Mënyrat se si krijimtaria mund të shërbejë si formë shërimi në një kohë të kolapsit ekologjik dhe fragmentimit shoqëror janë diskutuar në konferencën e radhës në kuadër të “Prishtina Sustainable Design Week”. Duke u ndërlidhur me fushat e ekologjisë, antropologjisë dhe praktikave artizanale, panelistët kanë sjellë shembuj konkretë se si materialet, objektet dhe vetë hapësirat mund të rigjenerohen, duke i dhënë jetë të re dhe duke sfiduar narrativat shfrytëzuese
“Kreativiteti si akt riparimi: rigjenerimi përmes dizajnit dhe etikës së materialeve”, ka qenë tema e konferencës së dytë në kuadër të edicionit të parë të “Prishtina Sustainable Design Week”, ekofestivalit që synon të krijojë hapësirë për dialog mbi qëndrueshmërinë dhe inovacionin në industritë kreative. Ngjarja që po mbahet në kino “Armata” të martën ka mbledhur arkitektë, disenjatorë, antropologë e artistë nga Kosova e rajoni për të diskutuar mënyrat se si krijimtaria mund të shërbejë si formë shërimi në një kohë të kolapsit ekologjik dhe fragmentimit shoqëror.
Duke u ndërlidhur me fushat e ekologjisë, antropologjisë dhe praktikave artizanale, panelistët kanë sjellë shembuj konkretë se si materialet, objektet dhe vetë hapësirat mund të rigjenerohen, duke i dhënë jetë të re dhe duke sfiduar narrativat shfrytëzuese.
Paneli është moderuar nga Urtesë Zeneli, ndërsa në të kanë marrë pjesë Ibrahim Beqiri nga studioja “Shape and Shade”, Zanita Halimi nga Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Erzë Dinarama, e cila sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Samuela Hidri nga “Bezhë Studio” në Shqipëri, si dhe Ariana Kuqi nga “Architecture Wave”.
Secili prej tyre ka sjellë perspektiva të ndryshme mbi lidhjen mes dizajnit dhe qëndrueshmërisë: nga analiza antropologjike e objekteve e deri te ripërdorimi i materialeve ndërtimore dhe promovimi i praktikave artizanale. Ata kanë bërë nga një prezantim të punëve të tyre, të cilat lidhen me tematikën e konferencës së dytë të ekofestivalit.
E para e ka nisur prezantimin e saj të shkurtër arkitektja Erzë Dinarama, e cila në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës që zgjat deri në nëntor, ekspozon instalacionin ndijor “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”. Në lidhje me temën që trajton në projektin e saj, ajo ka shpjeguar se aspekti ekologjik ka pasur një rol shumë të rëndësishëm.
“Projekti me të cilin kam punuar ka të bëjë me atë që unë e kam quajtur ‘shifting ecologies’ ose ‘ekologji në lëvizje’ që ka të bëjë shumë në fakt me temën që po trajtohet në konferencë. Mua më ka interesuar ngritja e temperaturave, edhe fizikisht, dhe territori ndryshon në aspektin e lëvizjes së temperaturave në zona ku janë më të përshtatshme. Kjo, normalisht më ka interesuar më shumë në perspektivën e ekologjisë, domethënë trajtohet më shumë, më kanë interesuar tensionet që vijnë në atë territor, për shkak të këtyre lëvizjeve, për shkak të klimës”, ka thënë Dinarama, që është arkitekte, disenjatore ndërdisiplinore dhe hulumtuese.
Propozimi i Dinaramës ishte prezantuar si një vepër për ndryshimet klimatike e ndikimin në ekosisteme qysh në janarin e sivjetmë, kur u përzgjodh për ta përfaqësuar vendin në ngjarjen madhore të Venecias. Puna e saj ndërthur planifikimin urban, dizajnin e peizazhit dhe ekologjinë për t’i adresuar sfidat mjedisore përmes qasjeve estetike dhe krijuese.
Themeluesi i studios multidisiplinare “Shape and Shade” në Prishtinë dhe Stamboll, Ibrahim Beqiri, ka treguar se aspekti emocional është në pikëvështrimin kryesor në punën e tyre. Sipas tij, projekti me shkamin e shfaq këtë gjë më së miri.
“Për ne ka qenë shumë me rëndësi që në çdo gjë që e dizajnojmë të mos jetë vetëm aspekti estetik dhe funksional, por edhe aspekti emocional, për shkak se ne e kemi kaluar nivelin emergjent ku është dashur ta kemi një shtëpi, një karrige për t’u ulur, për të ngrënë do bukë. Tash kemi kaluar në nivelin kur duhemi që çdo gjë ta trajtojmë me emocion, t’i japim kontekst, por edhe vlerë lokale, prandaj kemi filluar me shkamin, duket mjaft e thjeshtë, është veç një karrige. Ne e kemi gjetur një gjë pse shkami nuk është funksional ose nuk përdoret. Është për shkak se ai është shumë i shkurtër edhe nuk ka arritur të adaptohet në situatën që e kemi sot, standardet e uljes janë krejt tjetër, tavolinat janë krejt të tjera dhe shkami ka mbetur shumë i shkurtër”, ka shpjeguar ai.
Në edicionin e 15-të të festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “EtnoFest”, gjatë korrikut të sivjetmë, Beqiri pati paraqitur ekspozitën “Bold Collection”, e cila në formë interpretimi shfaqte mobile të frymëzuara nga trashëgimia shqiptare, ku përfshiheshin edhe shkamat që ai përmend gjatë konferencës.
E vetmja nga Shqipëria në këtë panel ka qenë Samuela Hidri, bashkëthemeluese e studios së dizajnit “Bezhë” në Tiranë. Mes të pranishmëve ka sjellë një qasje ku kreativiteti është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë mjedisore. Përmes dizajnit të produkteve dhe rinovimeve ajo ka treguar se si dizajni mund të bëhet formë rigjenerimi, duke ndrequr marrëdhënien e njerëzve me materialet, përmes dhënies së një jete të re atyre.
“Që në fillimet e praktikës sonë u fokusuam në dy drejtime kryesore, sa i përket aspektit të dizajnit: dizajni i produkteve dhe rinovimet. Produkti i parë që ne e kemi realizuar është abazhuri tas, i përbërë nga ripërdorimi i mbetjeve nga kantieret e ndërtimit. Ne kemi ndërhyrë aty, kemi marrë cilindrat, kemi bërë shpime e pastrime për t’i transformuar ato në abazhur. Këta cilindra nga betoni dhe guri natyror mund të kombinohen me një pjesë druri, i cili është i punuar nga artizanë. Ne besojmë shumë te dizajni i avashtë, besojmë te materialet që zgjasin në kohë dhe besojmë te puna artizanale”, ka thënë ajo.
Ariana Kuqi, e cila është bashkëthemeluese dhe redaktore e “Architecture Wave”, ka eksploruar ndikimin e arkitekturës dhe dizajnit tek emocionet dhe identiteti i njeriut. Ajo ka theksuar metoda dizajnimi që mund ta reduktojnë ndikimin ekologjik, duke rritur kështu mirëqenien përmes përdorimit të materialeve jokonvencionale, për të ndikuar kështu edhe në aspektin emocional.
“Fuqishëm besoj që zgjedhjet që i bëjmë në dizajn ose në projektim e ndërtim, materialet që i përdorim, si e përdorim dritën natyrale, gjithashtu teksturat që i përdorim kanë ndikim në mjedisin tonë. Qëndrueshmëria është gjithashtu njerëzore, ka të bëjë me mirëqenien tonë tash. Për ta bërë më konkrete se si aplikohet kjo mendësi dua ta cek që materialet konvencionale si betoni, plastika, laminatet dhe ngjyrat që i përdorim brenda lirojnë kimikate vazhdimisht aty ku jetojmë. E mira dhe shpresa është që materialet natyrale sillen ndryshe, si suva prej balte, përpos që emiton më pak kimikate, përdorimi i saj ka dëshmuar që përpos se e rregullon kualitetin e ajrit, ka aftësi ta rregullojë edhe lagështinë e ajrit”, ka treguar ajo.
Antropologia Zanita Halimi, e cila është edhe profesoreshë në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës është fokusuar në mënyrën se si gjeneratat e reja lidhen me të kaluarën përmes kujtesës kolektive. Brenda panelit, ajo ka sjellë dimensionin antropologjik mbi kulturën materiale, duke shpjeguar se si dizajnet dhe materialet bartin identitet kulturor dhe krijojnë marrëdhënie të ndërsjella me njerëzit.
“Objektet nuk mund të shihen vetëm si objekte fizike, por ato kanë njëfarë jete sociale. Sikurse njerëzit që kanë biografi, ashtu edhe objektet kanë biografi, që i bie kanë historinë e tyre të prodhimit, histori të ripërdorimit, kanë histori të riprodhimit, riciklimit, riparimit, e të tjera. Ne si antropologë duhet që këtyre objekteve t’ua japim një biografi përmes rrëfimeve dhe rrëfimet ndryshojnë varësisht prej konteksteve. Riparimi si praktikë kulturore nuk është e panjohur. Gjithmonë në familjet tona e kemi bërë një lloj arnimi, qoftë ai tekstil, dru e të tjera dhe kjo tregon jo vetëm aspektin ekonomik ose statusin familjar, por edhe lidhjen emocionale që ne si kulturë e kemi me objektin”, ka thënë ajo, duke shpjeguar se objektet nuk janë thjesht gjëra të pajeta, por edhe bartës të kujtesës, që në njëfarë mënyre kërkojnë vëmendje në proceset e krijimit dhe dizajnimit.
Të hënën, kur edhe është hapur për herë të parë ky festival, që do t’i zhvillojë punimet deri më 3 tetor, është mbajtur paneli i diskutimit me arkitektë nga Kosova, Shqipëria e Serbia, nën temën “Hapësirat e mundësive”. Zëra rajonalë u bashkuan duke dëshmuar se si hapësirat e tyre, përfshirë edhe ato të platformës “Dyvo” që e organizon ngjarjen, mund të krijojnë mundësi për qëndrueshmëri. Ndërkohë, në ditët në vazhdim mbahen edhe konferenca të tjera me tematika të ndryshme në kuadër të dizajnimit, arkitekturës, modës e artit.