Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arkitektura moderne e Kosovës – arkiv i gjallë që shkruan përditshmërinë

Vetë hoteli “Grand”, në katin e gjashtë të të cilit është vendosur fondacioni “Hajde!”, ku është mbajtur përmbyllja e Festivalit të Arkitekturës Moderne,

Vetë hoteli “Grand”, në katin e gjashtë të të cilit është vendosur fondacioni “Hajde!”, ku është mbajtur përmbyllja e Festivalit të Arkitekturës Moderne, është shembull i funksionalizimit të objektit si aset i trashëgimisë kulturore

Edicioni i dytë i Festivalit të Arkitekturës Moderne e shndërroi hapësirën publike në një lloj arkivi të gjallë, siç u theksua edhe nga organizatorët në ditën e fundit, duke ftuar profesionistë e qytetarë të reflektojnë mbi të kaluarën dhe potencialin e saj për të ardhmen. Objektet e asaj periudhe nuk janë vetëm ngrehina, me to nuk lidhet vetëm e kaluara, por edhe përditshmëria. Për këtë, shembujt e rifunksionalizimit të objekteve si këto nuk kanë të bëjnë vetëm me vlerat e trashëgimisë kulturore

Për gati dy javë, Festivali i Arkitekturës Moderne e vendosi në qendër të vëmendjes diskutimin mbi modernizmin dhe hapësirat publike. Nën temën “Publike & Moderne”, festivali ka trajtuar për vitin e dytë radhazi arkitekturën jo vetëm si formë ndërtimi, por si reflektim të ideologjive dhe mënyrës së jetesës, duke kulmuar pikërisht në aktivitetet e së enjtes.  

Me laramani ngjarjesh, festivali e shndërroi hapësirën publike në një lloj arkivi të gjallë, siç u theksua edhe nga organizatorët në ditën e fundit, duke ftuar profesionistë e qytetarë të reflektojnë mbi të kaluarën dhe potencialin e saj për të ardhmen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në hapje, bashkëthemeluesja e iniciativës “MODERNe”, Arta Januzi-Cana, ka theksuar dimensionin shoqëror të modernizmit. 

“Modernizmi në Kosovë dhe në hapësirën më të gjerë rajonale nuk ishte vetëm një stil arkitektonik, por një projekt shoqëror që synonte të formësonte jetën kolektive, duke e vendosur hapësirën publike në qendër të organizimit të qytetit dhe të marrëdhënieve shoqërore”, ka thënë ajo. 

Zëvendësministrja në Ministrinë e Kulturës, Nora Arapi-Krasniqi, vuri në pah rëndësinë e trashëgimisë moderniste. 

“Në këtë festival flasim për një periudhë shumë të rëndësishme të arkitekturës, atë të arkitekturës moderniste, që paraqet jo vetëm një periudhë ku është zhvilluar një stil i veçantë arkitektonik. Do të doja ta theksoja rëndësinë e këtyre ndërtesave në aspekt shoqëror si ndërtesat që bartin memorie kolektive, ku këto ndërtesa pos stilit arkitektonik kanë qenë shtëpi edhe për shumë biblioteka, teatro, kinema, ndërtesa me aktivitete ekonomike, të cilat kanë bërë ndryshim rrënjësor në shoqëri”, ka thënë ajo. 

Vetë hoteli “Grand”, në katin e gjashtë të të cilit është vendosur fondacioni “Hajde!”, ku është mbajtur ngjarja, sipas saj, është shembull i funksionalizimit të objektit si aset i trashëgimisë kulturore. 

“Sot rastësisht jemi në hapësirën e shfrytëzuar nga fondacioni ‘Hajde!’ në hotel ‘Grand’, që është gjithashtu aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje,  një vend i cili nëpërmjet rifunksionalizimit, ndoshta ‘ad-hic’ nga organizatat kulturore, ka filluar ta gjejë një kuptim dhe funksion të ri. Rast tjetër është Shtëpia e Kulturës në Runik, i cili si rast ka rrezikuar të shembet i tëri. Është vendosur në mbrojtje dhe me një qasje gjithëpërfshirëse është hartuar një projekt ku ajo do të hapë dyer në të ardhmen si një hapësirë ku flasim për historinë, për rezistencën kulturore të asaj kohe”, ka thënë zëvendësministrja Arapi-Krasniqi.  

Dekania e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Violeta Nushi, ka konsideruar se fryma arkitektonike ka qenë dhe është reziliente. 

“U përshtatet rrethanave dhe kushteve të cilave u detyrohemi, por duke harruar humanitetin, pikëpamjen e parë themeltare që ka pasur shkolla moderniste që të emancipojë njerëzit, që të jetë humane, të jetë e qasshme për të gjithë shfrytëzuesit pa dallim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, festivali duhet të mbështetet jo vetëm nga akterë të tjerë, por edhe nga vetë institucioni akademik në të cilin vepron si dekane. Ka inkurajuar vazhdimësinë e ngjarjes, sepse, sipas saj, kontributi i festivalit i shërben komunitetit.

“Në këtë drejtim kjo iniciativë e festivalit duhet të mbështetet jo vetëm nga pjesë të shkoqitura të shoqërisë, por edhe nga institucioni ynë qendror i edukimit, gjë të cilën po mundohemi ta bëjmë, pikërisht duke i dhënë një ngjyrosje edukimit fillimisht, i mbështetur në hulumtim, në performancë dhe në punëtori e qasje të dëshmuar të debateve të shëndetshme kolektive. Në këtë drejtim kjo platformë duhet të jetë vazhdimësi”, ka thënë Nushi. 

Bashkëthemeluesja e Festivalit të Arkitekturës Moderne, Flaka Xërxa-Beqiri, ka prezantuar vijueshmërinë e edicionit të parë. E për atë sivjet ka zbërthyer temën “Publike & Moderne”. 

“Ishte një rrugëtim i diskutimeve të brendshme se çfarë temash të trajtohen, dhe ajo në çfarë përfunduam si mendim ishte që është mirë ta titullojmë si ‘Publike dhe moderne’ jo vetëm më kontekstin e trajtimit të hapësirave publike, por edhe e publikes si përfaqësi. Që të shohin se çfarë ishte në periudhën moderne, çfarë mbeti prej saj dhe një prej mbetjeve është pikërisht kjo ndërtesë në të cilën sot ndodhemi. Kjo ishte arsyeja, sepse donim që patjetër ngjarjen kryesore ta kishim mu në këtë hapësirë për të ngritur pikëpyetjen e madhe se çfarë ishte modernia, çfarë mbeti prej saj dhe çfarë duhej të bëhej tutje me të”, ka thënë Xërxa-Beqiri. 

Në gjithë hapësirën e fondacionit janë ekspozuar imazhe të ndryshme nga objekte që përfaqësojnë arkitekturën nga i gjithë vendi. Të ekspozuara janë imazhe nga ndërtesa e Postës në Gjakovë, nga hapësirat e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, motel “Vllaznimi” në Prizren i vitit 1973 e nga “Trekëndëshi”, Radio Televizioni i Prishtinës, Mensa e Studentëve dhe “Rilindja” në Prishtinë, hotel "Metohija" në Pejë, konvikti i studentëve në Gjakovë nga ekspozita “Moderne në retrospektivë”. 
Si pjesë e ngjarjeve ditore të festivalit ka prezantuar një përzgjedhje të materialeve arkivore që reflektojnë mbi trashëgiminë e arkitekturës moderne dhe rolin e saj në formësimin e përkatësisë publike dhe të kujtesës kolektive. Në njërën prej hapësirave është edhe puna e të rinjve, një lloj dokumentari që zbërthen historikun, funksionet dhe rëndësinë e dikurshme të objektit të “Qendrës Tregtare të Gjelbër” në lagjen “Bregu i Diellit”. 

“Gjetja më e madhe e kësaj punëtorie ishte një grup të rinjsh që asnjëherë nuk kishte shkelur në qendrën tregtare në ‘Bregun e Diellit’ dhe nuk kishin parë potencialet që kjo ndërtesë i ka, paçka që prindërit e tyre kishin kaluar në të në baza ditore qoftë në zonën tranzit të saj, qoftë në hapësirat përreth”, ka bërë me dije bashkëthemeluesja e Festivalit të Arkitekturës Moderne, Flaka Xërxa-Beqiri. 
Dita e fundit e festivalit u pasua me ligjërata të hapura. Gjatë mbrëmjes ligjëruan edhe arkitektë e studiues si Ilir Gjinolli me temën “Nga qyteti osman në urbanizmin socialist: Transformimi i hapësirës publike në Kosovë” dhe Nina Zerbs nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Münich me temën “Perspektiva ‘naive’ mbi leximin e modernizmit socialist”. 

Sipas Gjinollit, shumica e qyteteve të Kosovës e kanë zanafillën nga periudha romake, porse janë ndikuar nga fryma arkitektonike osmane. 

“Tipari kryesor morfologjik i qytetit osman është ndarja në dy pjesë: qendra e qytetit ku zhvilloheshin aktivitetet ekonomike, fetare, kulturore dhe zonat e banimit, me një numër mëhallësh ose lagjesh banimi, të cilat e ruajnë edhe sot njëfarë historie edhe nëpërmjet emrave të mëhallëve. Pra ruhet edhe në toponimi. Struktura morfologjike kufizohej nga një rrjet rrugor kryesisht me dy lloje rrugësh më të gjera në qendër të qytetit dhe rrugë e rrugica të ngushta –  rrugë qorre për shfrytëzim lokal”, ka thënë ai në ligjëratë, duke zbuluar më tej strukturën arkitektonike të kohës së Perandorisë Osmane. 
“Zbulimi kryesor i qytetit osman ishte ‘Külliye’, një bërthamë funksionale qendrore e qytetit, e cila përbëhej nga një grup ndërtesash të ndërlidhura rreth xhamisë kryesore, të ndërtuara si dhuratë nga Sulltani përmes sunduesve të krahinave – si sanxhaku, vilajeti, pra sanxhakbeu, sulltani si përkushtim publik ndaj të nënshtruarve të Sulltanit. Kyllie përbëhej nga xhamia, hamami, biblioteka, medreseja, imareti, hani dhe karvansaraji, pra objekte që kanë përbërë objekte publike të dedikuara për të gjithë”, ka thënë Gjinolli. 

Sipas tij, modernizmi socialist e ka transformuar zhvillimin arkitektonik në Kosovë. 

“Për Kosovën, periudha e të ashtuquajturit modernizëm socialist në ish-Jugosllavi, jo vetëm që ka qenë një transformim në aspektin e zhvillimit të arkitekturës dhe qytetit, por shënon fillimet e profesionit arkitektonik dhe urbanistik në një mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr nga profesionistë, duke përfshirë arsimimin e arkitektëve në fakultetet e arkitekturës në ish-Jugosllavi, si dhe themelimin e Fakultetit të Arkitekturës në Kosovë në fund të viteve ‘70 të shekullit të 20-të”, ka thënë Gjinolli. 

Festivali i Arkitekturës Moderne edhe me edicionin e dytë u fokusua në dimension të modernizmit të stilit arkitektonik. Nën temën “Publike & Moderne” ka trajtuar hapësirat publike si platforma ku ndërthureshin arkitektura, ideologjia dhe jeta e përditshme.

Nga 14 deri më 26 mars, përmes programit me punëtori, ekspozitë, ligjërata dhe projeksione filmike, festivali e ka trajtuar hapësirën publike si arkiv, dëshmi dhe potencial për të ardhmen, duke ftuar arkitektë, studiues dhe qytetarë të reflektojnë mbi rolin e arkitekturës në ndërtimin e publikes dhe mbi mundësinë e rikthimit të saj si hapësirë e përbashkët dhe gjithëpërfshirëse.

Edicioni i kaluar u mbajt nën temën “Rrëfimet e pathëna të modernizmit”, i mbajtur gjatë muajve shkurt, mars e prill të vitit të kaluar duke vënë në pah arkitekturën moderniste të Kosovës nga viti 1945 deri më 1990 përmes aktiviteteve e ngjarjeve artistike. 

Festivali i Arkitekturës Moderne përshkruhet si iniciativë kulturore novatore, dedikuar dokumentimit, promovimit dhe vlerësimit të trashëgimisë arkitekturore moderniste në Kosovë. I udhëhequr nga iniciativa “MODERNe”, organizatë e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë moderniste, festivali synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për diskurs akademik, eksplorim artistik dhe përfshirje publike.