Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arkitektura dhe dizajni i tregimeve shumëngjyrëshe

Duke ecur nga i zymti park i biznesit drejt studios së Yinka Ilorit në Londrën perëndimore është si të hysh në një oazë. Dollapi nga dyshemeja në mur është i plotësuar me stola të ricikluar, plot ngjyra, të pikturuar ose veshur në fabrikat e Afrikës Perëndimore.

Bimë gjelbëroshe ka gjithandej dhe një portret i gjyshes së tij të buzëqeshur rri pas tryezës së tij, me gelen e saj, një mbështjellës tradicional i kokës. Ai i referohet pikturës, teksa ne flasim për ndikimin e familjes në veprën e tij, transmeton KOHA.

“Vepra ime është goxha shumë për gjithëpërfshirjen dhe atë se si njerëzit e përjetojnë dizajnin”, thotë 33-vjeçari. Ka edhe një ndjesi të rrëfimit, të njerëzve që komunikojnë, diçka që u ftillëzua në “London Metropolitan University”, kur ai ishte në vitin e dytë të studimeve për dizajnin e prodhimeve dhe orendive. Kishte nisur projektin e quajtur “Our Chair”, që i referohej dizajnerit italian Martino Gamper “100 Chairs in 100 Days” (ky i fundit shndërroi 100 karrige të prishura në copëza të reja brilante skulpturale).

“Kështu qe prezantimi im për Gamperin më 2008”, thotë Ilori. “Mendova se qe e pabesueshme: sende të vjetra, rrëfime e funksione të reja. Thjesht, por fuqishëm. Kjo është ajo çka dua – rrëfimtarinë dhe qëmtimin e kujtimeve përmes dizajnit”.

Ilori flatronte me idenë. Ai nisi të rrëmihte karrige nga koshat e hedhurinave dhe merrte ato që hidheshin në rrugë. Ai përfshinte edhe historinë e tij në këto dizajne. Ilori është britanik me prindër nigerianë.

“Të është thënë në shtëpi se je nigerian, por pastaj shkon në shkollë dhe je britanik”, thotë ai. “Jetoja në Essex Road në Islington, që është një lagje vërtet shumëkulturore dhe kjo qe e mirë, kështu që unë kisha më të mirën e dy botëve. Por vetëm kur vizitova Nigerinë e kuptova tamam këtë. E kuptova se respekti është tejet i rëndësishëm për prindërit e mi: kulturën, gjuhën. E kuptova pse prindërit vishnin shumë ngjyra. E kuptoj udhëtimin e tyre, punën e tyre. Rrekesha të ankohesha më pak e të respektoja faktin që ata mund të braktisnin Nigerinë e të fillonin nga e para. Dhe kështu unë mund të bëj diçka për veten këtu. Kjo është ajo që po përpiqem të bëj”.

Edhe Muzetë që përshtaten dhe marrin vëmendjen e fëmijëve Kulturë Muzetë që përshtaten dhe marrin vëmendjen e fëmijëve

Trashëgimia e tij nigeriane shfaqet edhe në dizajnet e tij. Përrallat që prindërit e tij ia rrëfenin si fëmijë u bënë frymëzim, tregimet moralizuese merrnin kuptim të ri tani kur ai po punonte të bënte karrierë për vete. Disa ulëse referonin idenë e hierarkisë, ndasia e madhe ndërmjet të kamurve dhe të vobektëve që e pa me sytë e tij në Nigeri. Për disa karrige, ai do të përfytyronte rrëfime fort të veçanta për pronarët e tyre. Ishin histori të mbështetura në njerëz që njohu në shkollë që po kuturisnin drejt ngatërresave, djem që ishin braktisur nga mësuesit, djem që nuk përshtateshin edhe aq për shkak se anglishtja nuk ishte gjuha e tyre e parë. I diplomuar dhe pas një praktike tremujore me disenjatorin e orendive Lee Broom, Ilori aplikoi për një hua prej 3 mijë funtesh nga “Prince’s Trust”, shkroi një plan 10-faqesh biznesi dhe u nis. “Doja të isha në industrinë e dizajnit, kështu që nisa të punoja se kush do të bëhesha dhe si do ta rrëfeja tregimin tim”.

Johanna Agerman Ross, kuratore për dizajnin e orendive bashkëkohore në V&A, nominoi Ilorin për të marrë pjesë në një projekt me brandin danez të tekstilit “Kvadrat”.