EXPRESS

Festivali i arkitekturës me pasiguritë e së ardhmes

Janë projekte që janë ideuar e realizuar për të qenë në shërbim të publikut. Reflektimi i një të ardhmeje me më prosperitet bashkë me qëllimin që të lidhë grupe shoqërore, shpërfaqen nëpërmjet projekteve që prezantohen në ekspozitën “Cities Connection Project” me kurator Nicola Regusci dhe Xavier Bustos nga Barcelona. Me ekspozitën që synon të lidhë qytetet, të martën është hapur edicioni i 11-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë.

Por ky edicion shkon përtej kësaj.

Me temën “Certain Uncertainties” (Pasiguritë e sigurta) Festivali sjell ligjërata e punëtori që për fokus kanë planifikimet arkitekturore e ato urbanistike të së ardhmes duke marrë parasysh krejt pasiguritë që janë në rritje e sipër.

Në ambientet e Lapidariumit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, organizatorët kanë hapur edicionin e sivjetmë që në pjesën e parë do të vazhdojë deri me 17 korrik, për të vazhduar më pas me pjesën e dytë prej 18 deri më 30 shtator.

Bekim Ramku, udhëheqës i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës, që e organizon Festivalin ka thënë se bazuar në temën e përzgjedhur do të merren me çështje për të cilat janë të sigurt se janë të pasigurta.

Bashkëkuratori i ekspozitës hapëse të Festivalit, Xavier Bustos, ka folur për rëndësinë e lidhjes së qyteteve, sidomos në të ardhmen.

“Ideja është që të lidhim qytetet duke treguar projekte arkitekturore. Në esencë bëhet fjalë për arkitekturë publike. Ideja është që të shpërfaqim hapësirat e përbashkëta. Janë hapësira që ndryshojnë qytet dhe bashkojnë njerëzit duke i bërë qytete më të mira”.

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë kohës sa ka prezantuar projektet e tij për kryeqytetin kur ishte kandidat për të udhëhequr me këtë qendër urbane, kishte shpalosur plane ambicioze të transformimit urbanistik.

Ai ka thënë se ngjarjet e tilla janë të domosdoshme për kryeqytetin.

Në kuadër të ligjëratave të sivjetme në “Kino Armatë” do të flasin edhe Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri. Tema e tyre do të jetë përfaqësimi i Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent), siç titullohet edhe pavijoni i Kosovës sivjet në Venecia, ashtu mban emrin edhe ligjërata e dyshes në Festival.