Një lagje e pushtuar. Një zjarr vdekjeprurës. Pasoja e zymtë. Tridhjetë vjet pas aparteidit, politikë ose sistem diskriminimi për shkak të racës, shumë të ardhur afrikanë njoftohen me pjesën e ashpër të ‘Kombit Ylber’, term i përdorur nga Mandela në vitet ’90 për t’i përshkruar aspiratat e Afrikës së Jugut për t’u bërë qendër e harmonisë multikulturore.
(Reuters) - Munera Mokgoko ka qenë 3-vjeçare në kohën e aparteidit. Asaj i kujtohet pak, shpresa që e ka shoqëruar çlirimin e njerëzve me ngjyrë tri dekada më parë, të formuar nga vizioni i Nelson Mandelas për barazi shoqërore dhe solidaritet panafrikan.
“Afrika e Jugut nuk ka ‘ubuntu’”, ka thënë 33-vjeçarja, duke e përdorur fjalën nga gjuha Zulu që do të thotë humanizëm, para zgjedhjeve ku partia Kongresi Kombëtar Afrikan në pushtet (ANC) është duke u zotuar se do t’i largojë emigrantët pa dokumente nga pjesa tjetër e kontinentit. “Është sikur ne nuk dimë t’i mirëpresim njerëzit”.
Burri i Mokgokos nga Tanzania është në mesin e shumë emigrantëve që janë dyndur atje, që nga përfundimi i pushtetit të minoritetit të bardhë dhe është takuar me anën e ftohtë të “Kombit Ylber”, term i përdorur nga Mandela në vitet ’90 për t’i përshkruar aspiratat e Afrikës së Jugut për t’u bërë qendër e harmonisë multikulturore.
Zemërimi i publikut ndaj emigrimit është bërë çështje madhore në prag të zgjedhjeve më 29 maj. Janë zgjedhjet e para kombëtare në të cilat shumicës së njerëzve nga Afrika e Jugut – mosha mesatare është 28 vjeç – nuk i kujtohen dekadat e aparteidit, lufta për liri ose ngritja në pushtet e lëvizjes çlirimtare ANC në 1994-n.
Idi Rajebo, burri 34-vjeçar i Mokgokos dhe mijëra të tjerë, që largohen nga varfëria rurale në kombet si Tanzania dhe Malavia, janë grumbulluar nëpër minibusë, kanë kaluar përmes shkurreve dhe u kanë dhënë ryshfet rojave kufitare për ta arritur Johannesburg, “Qytetin e Arit”.
Ai dhe dhjetëra të tjerë kanë përfunduar në një apartament të stërmbushur që ka qenë i pushtuar – ose “i rrëmbyer” – nga kriminelët, ku tualetet ishin të prishura dhe të varurit nga droga uleshin nëpër shkallë.
“Nuk ishte e bukur”, ka thënë Isaac Simoni, 39-vjeçar, shok nga Tanzania i Rajebos. “Ne të gjithë kishim të njëjtën ide: të bëjmë para dhe të largohemi”.
Dhjetëra nuk e kanë pasur mundësinë. Nëntë muaj më parë, blloku i apartamentit Usindiso ka marrë flakë, duke lënë të vdekur 77 persona – shumica emigrantë – dhe duke i lënë qindra pa shtëpi.
Këtë muaj hetimi publik ka arritur në përfundim se zjarri është shkaktuar nga një burrë i Afrikës së Jugut, i cili ka qenë nën ndikimin e metamfetaminës, kur e ka ngufatur një tjetër banor dhe e ka djegur trupin e tij me benzinë për t’i fshehur provat e vrasjes.
Hetimi gjithashtu i ka fajësuar autoritetet lokale për neglizhencë, që e ka shtyrë ndërtesën të bëhet zonë e rrezikshme, me armë, vrasje, droga dhe mbeturina të djegshme.
Për emigrantët që i kanë shpëtuar zjarrit, sprova vazhdon. Disa janë duke fjetur në tenda ose nëpër trotuare. Disa janë duke banuar në apartamente akoma më të mbushura dhe të ndyra e të tjerët janë dëbuar meqë nuk kishin letra të vlefshme emigrimi. Në total, 25 të mbijetuar janë dëbuar.
Partitë kryesore kanë paraqitur plane për t’i ndaluar emigrantët ilegalë, teksa ata konkurrojnë për vota. Muajin e kaluar, qeveria ka publikuar propozime në gazetën e saj për t’i pakësuar angazhimet, ose për t’u tërhequr nga konventa e refugjatëve e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe traktatet e tjera, për t’i “frenuar emigrantët që vijnë të maskuar si azilkërkues”. Sipas Qeverisë, veprimi i tillë do të sjellë refuzim të menjëhershëm të pretendimeve për azil që i konsideron false.
Kjo ka provokuar reagime nga grupet lokale të të drejtave të njeriut dhe tri agjenci të OKB-së – UNHCR për refugjatë, organizata e emigrimit IOM dhe organizata për mbrojtjen e fëmijëve UNICEF – të cilat kanë thënë se kjo do të sillte rezultate negative dhe fëmijët e emigrantëve të lindur në Afrikën e Jugut mund të mbesin pa shtetësi.
Ky vendim shënon kthesë prej mesazhit të lënë nga lideri i ANC-së Mandela, që ka deklaruar se afrikanët janë “njerëz me fat të njëjtë”.
“Kur historia e luftimeve tona do të shkruhet, do të tregojë një tregim të lavdishëm për solidaritetin afrikan”, kishte thënë Mandela në 1994-n. “Afrika ka derdhur gjak, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë të lirë. Ajo i ka dhënë pasuritë dhe burimet e limituara në mënyrë që të jetë e lirë”.
ANC-ja i ka nënshkruar traktatet e refugjatëve në vitet 1995 dhe 1996. Në një fjalim të vitit 1997 për ta shënuar Ditën e Refugjatëve të Afrikës, Mandela kishte thënë se zgjidhja për menaxhimin e flukseve të refugjatëve, shpesh të nxitura nga konflikti, ishte të theksoheshin të drejtat politike dhe civile të njerëzve dhe që "të gjithë ne në kontinentin afrikan të bashkohemi".
Ministri i Punëve të Brendshme, Aaron Motsoaledi, ka thënë se emigrantët janë bërë barrë e rëndë për burimet e Afrikës së Jugut, duke e cituar një spital në qytetin Musina, ku zimbabvianët përbëjnë gati 70% të pacientëve të maternitetit.
Motsoaledi gjithashtu ka thënë se emigrantët pa dokumente po i lejojnë punëdhënësit ta ulin pagën minimale dhe i ka hedhur poshtë sugjerimet për ksenofobinë.
“Secili vend ka të drejtën për t’i mbrojtur interesat e veta”, ka thënë ai. “Panafrikanizmi nuk do të thotë të futemi ilegalisht në vendet e njëri-tjetrit”.
Qëndrimi i qeverisë është refuzuar nga Andy Chinnahu, aktivist i të drejtave të njeriut që i ka kaluar nëntë muajt e fundit duke i ndihmuar viktimat e zjarrit, duke u dhënë ushqim dhe duke i ndihmuar me proceset ligjore.
Chinnahu ka thënë se trajtimi ndaj emigrantëve afrikanë ia ka kujtuar atij sistemin aparteid, por tani njerëzit me ngjyrë nga vendet e tjera janë “të huaj”. Lëvizjet politike ndaj të drejtave të emigrantëve janë si tradhti ndaj trashëgimisë së Mandelas, ka thënë ai.
“Ai e ka dashur Afrikën të bashkuar. Të gjithë presidentët e vendeve tjera afrikane e kanë mbështetur atë dhe lëvizjen çlirimtare për ta fituar lirinë që e gëzojmë sot”, ka thënë Chinnah. “Ne nuk kemi luftuar vetëm për lirinë tonë në Afrikën e Jugut. Kemi luftuar për ta çliruar Afrikën. Kemi luftuar kundër kolonializmit”.
Nisni operacionin ‘Dëbojini me forcë’
Numri i emigrantëve që jetojnë legalisht në Afrikën e Jugut gati është trefishuar në 2.4 milionë në vitin 2022, nga 835 mijë në vitin 1996, sipas zyrës për statistika kombëtare. Sipas të dhënave emigrantët e përbënin 4% të popullatës, me Zimbabvenë, Mozambikun, Lesoton dhe Malavin si vendet kryesore prej nga vijnë.
Të dhënat zyrtare nuk përfshijnë emigrantët pa dokumente. Sipas tyre, autoritetet e emigrimit dëbojnë 15 deri në 20 mijë emigrantë në vit dhe ky numër po rritet.
Emigrantët nga Afrika subsahariane, ku shumica e popullsisë luftojnë të mbijetojnë me bujqësi, shpesh rrezikojnë për të shkuar në Afrikën e Jugut me ekonomi të industrializuar. Ata kërkojnë punë si dado, kamerier, rojë sigurie, minatorë dhe shitës.
Kjo shkakton zhgënjim publik atje, sidomos mes të rinjve, sipas një sondazhi prej 1.000 18-24-vjeçarëve të publikuar nga fondacioni i familjes “Ichikowitz”, grup i të drejtave dhe ruajtjes me bazë në Johanesburg.
Rreth 88% e të anketuarve besojnë se emigrantët ilegalë po ua marrin punët dhe burimet, 86% besojnë se po i rrisin rastet e krimeve dhe 85% mendojnë se ata duhet të dëbohen me detyrim.
Disa lëvizje e përdorin këtë zemërim, si operacioni “Dudula” – “dëbojini me forcë” në Zulu – i themeluar në 2021-n. Ata e kërkojnë largimin e emigrantëve, të cilët i fajësojnë për problemet sociale dhe ekonomike.
Lëvizja ka mijëra ndjekës në gjithë vendin. Është e njohur për nisje të demonstratave kundër emigrantëve ilegalë, duke i kërcënuar ose duke i sulmuar bizneset në pronësi të huaj.
Gati gjysma e emigrantëve të mbijetuar nga zjarri në Johannesburg, kanë thënë se janë kërcënuar dhe ngacmuar nga anëtarët e operacionit “Dudula”, para dhe pas fatkeqësisë.
Dy muaj para zjarrit, anëtarët e “Dudulas” kanë hyrë në ndërtesë, duke kërkuar t’ua shihnin identifikimin, duke kërkuar për dhoma me drogë dhe duke i goditur disa banorë me kamxhik, sipas dëshmitarëve. Kjo konfirmohet nga pesë deklarata të veçanta të dorëzuara te hetimi publik.
Ditën pas zjarrin, rreth 30 anëtarë të “Dudulas” kanë ardhur me kamxhik dhe kenë filluar t’i ngacmojnë, sipas dëshmitarëve.
“Ata kanë bërtitur, kanë kënduar, kanë qeshur”, ka thënë Omari Hanya, 44-vjeçar nga Tanzania. “’Këta të huaj duhet të dëbohen ose të vdesin’, thoshin ata në Zulu”.
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i “Dudulës”, Isaac Lesole, i ka mohuar pretendimet e tilla.
“Po, në të kaluarën kemi pasur probleme të tilla” ka thënë ai, duke insistuar se grupi tani operon si denoncues. “Po, ka pasur anëtarë të ‘Dudulas’ jashtë ndërtesës pas zjarrit, por nuk ka qenë mbledhje festive”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Motsoaledi, ka thënë se Afrika e Jugut nuk i përkrah aktivitetet antiemigrante të grupit. “Nuk mund ta marrësh ligjin në duart e tua”, ka thënë ai. “Nuk mund të bëhesh ndëshkues sepse kjo e çon vendin drejt kaosit”.
I dyshuari për zjarrin fatal ndodhet në paraburgim dhe është ngarkuar me 76 akuza për vrasje dhe 86 akuza për tentativë vrasje, por ende nuk është deklaruar.
I rrahur se kishte 11 dollarë më pak
Mokgoko, nga provinca veriperëndimore e Afrikës së Jugut është takuar me Rajebonin në 2007-n në Randfontein, qytet i minierave të arit në Johannesburg, ku ai e drejtonte një dyqan ushqimor. Rajebo kishte arritur një vit më herët me autobus nga qyteti Tanga i Tanzanisë.
Në vitin 2019, ata dhe tre fëmijët e tyre kanë lëvizur në katin e katërt të bllokut të nëmur.
“Kishim probleme financiare; ishte lirë aty”, ka thënë Mokgoko, jashtë kasolles ku qëndron tani. Vajza e saj 1-vjeçare, Mymuna, qesh teksa luan me çizmet e saj rozë.
Kur Mokgoko dhe Rajebo kanë arritur në ndërtesën Usindiso, bandat kriminale kanë kërkuar “qira” nga banorët dhe të sapoardhurit. Më shumë se 500 njerëz kanë qenë duke jetuar në ndërtesë në kohën e zjarrit, gjysma e tyre emigrantë.
“Bandat kanë qenë brutale nëse nuk i ke paguar në kohë”, ka thënë Simoni. “Ata vinin në grupe prej 5-6 personash të armatosur. I kam parë duke e rrahur dikë vetëm se kishte 11 dollarë më pak”.
Të preferuarit e tyre kanë qenë emigrantët, meqë kanë qenë të frikësuar të ankohen në polici, meqë nuk kanë pasur dokumente.
Të mbijetuarit e zjarrit kanë thënë se burra me uniforma të policisë shpesh i kanë bastisur tregjet e tyre, për t’i kërkuar vizat e tyre. Nëse nuk kanë pasur dokumente të tilla, ose edhe nëse po, burrat shpesh u kanë kërkuar shuma prej 27 deri 54 dollarë për të mos u burgosur.
Shitësi Kenneth Jiro, 32-vjeçar, ka treguar se tezga e tij është bastisur çdo disa javë, nga burra me uniforma policie që kanë kërkuar 38 deri 54 dollarë.
Xolani Fihla, zëdhënës i policisë së Johannesburgut (JMPD), ka thënë se departamenti nuk ka pasur njohuri për sjellje të tilla nga oficerët, porse “konsiderohet e paligjshme nëse ndodh dhe nëse dalin prova do të merren masa disiplinore”.
“Ma ktheni foshnjën”
Natën pas zjarrit, Rajebo bashkë me 32 emigrantë të tjerë janë dërguar në një pavijon nga autoritetet. Më 15 nëntor autoritetet e kanë bastisur qendrën, duke i futur 32 emigrantët në automjete sigurie.
Mokgoko e ka parë Rajebon teksa është futur në kamionët e policisë dhe furgonë të emigrimit. “Ai e kishte foshnjën. Ata po e tërhiqnin dhe i thoshin, ‘Ktheja foshnjën nënës, sepse nuk do të shkosh me ta’”.
Pasi ia ka dhënë Mokgokos foshnjën, ajo e ka shikuar burrin e saj të zhduket në furgon.
32 emigrantët janë dërguar në stacionin policor, janë arrestuar dhe janë dërguar në burgun e emigrantëve Lindela, sipas Rajebos.
Më 10 prill ata janë dëbuar. Në vendlindjet e tyre ata janë mbajtur të burgosur derisa familjet i kanë paguar autoritetet 22 dollarë. Rajebo ka dalë pas një jave, kur të afërmit e tij i kanë mbledhur paratë.
Rajebo ka thënë se nëse dëshiron ta shohë gruan dhe fëmijët e tij, ai nuk ka zgjidhje tjetër veç kthimit. Sjellja e tyre në Tanzani nuk është e mirë, për shkak të mungesës së mundësive ekonomike, edhe pse aty ata do të jenë më të mirëpritur sesa në vendlindjen e gruas, ka thënë ai.
“Unë do të kthehem”, ka thënë Rajebo. “Unë dua një familje normale. Nuk dua të largohem nga ata”.
Ai akoma preferon Afrikën e Jugut, ku prodhimi vjetor ekonomik për person është 5.970 dollarë, ndryshe nga 1.220 dollarë në Tanzani.
“Ti shkon dhe mund të fitosh ca para”, ka thënë Rajebo. “Prandaj shkojmë atje”.