Artistë, edukatorë dhe aktivistë janë bashkuar në panelin “Art Space Unlimited” për ta dëshmuar fuqinë e artit në modelimin e botës. Nga riciklimi i letrës si një akt krijues deri te integrimi i artit në sistemin arsimor dhe festivale që sfidojnë stigmat mbi shëndetin mendor, kanë qenë shembujt konkretë që e njohin fuqinë dhe rolin e artit në komunitet
"Art Space Unlimited” që ka bashkuar në një panel akterë e bartës projektesh, ka zbërthyer fuqinë dhe rolin e pakufishëm të artit në eksplorim qasjesh novatore dhe ndikimin e tij në komunitet. Janë dhënë shembuj konkretë për këtë.
Nga riciklimi i letrës si një akt krijues deri te integrimi i artit në sistemin arsimor dhe festivale që sfidojnë stigmat mbi shëndetin mendor, kapërcejnë format tradicionale të angazhimit artistik dhe të krijojnë modele të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi.
Projekte si këto janë zbërthyer në panelin e mbajtur të martën pasdite në ”Project Space Sekhmet”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.
Riciklimi është shembulli i “31 me 44”, libri i cili përmbledh rreth dhjetë poezi të cilat zbërthejnë tema të ndryshme personale. E gjithë kjo është bërë nga dy disenjatore dhe projektin e quajtur “Libër i poezive me letër të ricikluar”, përmes një thirrjeje nga rezidenca “Shtatëmbëdhjetë”.
Nita Salihu dhe Lira Gjikolli, pos prezantimit të librit dhe gjetjeve nga punëtoria për riciklimin e letrës, kanë nënvizuar edhe rolin e qëndrueshmërinë në praktikat artistike.
Salihu ka thënë se duke qenë se shpesh është diskutuar për natyrën e letrës, për faktin që nuk pëlqehen printimet e panevojshme, ky projekt u shndërrua në një eksperiment estetik dhe konceptual, duke e çuar procesin përtej dizajnit grafik.
“Në vend që ta shihnim letrën si një mjet të konsumueshëm, e rimenduam atë nga rrënjët, nga origjina e saj, mënyra e prodhimit dhe potenciali i saj si medium artistik. Ky është një përkushtim që e shohim jo vetëm si dizajnere, por edhe si artiste që sfidojnë kufijtë e praktikës së tyre. Ndaj, për ne, ky projekt nuk ishte thjesht një proces teknik, por një shtysë për të eksploruar rolin tonë në art dhe dizajn me një qasje më të gjerë dhe eksperimentale”, ka thënë Salihu, dizajnere dhe botuese e librit nga letra e ricikluar.
Lira Gjikolli ka thënë ky libër është një projekt që është realizuar në një frymë kolektive.
“Ne zakonisht punojmë me botime të dizajnit për institucione të ndryshme artistike në Kosovë dhe, në këtë proces, mbetemi me sasi të konsiderueshme letre të pashfrytëzuar nga projektet tona. Në vend që ta trajtonim këtë mbetje si diçka të pavlerë, kemi kultivuar një praktikë të mbledhjes dhe ruajtjes së saj, duke e konsideruar mundësinë e një përdorimi të ri dhe të qëndrueshëm”, ka thënë Gjikolli.
Ajo ka thënë se letrat e ricikluara i kanë magjepsur me teksturën dhe veçoritë e tyre unike: njëra anë e rrjetëzuar, tjetra e pasuruar me fibra delikate.
“Disa prej tyre na impresionuan aq shumë saqë vendosëm t’i kornizonim dhe t’i ekspozonim në studion tonë, si një kujtesë e këtij procesi dhe e mundësive që krijimtaria dhe riciklimi mund të sjellin në praktikën tonë artistike”, ka thënë ajo. Libri, ka për titull një gjuhë teknike – 31 me 44 centimetra janë dimensionet e librit – por që në kontekstin që ia jep dyshja e dizajnereve, merr tjetër kuptim.
“Arti në shkolla” është program kombëtar i nisur me pompozitet në sistemin arsimor të Kosovës. Nëpërmjet tij, Ministria e Kulturës dhe jo vetëm, e integron artin në mësim, një praktikë e cilësuar si e dobishme dhe me ndikim në nxënie.
Agnesa Qerimi, konsulente e jashtme në MKRS, ka thënë se programi ka potencial të madh për të ndryshuar arsimin dhe kulturën nëse zbatohet në nivel kombëtar, duke ndikuar pozitivisht në shoqëri dhe në zhvillimin e mendësisë së re.
“I nisur nga qeveria aktuale si pjesë e një vizioni strategjik, unë pata privilegjin të drejtoj programin bashkë me një ekip këshilltarësh, duke mbikëqyrur tri fazat pilot. Kjo më mundësoi të ndjek nga afër zbatimin e tij, të koordinoj aktorët e përfshirë dhe të ndihmoj në hartimin e një propozimi për zgjerimin e programit në shkallë kombëtare. Ky program zhvillon mendimin kreativ dhe kritik te fëmijët, duke i formuar si qytetarë aktivë e të angazhuar”, ka thënë Qerimi duke i cilësuar këto faza si të suksesshme.
“Rezultati konkret përfshin mbi 800 aktivitete kulturore në 50 shkolla të 15 komunave, duke përfshirë më shumë se 3 mijë nxënës. Aktivitetet varionin nga ekspozita me realitet virtual te performancat filharmonike dhe baleti, duke marrë një reagim mjaft pozitiv nga nxënësit, të cilët shprehin dëshirën që ky program të bëhet pjesë e përhershme e sistemit arsimor”, ka thënë ajo.
Bind Skeja, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, ka sjellë shembullin e “Javën e Art-Terapisë”, e kufizuar fillimisht në Prishtinë, e që pastaj u rrit ndjeshëm deri në vitin 2017, duke tërhequr artistë, psikologë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
“Diskutimet dhe aktivitetet artistike u shndërruan në një platformë gjithëpërfshirëse, ku njerëzit gjenin hapësirë për të ndarë përvojat e tyre. Me kalimin e viteve, festivali kaloi nga një nismë lokale në një bashkëpunim më të gjerë, duke përfshirë organizata të ndryshme dhe mbështetjen e institucioneve si Ministria e Kulturës dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Skeja. Ka qenë koha e pandemisë COVID-19, kur sipas tij, do ta konstatonin se ndërgjegjësimi i thjeshtë nuk mjafton më.
“Politikat mbi shëndetin mendor shpesh përjashtojnë ata që preken drejtpërdrejt nga to. Ligjet e propozuara për shëndetin mendor dhe parandalimin e vetëvrasjes në Kuvend u hartuan pa përfshirë asnjë person të prekur nga këto çështje. Ky përjashtim është i papranueshëm, dhe festivali synon ta sfidojë këtë praktikë, duke vendosur në qendër zërat e atyre që shpesh mbeten në margjinat e debatit publik”, ka thënë ai duke shtuar se “Java e Art-Terapisë” ka për synim rrënimin e stigmatizimit dhe frikës rreth shëndetit mendor.
“Duke përdorur artin dhe dialogun e hapur, synojmë të krijojmë një qasje më gjithëpërfshirëse dhe kuptimplote, ku shëndeti mendor nuk është thjesht një temë trendi, por një angazhim i vazhdueshëm për një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe mbështetëse”, ka thënë ai.
Derisa ka paralajmëruar “Art Space Unlimited”, kryefjalë ka qenë fuqia e artit. Ajete Kërçeli nga
“Shtatëmbëdhjetë” e cila e ka udhëhequr panelin, ka thënë se nëpërmjet tij synojnë të eksplorojmë nyjëtimin midis artit, edukimit dhe angazhimit komunitar.
“Diskutimi i sotëm bashkon artistë, edukatorë dhe aktivistë për të shqyrtuar jo vetëm mënyrën se si arti e modelon botën, por edhe se si hapësirat artistike mund të transformohen në mjedise më gjithëpërfshirëse, të qasshme dhe me ndikim të qëndrueshëm”, ka thënë Kërçeli. Objektiv janë të sfiduarit e qasjes konvencionale ndaj hapësirave artistike dhe frymëzimi i paradigmave të reja të ndërveprimit.
“Art Space Unlimited” me shembujt që ka sjellë, mbi të gjitha e ka dëshmuar se arti e modelon botën.