(Moralizimet e Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme si presion ndaj Perëndimit)
Na ishte njëherë një ministër finok, që i kishte ngjizur ambalazhet për terrorin e shefit të tij dhe 30 vjet më pas, në kryeqendrën e diplomacisë botërore, tentoi t’i “gozhdojë” ata që e ndalën terrorin, spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë.
A do ta lejojë Perëndimi tregimin e Vuçiqit për botën që po zien dhe “fajtorin” që ndezi lëkundjen e saj?
Zëdhënësi “europian” i Putinit
S’ka rëndësi nëse vriten, theren e përdhunohen kroatë, myslimanë dhe shqiptarë, ndalja e Serbisë ishte “mëkati” i Perëndimit që e ka rrënuar sistemin ndërkombëtar. Ky është nënteksti i Aleksandër Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me “leksionin” për vendet e vogla kundër “mashtrimit” të fuqive të mëdha (predsednik.rs, 23.09.2026). Ai nuk e tjerri vetëm Kosovën në retorikën e inversionit për Serbinë si viktimë gjatë viteve ’90 dhe nga bombardimet e NATO-s më 1999.
E akuzoi edhe Kroacinë për “ringritjen e nazizmit” dhe “krenarinë me të kaluarën e saj naziste”, ndonëse mori përgjigje të shpejtë nga kryeministri Andrej Plenkoviq, duke ia përplasur glorifikimin dhe funeralin shtetëror për Ratko Mlladiqin. “Një fushatë denigruese të cilën as ai vetë nuk e beson, e lërë më bashkësia ndërkombëtare. Çdo deklaratë e tillë është një hap tjetër larg vlerave dhe anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”(HRT, 24.09.2026).
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, në drekën e Kaja Kallas me liderët e Ballkanit Perëndimor, pa e përmendur drejtpërdrejt, tha se “Kosova nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i një shteti që mbron dhe shpërblen kriminelët e këtij shekulli, glorifikon ata të fundshekullit të kaluar, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të zhdukurve me dhunë, si dhe vazhdon spastrimin etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës” (ZKM, 24.09.2026).
Mirëpo, duke shmangur të vërtetën për krimet kundër njerëzimit, gjenocidin, përdhunimet dhe spastrimin etnik gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të vulosur nga vetë drejtësia e OKB-së (ICTY) me aktakuzën dhe procesin ndaj Millosheviqit (Prosecuter v. Slobodan Milosevic et al., Case No. IT-99-37-PT), si dhe vendimet e formës së prerë për dhjetëra vartës të tij politikë, ushtarakë e institucionalë (Sainovic et al., Appeal Judgement, 23.01.2014; Final Decision for Ojdanic, 31.01.2013), Vuçiq e shfrytëzoi Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta ravijëzuar projektin e “Botës Serbe”, me recetat e “viktimizimit”, “padrejtësisë” së NATO-s në vitin 1999. Pretendoi se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet nga Marrëveshja e Brukselit, por harroi se e kishte shkelur rëndë me sulmin në Banjskë (EEAS, 24.09.2023) dhe e shkeli sërish aty frymën e saj, duke i falënderuar shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën (Agreement on the path to normalisation between Kosovo and Serbia, 27.02.2027).
Ndërkaq, në rolin e “zëdhënësit evropian” të Putinit, me qëllim që si “evropian” të tingëllonte më bindës nën pretendimin e “neutralitetit”, ai iu tha vendeve perëndimore se e kanë humbur të drejtën morale për të kërkuar integritetin territorial të Ukrainës, sepse ishin bërë pjesë e përpjekjes për t’ia marrë Serbisë “14 për qind” të territorit.
Lajkat në funksion të “Botës Serbe”
Sipas tij, bombardimet e NATO-s dhe njohja e pavarësisë së Kosovës, e hapën “Kutinë e Pandorës”, shkelën Kartën e OKB-së dhe krijuan standardin që sot po e shkatërron rendin ndërkombëtar. Menjëherë pas Kosovës ai e zgjeroi hartën e “kërcënimeve” në rajon, me akuzat ndaj Kroacisë për “ringritjen e nazizmit” dhe “krenarinë me të kaluarën naziste”, duke përdorur Jasenovacin si referencë për viktimizimin serb gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përmes zhvendosjeve historike në funksion të metanarrativës për “të drejtën” e Serbisë, ai luajti me kartën e dy Amerikave, duke etiketuar administratën Clinton si “shkatërruese” dhe duke mbështetur administratën Trump si shpresë për një “rend më të drejtë”, që do ta favorizonte Serbinë. Kështu, inversioni narrativ për “autoritetin moral” të Serbisë në botën e trazuar sot, ndërtohet mbi korniza të kahershme, të harmonizuara me Rusinë (agresioni i NATO-s, Perëndimi me dy standarde), por duke pretenduar “neutralitetin” ndaj konfliktit aktual gjeopolitik, të nxitur nga “padrejtësia” e vitit 1999.
Aleanca historike me Amerikën, krimet ustashe ndaj serbëve dhe “mëkati” me Kosovën, janë hallkat selektive që Vuçiq i përdor për “viktimizimin e përhershëm”, ndërsa e kapërcen atë të periudhës së Millosheviqit dhe të përgjegjësisë së Serbisë lidhur me represionin, krimet, masakrat e gjenocidin, si shkak i reagimit ndërkombëtar.
Nuk i tregon Asamblesë së Përgjithshme pse funerali për Ratko Mlladiqin u bë me nderime shtetërore, pavarësisht reagimit të ashpër të BE-së ku pretendojnë të integrohen dhe pse ende vazhdon ta mbrojë Radojçiqin, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga SHBA, BE, e NATO për ndjekjen e tij pas sulmit në Banjskë.
Ai s’mund të përgjigjet në këto përderisa e shmang Millosheviqin, ndërsa e shmang Millosheviqin, sepse nuk distancohet nga qëllimet e politikës për “Serbinë e Madhe”. Jo vetëm se e ka pohuar vetë më 2018 (predsednik.rs, 11.09.2018), por sepse ka vazhduar ta mbajë ministren Paunoviq pas deklaratave rehabilituese për Millosheviqin në vitin 2026.
Në këtë kontekst, nderimi për Mlladiqin është linja që shpjegon evoluimin strategjik të projektit, të kamufluar në konceptin e “Botës Serbe” dhe të përshtatur në kontekstin aktual të rivalitetit gjeopolitik. Kjo është korniza brenda të cilës duhet zbërthyer fjalimin e Vuçiqit, si presion “moral” ndaj Perëndimit, “arsyetim” të Putinit dhe “legjitimim” të qëllimeve shoviniste të Serbisë.
“Presioni” revizionist ndaj Perëndimit
S’kanë rëndësi faktet, ka rëndësi interpretimi i tyre, do të thoshte filozofi amerikan i shekullit XX, George Mead (Symbolic Interactionism of George Herbert Mead, në “E.M. Griffin, A First Look at Communication Theory , 8th Ed., New York, 2012). Ato nuk flasin për veten, prandaj rikornizimi në funksion të tregimit të Serbisë, është ajo që Vuçiq po tenton të bëjë.
Duke kalkuluar në mundësitë e revolucionit digjital dhe veçoritë e “pas të vërtetës”, dokumentet e ICTY (; Prosecuter v. Ratko Mladic, Appeal Judgement, Case No. MICT-13-56-A; Prosecuter v. Vlastimir Dordevic, Case No.: IT-05-87/1-A) apo raportet e kohës nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch (Humanitarian Law Violations in Kosovo, 01.10.1998; A Week of Terror in Drenica, 1999; Under Orders, War Crimes in Kosovo, 2001), Amnesty International (A Decade of Unheeded Warnings, 1999), etj., jo vetëm që “heshtin” nëpër sirtarë e arkiva, por edhe mund të “anashkalohen” nga vëmendja e gjeneratave të ndërruara politike.
Për këtë arsye, komunikimi i vazhdueshëm i fakteve, me kuptimin e vetëm të provuar nga drejtësia dhe të dokumentuar nga mediat, është formula më e mirë për dekonstruktimin e “kurthit narrativ” të Vuçiqit, i dizajnuar për sa më shumë efekt në kontekst të shqetësimeve aktuale lidhur me konfliktin ndërkombëtar.
Pra, nuk mund ta përdorësh të drejtën ndërkombëtare për t’i kornizuar bombardimet e NATO-s si “agresion”, pas qindra masakrave dhe asaj që vetë OKB-ja e ka vërtetuar si operacion për fshehjen e krimeve, me varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo (ICTY, Aktgjykimi ndaj Dordevic, 2011), Rudnicë, etj., deri te identifikimet e fundit nga mbetjet e gjetura në Kalludër e Jabukë të Zubin Potokut, shumica prej të cilave ende janë në proces (REL, 19.09.2026).
Nuk mund ta përdorësh të drejtën ndërkombëtare për ta kornizuar pavarësinë e Kosovës si “mëkat” i Perëndimit, pas terrorit, represionit sistematik, gjenocidit dhe asaj që vetë drejtësia e OKB-së e ka vlerësuar si “legjitime” (ICJ, 22.07.2010).
Dhe, nuk mund ta përdorësh “neutralitetin” për ta kornizuar Serbinë si “aleate të Amerikës”, ndërsa vazhdon rreshtimin strategjik me Rusinë e Kinën në militarizim e qëllime revizioniste (RFE/RL, 07.01.2026; European Commission, Serbia 2025 Report; ), glorifikon Mlladiqin e mbron Radojçiqin, duke sfiduar vetë SHBA-të, kërkesat e NATO-s apo qortimet e BE-së (Reporteri, 24.09.2026), si dhe minon interesat amerikane të përcaktuara me aktin e emergjencës kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor (The American Presidency Project, 22.06.2026).
Prandaj, orvatja e tij për ta mjegulluar të vërtetën, me presidentin Clinton si “shkatërrues” të rendit ndërkombëtar, me Serbinë si “aleate të Amerikës”, me lajkat ndaj Presidentit Trump dhe me “nazizmin” kroat, nuk është vetëm ravijëzim perfid i projektit të “Botës Serbe”, por edhe legjitimim i agresionit rus ndaj Ukrainës. Njëfarë mesazhi “moralizues” që bart kuptimin implicit se “padrejtësia e Perëndimit” e ka “detyruar” Putinin.
(Autori është drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”)