikun rreth transformimit të hapësirave nëpër lagje të ndryshme, ideve të ndryshme transformative. Ndoshta në aspektin kreativ nëpërmjet ‘Manifesta Biennale’ kemi hedhur dritë te 25 hapësira publiku, ku edhe kemi punuar me qytetarët për ide kreative e inovative se si t’i transformojmë. Por edhe nëpërmjet proceseve të transformimeve urbane për plane rregullative”, ka thënë ai në panel.

Ka thënë se kjo përfshirje është bërë nëpërmjet punëtorive e propozimeve të qytetarëve.

“Në raste të transformimit të hapësirave që kanë pasur mundësi të fokusohen pikërisht në industritë kreative, pra edhe këtë e kemi bërë duke përfshirë qytetarët, në të njëjtën kohë kemi bërë edhe një fond në aspektin institucional, ku fillimisht kemi pasur 500 mijë euro e tash i kemi një milion. Kërkojmë prej qytetarëve të lagjeve të ndryshme që nëpërmjet punëtorive të ndryshme të vijnë me prezantime kreative për nevojat e qytetarëve, ku top-pesë fitojnë dhe shkojnë përpara”, ka thënë kryetari Rama.

Arkitektja dhe drejtoresha ekzekutive e “Dyvo”, Nikki Murseli, ka thënë se dyert e hapësirave të tyre janë përherë të hapura.

“Njerëzit mendojnë se kreativiteti është diçka e lindur, por nuk është. Ai kultivohet dhe trajnohet, kështu që dëshira jonë është ajo, që të dëshmojmë te secili qytetar që ka kreativitet. Ne e kemi të hapur shfrytëzimin e hapësirës, makineritë dhe mentorimin tonë. Nuk presim prej tyre të dinë asgjë, veç të kenë dëshirë të vijnë”, ka thënë ajo.

Ka treguar se e kanë quajtur “Hapësirat e mundësive” temën e panelit, ngase besojnë se hapësirat publike neutrale janë vendet ku formësohen dhe krijohen kushte të reja.

“‘Dyvolab’ e quajmë hapësirë të përbashkët kreative dhe këtë e kemi krijuar si iniciativë në prill të këtij viti dhe e kemi nisur programin edukativ. E quajmë hapësirë e përbashkët kreative, sepse këtu lidhet komuniteti krijues për të hulumtuar mënyra të reja. Jo vetëm për të menduar se si mund ta plasojmë një produkt të ri në treg, por edhe për mënyrën se si mund të ndikojmë një mendësi të reja, e cila e kritikon mënyrën sesi konsumojmë”, ka thënë ajo.

Arkitektja Sonila Abdalli nga qendra shumëfunksionale bashkëpunuese “Destil” nga Tirana ka thënë se individët që janë të përfshirë në fushat kreative janë përherë të frymëzuar për nisma të reja.

“Të gjendesh në këtë fushë të bën të njohësh njerëz të tjerë, të cilët të frymëzojnë drejt iniciativave të reja. Fokusi jonë gjithmonë mbetet dizajni, mbetet të lartësojmë atë që është e prodhuar nga Shqipëria, çdo gjë, çdo iniciativë që bëhet. Së shpejti do të lansojmë edhe iniciativa të tjera, të cilat në thelbin e tyre do të kenë ta bëjnë kampion dizajnin shqiptar”, është shprehur ajo.

E arkitektja serbe Maja Laliq nga organizata kulturore “Mikser”, e ka nisur fjalën e saj duke iu referuar gjendjes politike në Serbi duke u shprehur se si organizatë janë shumë aktivë në përkrahjen e të rinjve që luftojnë për drjetësi në Serbi. Ka thënë se luftojnë për hapësirë më të mirë publike në Ballkan.

“Ne jemi një organizatë kulturore që lufton për një hapësirë publike më të mirë në Ballkan për të gjithë njerëzit dhe angazhojmë komunitetin kreativ për bashkëkreativitet në një mjedis më të mirë. Jemi të rrënjosur në dizajnimin e qëndrueshëm dhe merremi me punë të ndryshme. Operojmë në planifikim urban, zhvillime të ndryshme dhe gjatë gjithë kohës angazhohemi edhe në inovacion shoqëror dhe në ngritjen e vetëdijes për gjithëpërfshirje, prandaj duhet të edukojmë qytetarët për të gjitha temat që i dëgjuam sot”, është shprehur Laliq, e cila ka qenë e lidhur online në konferencë.

Në fjalën hapëse, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se qëndrueshmëria nuk është vetëm një opsion, porse është përgjegjësi kolektive.

“Më 2024 prodhimtaria sintetike ka pasur përqindje të lartë, në ndërkohë emetimi i gazrave sferike ishte rritur për mbi 20 për qind në pesë vjetët e fundit. Shfrytëzimi i resurseve, konsumimi, është më i lartë se kurrë, prandaj qëndrueshmëria duhet kultivuar në veçanti përmes dizajnit, duke prodhuar në mënyrë etike, si një kategori imperative e konsumimit në mënyrë që të mbrojmë burimet e jetës edhe për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ai.

Ngjarja është zhvilluar në kuadër të atij që është quajtur si ekofestivali “Prishtina Sustainable Design Week”, ngjarje dedikuar qëndrueshmërisë dhe inovacionit në industritë kreative dhe shkencat sociale.

“Duke bashkuar zëra rajonalë dhe ndërkombëtarë në dizajn, arkitekturë, modë, antropologji dhe sipërmarrje sociale, festivali krijon një hapësirë ​​për dialog ku idetë bëhen veprime dhe veprimet frymëzojnë ndryshim”, shkruhet në prezantimin e ngjarjes që e organizon “Dyvolab”, platformë për aktivizëm kreativ.

Gonxhe Konjufca, zyrtare për media në organizatën “Balkan Forum”, e cila organizon aktivitetet në kuadër të “Dyvo”, ka thënë se me këtë ngjarje nxitet diskutim për çështjet e mjedisit.

“Mënyra se si ky festival i qaset qëndrueshmërisë, duke e gërshetuar edhe me fusha të tjera, si arti, kultura, dizajni, është shumë e duhur, sepse ne jemi dëshmitarë që arti është njëra prej mënyrave prej më të mira për të instaluar një mendim ose për të ngritur vetëdijen për çështje të caktuara. Çështja e mjedisit, besoj që është një prej temave që duhet të nisë të diskutohet në baza ditore”, ka thënë ajo.

“Prishtina Sustainable Design Week” mban edicionin e parë në Prishtinë prej 29 shtator deri më 3 nëntor.