Ka shembuj konkretë se si arti mund të bëje ndryshime, por kur zbërthehet fuqia e tij në raport me mjedisin, ai rigjeneron edhe ato që shpesh mund të konsiderohen si mbeturina. Në këtë kontekst estetika nuk është në rend të parë, hijezohet edhe mesazhi direkt e veprimi me art merr primatin. “Arti si akt ndryshimi: transparenca, ndjeshmëria dhe praktika e rigjenerimit” ka qenë tema e konferencës së tretë të “Prishtina Sustainable Design Week”
Me pyetjen “A mund ta ndryshojë arti botën?” ka nisur konferenca e tretë brenda edicionit të parë të “Prishtina Sustainable Design Week”, ekofestivalit që synon të krijojë hapësirë për dialog mbi qëndrueshmërinë dhe inovacionin në industritë kreative. Tema “Arti si akt ndryshimi: transparenca, ndjeshmëria dhe praktika e rigjenerimit” ka qenë përfaqësuese e kësaj konference. Në kinemanë “Armata”, të mërkurën janë mbledhur artistë vizualë bashkëkohorë e aktivistë nga Kosova dhe Italia për të diskutuar mbi metodat se si krijimtaria artistike mund të shërbejë si formë ndryshimi, me fokus në tensionin mes ndikimit estetik dhe përgjegjësisë mjedisore.
Me prezantimin e veprave të tyre, panelistët kanë sjellë shembuj konkretë se si materialet që shpesh konsiderohen mbeturina, si dhe objektet e tjera që gjenden në mjedis mund të rigjenerohen, duke bërë ndryshim të madh në perspektivën mjedisore dhe në të njëjtën kohë të sjellin inovacion në jetën artistike.
Paneli është moderuar nga Erleta Morina, ndërsa pjesë e panelit diskutues kanë qenë Francesca Pasquali, Sislej Xhafa, Driton Selmani dhe Behare Bajraktari. Secili nga ta ka ngritur paralele të ndryshme mbi lidhjen mes natyrës dhe artit, përmes kësaj lidhjeje edhe kanë dalluar qëndrueshmërinë e ripërdorimit e të rigjenerimit të objekteve e materialeve, me prezantimet e tyre që lidhen me temën e konferencës së tretë të ekofestivalit.
Nga Italia, Francesca Pasquali ka sjellë një qasje unike ku arti bëhet urë midis natyrës dhe organikes e industriales, ku përmes materialeve të ricikluara e të përditshmërisë ajo sfidon perceptimin mbi estetikën dhe bukurinë. Ajo ka theksuar se sinqeriteti dhe guximi për ta parë realitetin ndryshe e shndërron artin në një domen ku bashkohen transparenca, ndjeshmëria dhe ndërgjegjësimi.
“Dua të nis t’ju tregoj se sa natyra ka ndikuar në punën time dhe me materialet e kohës sime jam munduar të gjej lidhshmëri me botën e natyrës. Hulumtimi ka filluar me materiale industriale dhe objekte nga përditshmëria dhe në planin tim është që t’u jap një jetë të re materialeve që shpesh i konsiderojmë mbeturina. Me qëllim që ta arrij vlerën e simetrisë, ritmit dhe bukurisë, përmes të cilave natyra ka krijuar format e saj”, ka thënë ajo, duke shpjeguar njërën pas tjetrës veprat e saj që kanë të bëjnë të gjitha me materiale që janë ripërdorur estetikisht. Kështu ajo ka krijuar një set punimesh artistike nga plastika materialet e ricikluara duke i transformuar ato në struktura komplekse, duke përçuar edhe mesazhin e rëndësisë së riparimit. Ato që nga larg duken si forma natyrore, nga afër zbulojnë natyrën e tyre artificiale.
Në anën tjetër, Driton Selmani ka sjellë perspektivën e një artisti që krijimtarinë e vet e bazon në pasiguritë dhe dyshimet, duke i shndërruar ato në forma të reja ku arti bëhet hapësirë reflektimi, rigjenerimi dhe guximi për ta thënë të vërtetën. Siç ngjan vazhdimisht me veprat e tij, pikënisje për ta ndërtuar një gjuhë vizuale për të janë përvojat personale. Instalacioni serik i tij, “Love Letters”, vepra arti mbi qese plastike, është prezantuar si një performancë që bazohet në historitë dhe besimet tij personale.
“Ky është një projekt ku në disa mënyra jam munduar ta formësoj bazën që akoma për mua janë qeset plastike. Në njëfarë mënyre kjo bazë ka ndikuar dhe e ka formësuar mënyrën time të të menduarit sot. Për ata që e dinë, praktika ime artistike ka nisur me vizatime, pastaj kam kaluar te skulpturat dhe te materialet e gatshme. Kam mbetur akoma te ideja e të gatshmeve, dhe puna me to, për shembull me objektet e gjetura ose edhe me qeset plastike të gjetura në qytetin e Prishtinës e kanë ndërtuar mënyrën se si mendoj edhe drejt gjeografisë sime”, ka treguar ai, duke ngritur pyetje mbi atë që botës i prezantohet si e vërtetë.
Në lidhje me gazetarinë mjedisore ka folur Behare Bajraktari, e cila ka sjellë një kombinim të njohurive të fakteve me shqetësimet etike dhe estetike të artit, duke kontribuuar me një perspektivë të bazuar në të dhëna, ndërgjegjësim shoqëror dhe nevojën për transparencë në përballjen me sfidat mjedisore.
“E lindur në kohën kur në Evropë kishte filluar agjenda mjedisore, ndiej keqardhje që s’mund të bëj më shumë për vendin tim, mjedisin, natyrën, biodiversitetin dhe çdo gjë tjetër që na rrethon, kështu që kam nisur para dhjetë vjetësh të merrem me gazetarinë mjedisore dhe për një kohë të gjatë fillova në radio, pastaj në televizion dhe tani e kam një emision dedikuar agjendës mjedisore dhe gjithçkaje që ka të bëjë me natyrën në qytete e në fshatra, në modë, në riciklim e në transport”, ka thënë Bajraktari, e cila ka mbi 25 vjet përvojë në radio, televizion dhe media online, duke mbuluar çështje si ndryshimet klimatike, tranzicioni energjetik dhe menaxhimi i ujit.
Një dimension tjetër ka sjellë në panel artisti Sislej Xhafa. Ka shpalosur perspektivën e një artisti që sfidon kufijtë e artit dhe politikës, duke e parë krijimtarinë si një mjet të fuqishëm për reflektim dhe transformim shoqëror. Qasja e tij është kritike ndaj migrimit, përkatësisë dhe tranzicionit shoqëror. Ajo është shpesh ironike dhe provokuese, në këtë mënyrë ai e shndërron artin në një reflektim të drejtpërdrejtë të realitetit politik e social.
“Desha veç me prezantu një projekt që jemi duke e punuar prej 2018-s në Pejë, në Institutin e Artit Bashkëkohor në ‘Arkiv’, të cilin ne në këtë rast e kemi ricikluar, nëse po flasim për mjedisin e për natyrën, një hapësirë që ka qenë një shkollë dhe është një arkiv. Nuk është arkiv i UDB-së, KGB-së a CIA-s, por thjesht një arkiv vizual ku ndodhen ekspozita personale të artistëve dhe ju ftoj të gjithëve në Pejë me ardhë”, ka thënë artisti pejan, i cili artin e tij e ka shpalosur në skena ndërkombëtare, nga Bienalja e Venecias deri te “MoMa PS1” në New York.
Të hënën, kur edhe është hapur për herë të parë ky festival, që do t’i zhvillojë punimet deri më 3 tetor, është mbajtur paneli i diskutimit me arkitektë nga Kosova, Shqipëria e Serbia, nën temën “Hapësirat e mundësive”. Të martën është zhvilluar konferenca e dytë me temën “Kreativiteti si akt riparimi”, ku zëra rajonalë u bashkuan duke dëshmuar se si hapësirat e tyre, përfshirë edhe ato të platformës “Dyvo”, që e organizon ngjarjen, mund të krijojnë mundësi për qëndrueshmëri. Ndërkohë të enjten mbahet edhe konferenca e fundit me tematikë “Modën si akt të shërimit”, për t’u përmbyllur edicioni i parë i ekofestivalit “Prishtina Sustainable Design Week” me një ekspozitë në ish-bibliotekën “Hivzi Sylejmani”.